Nga Izmira Ulqinaku
Ne, deputetët e opozitës nuk pranuam të jemi fasada e hapjes së punimeve të Parlamentit, por zgjodhëm pikërisht qytetin tonë, si tribunën e zërit qytetar që nuk i dorëzohet krimit dhe për të dhënë mesazhin e qartë se nuk mund të tolerojmë më një gjendje të tillë ku kjo qeveri na ka zhytur.
Nga Shkodra Opozita jo vetëm tregoi që është në krah të qytetarëve shkodranë, por edhe se është gati për të filluar një fazë të re të aksionit opozitar. Çdo shqiptar sot, nga Veriu në Jug e ka kuptuar më së miri se nën një qeverisje të tillë, ku shteti është kapur në çdo ind të tij nga trafikantët, të korruptuarit, të paaftët, nga krimi i organizuar, nuk ka më shpresë për një jetë normale.
Opozita në Shkodër ka treguar krejt qartë se nuk mund të jetë më pjesë e asnjë diskutimi a votimi projektligjesh e ligjesh, kur çdo reformë të nisur kjo kastë i deformon në skema për të grabitur apo për të kapur drejtësinë.
Në Shkodër, Partia Demokratike me aleatët e saj, tregoi se është forca politike e qytetarëve, forca e kurajos civile që nuk i trembet krimit.
Në një moment të tillë kur i gjithë opinioni shqiptar pret reagimin e shtetit përballë krimit në Shkodër, Ministri i Brendshëm me paturpsinë më të madhe nga foltorja e Parlamentit në vend që të japë llogari për paaftësinë e policisë dhe dorëzimin e saj përballë bandave, thotë që "nuk dua t’i hyj këtij diskutimi...dhe se ..kauza e opozitës është e gabuar". Imagjinoni ku mbërrin paftyrësia e kësaj qeverisjeje, saqë në vend që të përgjigjet për atë çfarë po ndodh në Shkodër merret me kauzën e opozitës. Por a ka kauzë më të madhe sesa solidarizimi me një qytet (por edhe tërë Veriun në përgjithësi) të cilin kjo qeveri e ka braktisur që kur erdhi në pushtet. A ka kauzë më të madhe sesa të mbështesësh Shkodrën, kur përveç varfërisë, mungesës së investimeve, kjo qeveri e ka lënë edhe në mëshirën e bandave?
Si deputete e Shkodrës, por mbi të gjitha si qytetare e saj them me bindje se kauza jonë politike e ka pikënisjen këtu.
Dua të kujtoj këtu një shprehje shkodrane për qeverinë dhe z. Xhafa në veçanti, se ata janë si uji që vjen e shkon, ata do të ikin dhe do të harrohen, dhe Shkodra do të vazhdojë të jetë qyteti që nuk do të arrijnë ta mbajnë peng asnjëherë.
Si shkodrane e them se, ashtu si gjithmonë në këtë vend ndryshimet e mëdha kanë filluar nga Shkodra, edhe këtë herë s'do jetë ndryshe; Opozita e Bashkuar e ka filluar përmbysjen e këtij klani trafikantësh e kriminelësh që na qeverisin.
#ramaik