Bandat kanë liri në krime, se i duhen Ramës në zgjedhje

E Enjte, 06 September 2018 18:18

Redaksionale

Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet,grigja e bandave ka dalë nga gjumi letargjik. Nëse do të projektojmë në një kurbë aktivitetin kriminal, rezulton se piku i tyre arrin në periudhën para-zgjedhore dhe bash në dy pika, aty ky Rama ka ambicie dhe aty ky Rama sundon, përkatësisht në Shkodër dhe Vlorë. Po, ashtu edhe nëse do të projektojmë aktivitetin e policisë, ajo shtrihet në kinse operacione të mëdha në ato çaste kur i djeg qeverisë, si ato të Sajmir Tahirit që dilte me policë me maska në sfond kundër hashashit, ndërkohë që hashashi ishte ai dora vet.

Rasti i fundit  i Shkodrës, ku vetëm në 2 muaj numërohen gjashtë të vrarë dhe 2 të rrëmbyer, është një copëz e një narrative me të gjerë. Çfarë bën policia? Pas presionit politik dhe mbledhjes së Opozitës, vjen vërdallë nëpër Shkodër në një rrethim të rremë të këtij qyteti. Kështu,  nëpër media tregohet sa andej e këndej vrapime dhe xhirime gomash të policisë, ndërkohë që garnizoni mafioz vazhdon ende të qëndrojë në këmbë

Të vrasës ditën për diell me formën më mafioze të mundshme flet për sofistikimin e krimit dhe lidhjet e tij me qeverisjen. Në një mjedis të djathtë dhe me qytetarinë shkodrane që di të shohë se pas Rilindjes fshihet djali i Kristaqit dhe i Sul Bushatit, Rama, si gjetkë në Shqipëri, i ka injektuar qytetit virusin e bandave. Ai ka ushqyer harlisjen e një aktiviteti kriminal si faktor elektoral, që fatkeqësisht i ka rezultuar i suksesshëm. Kësodore, bandat kriminale në Shkodër duhen parë të lidhura me oreksin elektoral të Edi Ramës . Provën e jep vet Erjon Veliaj ku sipas denoncimit të bërë nga ish-kryeministri Berisha, rezulton se Veliaj ka pritur në zyrë me sulltanate dhe madje ka publikuar foto me një nga të arrestuarit e Shkodrës.

Por, është një deklaratë që ka dalë nga vet goja e kryeministrit e cila tregon shumë mbi njohjen  intime që ka Edi Rama për bandat. Gjatë një takimi në 2017 me Policinë e Shtetit, Rama për të justifikuar  skizofreninë kriminale që ka kapluar vendin, tha se “bandat po vriten me njëri-tjetrin”. Pra, kryeministri i di hesapet e bandave, madje ka dijeni të plotë, para njoftimit të policisë, se kush do të vritet e nga cila bandë do të vritet. I di këto se i NJEH!

Qartazi, zbulohet kështu një kontratë, një marrëveshje bashkëqeverisjeje mes krimit dhe Edi Ramës dhe çfarë shohim si gjak dhe plumba rrugëve është thjesht ndërveprimi apo sinergjia krim-qeveri. Kjo ka bërë që të krijohet një vijë e re sjelljeje e bandave, të cilat kanë identifikuar periudhën parazgjedhore si stinën më ideale për gjuetinë  e tyre. Kështu, deri sa të vërdalloset policia në gjetjen e autorëve, vjen fushata zgjedhore dhe bash këtu, harrohet gjaku dhe kujtohen votat, dhe pasi ndihmojnë qeverinë të mbushë kutitë , marrin dhe amnistinë.  

Modifikuar më Premte, 07 September 2018 10:05
Login to post comments