Nga Qemal SAKAJEVA
Në gegnisht është e njohur thënia “si i rrehun kreje”, për një gjendje të dikujt që ka marrë shumë goditje nga përplasjet në jetë. Përtej një individi të veçantë, Kosova si popull, Kosova si territor, Kosova si shtet padyshim është “si e rrehun kreje”. Dhe ka të drejtën e vet të shqyrtojë me dyshim çdo hap që Serbia ndërmerr ndaj saj. Filozofë të mëdhenj kanë thënë se dyshimi nuk është gabim, por përpjekje për t’u futur më në thellësi të së vërtetës.
Më së voni, trazim të thellë e të gjatë në kohë pati pas marrëveshjes Kosovë - Mali i Zi për demarkacionin, nënshkruar në Vjenë të Austrisë më 26 gusht të vitit 2015, nga ministri i jashtëm Hashim Thaçi e ministri i brendshëm Skender Hyseni, dhe nga zëvendëskryeministri dhe ministër i jashtëm Igor Llukshiç e ministri i brendshëm Rashko Konjeviç. Derisa marrëveshja u ratifikua nga kuvendi i Kosovës më 21 mars 2018, ishin tre vite të plota të një lufte të jashtëzakonshme politike e shoqëruar me gazlotsjellës si në beteja. Siç dihet, faktori ndërkombëtar çështjen e bëri të rëndësishme, deri në atë shkallë sa, liberalizimi i vizave për Kosovës u shndërrua në kushtin e dytë më të madh, përkrah korrupsionit. Bashkimi Europian nuk lëvizi asnjë milimetër nga kushti i dytë - demarkacioni (për kushtin e parë - korrupsionin, besohet ta ketë mbyllur njërin sy). Vetëm pas pesë muajve nga ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin, Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme - LIBE mori në shqyrtim rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian dhe, më 30.8.2018, me 30 vota pro, 10 kundër e 2 abstenime, miratoi liberalizimin e vizave, për t’u shqyrtuar më pas në shkallët e tjera të vendimmarrjes.
Ky hap konkret për qytetarët e Kosovës nuk ndodhi më herët, as më vonë, por në ditët më të nxehta të dy presidentëve të dy vendeve fqinj, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandër Vuçiç i Serbisë, kur në sinkron u hodhën dy popujve, Bashkimit Europian dhe ndërkombëtarëve më gjerë, idenë për “korrigjim të kufirit” (border correction), për t’u shqyrtuar me ndërmjetësinë e Federica Mogherini, ndoshta më 7 shtator. Askush nuk beson se zhvillimet e rëndësishme politike ndodhin rastësisht dhe gjërat përkojnë me njëra-tjetrën fare papritur, siç askush nuk beson se dy presidentët e të dy vendeve të dala nga lufta si armiq, të kenë rënë në një mendje për një muaj dhe pa ndërmjetësimin e kurrkujt.
Beogradi shfaq megallomani shtetërore dhe presidenti Vuçiç mëton të futet në histori, duke zgjidhur njëherësh dy çështje: të anëtarësojë Serbinë në Bashkimin Europian nëpërmjet zgjidhes së problemit me Kosovën, me një marrëveshje, siç po i kërkohet dhe të jetë e shpejtë, me të cilën synon kthimin e Serbisë në Kosovë nëpërmjet tri formave juridike, të mbështetura ndërkombëtarisht.
Extra-territoret serbe të objekteve të kultit, në fakt janë Serbi, nuk janë Kosovë.
10 komunat me shumicë serbe, nga 38 gjithsej sa ka republika, në të vërtetë funksionojnë si Serbi, nuk janë Kosovë.
Bashkësia e Komunave Serbe është strukturë e konceptuar në Beograd, një organizëm përbashkues për të arritur Autonomi të territoreve të gjera nga 1.93 përqind sa përfaqëson pakica serbe në popullsinë e Kosovës.
Ndërsa plani për “Korrigjim të kufirit” çon deri te pyetja ekzistenciale: Po Kosova, ku është?!
Synimet serbe janë të vjetra, por demarkacioni me Malin e Zi fatkeqësisht u kthye në precedent të rrezikshëm, tashmë i sjellë me termin “korrigjim i kufirit” me Serbinë. Përveç presidentit Aleksandër Vuçiç dhe mbështetjes nga Bashkimit Europian me deklarata të zyrtarëve të lartë, luftëtarë i vijës së parë është edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi! Pikërisht, në kulmin e kësaj klime shumë të keqe për Republikën, mbërriti lajmi i hapit të parë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Dhe njerëzit,“si të rrehun kreje”, kanë të drejt të mendojnë me dyshim: a mos heqja e vizave si proces, i shndërruar nga Bashkimi Europian në kusht të patundshëm për të përfunduar demarkacionin me Malin e Zi, po shërbehet si karotë për shqiptarët tani që po bëhet gjithçka për të vendosur mbi tavolinën e bisedimeve “korrigjimin e kufirit”? Te ky mendim çon përkimi dhe përputhja në kohë e tri çështjeve:
E para, heqja e vizave zgjat nëpër shkallë të vendimmarrjeve pasuese, dhe nëse ndodh, pritet të realizohet në muajt e parë të vitit 2019.
E dyta, marrëveshja Serbi-Kosovë, nëse arrihet, pritet të ndodhë diku nga muaji maj 2019.
E teta, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të BE, Federica Mogherini, e përkrah idenë e “korrigjimit të kufirit”. Pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të BE, më 31.8.2018 në Vjenë, ajo tha se, “Cilido që të jetë rezultati i dakorduar në mënyrë reciproke, do të ketë mbështetjen tonë, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, duke theksuar që, Kosova dhe Serbia mos të synojnë shtete etnike. Kjo kërkesë e shqiptuar nga Mogherini, përveçse është e çuditshme, ajo e vendos veten as në Bruksel as në Romë (si italiane që është), por diku jasht rruzullit, sepse: Ajo e di që Kosova nuk ka se si të bëhet shtet etnik. Pakica e vogël serbe prej 1.93 përqind është e shpërndarë gjithandej, nuk është vetëm në veri. Ajo e di se Serbia nuk lufton të bëhet shtet etnik, por në pamundësi për t’u bërë e madhe - Millosheviç synoi - Vuçiç po përpiqet ta bëjë Gjysëm të Madhe, sepse një sy e mban në Kosovë, syrin tjetër në Republika Srpska. Mogherini dhe Johannes Hahn - me deklarata kanë treguar se janë dy mbështetës të mëdhenj të korrigjimit - në mesin e vitit 2019 përfundojnë mandatin. Po të realizohet marrëveshja Serbi - Kosovë me “korrigjimin e kufirit” si gjetje, do të largoheshin si protagonistë kryesorë të zgjidhjes.
Këto tri çështje të njëkohshme - heqja e vizave, korrigjimi i kufirit, arritja e marrëveshjes - ngjajnë si tri gjymtyrë të një ekuacioni!
Nëse po, shqiptarëve nuk u duhet heqje vizash me falje territoresh.