Sakrifikimi i Kukësit

Diel, 16 September 2018 18:03

Nga Sulejman Dida

Në vitin 1978, fiks në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Përzerenit, Kukësi u përmbyt me gjithçka; qyteti me arkitekturën identifikuese, me infrastrukturën, me puset, me zejtarinë, me bujqësinë gjysëm urbane, pemtarinë, me fshatnat e begatë… deri me çdo fije bari. Ah, zoti u faltë për krimin që batë: përmbytët nji kulturë, nji qytetnim. Zhvendosja e popullsisë së pellgut krijoi trysni në zonat më pak produktive duke e ba krejt krahinën të pajetueshme. Po, ani, atdheu ka pasë nevojë. Për ne nuk prish punë. U përmbytën përgjithnji edhe tri urat mesjatare: ajo e famshmja Ura e Vezirit, Ura ndërmjetme dhe ajo e Kullës së Lumës. Të urtët thonë se për asnji arsye Kukësi nuk duhej përmbytë. Për ne, prapë nuk prish punë, atdheu ashtu ka pasë nevojë dhe lumjanët, e japin sakrificën.

Mirëpo n’ato vite dhe pak ma parë, atdheu u ndodh n’rrezik dështimi, sepse drejtuesit e futën atë në rrethim, e ky rrethim, bllokadë siç keni dëgjue të thuhet, nuk mund të çahej me grunin e fushës. Bllokada do të çahej me bakrin dhe kromin e Kukësit dhe Tropojës. Dhe vetëm në Kukës (në atë kohë në Kukës bante pjesë edhe Hasi) punuen për vendin 18.000 minatorë, metalurgë etj. duke i dhanë Shqipnisë rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bruto në vit (burimet natyrore i njiheshin Kukësit si kontribut në GDP). Ani, hallall. Mjafton që vendi ti mbijetojë falimentimit.

Në të vërtetë, fillimisht u sakrfikue vetë emni i krahinës, Luma. Sepse siç duket, ky emën i kujtonte udhëheqjes kontributin për pavarësinë e Shqipnisë, pse n’at kohë Vlona vërtetë u ba ballkoni i flamurit, por Luma (bashkë me Hasin) i ndali pushtuesit serbë. Ju ndoshta keni harrue, por, pikërisht për kët arsye serbët u rikthyen nji vit ma vonë dhe e masakruen Lumën, të cilës nuk i doli zot kërkush. Në luftën e dytë Botnore krahina e Lumës, nuk u pajtue me internacionalizmin jugosllav që e la Kosovën nën Serbi, e për kët arsye shteti komunist, aty nga vitet ‘50 ia fshini eminin, e quejti Kukës. Krahina e Lumës apet bani përpara me dinjitet, sepse edhe ky emën i shkonte shumë mirë, me qytetin e hijshëm midis dy Drinave.

Viti 1999 ishte nji provë jo e vogël për Kukësin, pse me Kukësin lidhej fati i krejt shqiptarëve. Priti në shtëpinë e vet gjysëm milioni shqiptarë të dëbuem të Kosovës, ndau me to shtëpinë dhe zemrën, ndau me to solidaritetin. Bota u mahnit, dhe dërgoi vendimmarrës të mëdhenj që, në njifarë mënyre ta shpërblenin këtë komunitet me projekte dinjitoze, pra me investime. Mirëpo edhe në këtë rast hyn në mes shteti. Për meritën e Kukësit në atë kohë u investuen qindra milionë dollarë në rrethe të tjerë të vendit, po jo në Kukës.

Presidenti Klinton i dhuroi nominalisht Kukësit 10 milionë dollarë, me këto para do të bëhej rruga Kukës-Morin segmenti i parë i autostradës Durres-Kukës-Prishtinë, atë segment udhe, siç kishte nënvizue Klinton, të dëbuemit prej Kosove e kanë ba në kambë. Segmentit në fjalë iu vu edhe emni “Udha Klinton”. Por qeveria e asaj kohe 10 milion dollarët e Kukësit, i çoi diku tjetër, askush nuk e di me saktësi se ku. Kjo ka ndodhë në vitin 2000.

Dikush nga OKB-ja e propozoi Kukësin për çmimin Nobel për paqë, por si gjithnji qeveria edhe atje e la vetëm. Megjithatë kandidimi mjafton. Për Kukësin nuk prish punë. Lumjanët menduen se tashma shteti nuk u bie në qafë, menduen se mafia qeveritare do ta lejojë me jetue në hallin e vet. Ia kishte marrë gjithçka deri atëherë, madje edhe meritat morale.

Por nuk ishte ashtu. Pasi iu turrën mineraleve që gjendeshin stoqe si dhe atyne lehtësisht të nxjerrëshme, iu përveshën punës për shterrimin e çdo burimi ujor duke përftue energji elektrike. Qeveritë e kanë sistemue kët punë në atë mënyrë sa asnji banor nuk mundet me ngritë zanin. Ujnat i kanë kthye në pasuni shtetnore, se, ashtu duhet. Ndërsa ish sipërfaqet pyjore, tashma të shkretueme, ua kanë dhanë vendorëve, pse aty nuk ka asgja për me i pëlqye dikujt me pushtet.

U mendue se Kuksianët mund të përdorin aeroportin, po edhe atij iu ba halli ende pa mësue me fluturu. Qe mendue se gjithsesi, shteti nuk ka me e lanë Kukësin me vdekë, pse ai jep kaq shumë në mirqenien e vendit. Por, jo. Llogaritë e drejta, e sidomos edhe të moralshme, dalin të gabueme. Nëntoka dhe mbitoka e kësaj krahine nuk asht pasuni e komunitetit por e qeverive, e si e tillë nuk llogaritet në kontributin e përgjithshëm të vendit.

Njerëzit e kuptuen kurthin e ekzistencës dhe nisën me lypë derman. Nji në tre banorë iku në Gjermani apo diku tjetër. Ikën mijëra familje në dëshpërim, ikën duke shitë edhe lopën e tamlit, ai që e ka pasë, ikën duke u ligshtue deri në johnim të identitetit. Ah, zoti ju faltë për krimin që keni ba, edhe në Gjermani nuk i latë rahat të shkretët. Udhëheqësit shkuen e i thanë (Gjermanisë), kthejini leckamanët sepse në Shqipni ka shtet demokratik.

Mendoni pak, nëse një rajoni ia merrni fushat pjellore dhe burimet e ujit, nëse një rajoni ia merrni edhe burimet minerare, e nëse një rajoni ia merrni edhe rrugët atëherë atë e keni ekzekutue. Kështu vazhdon me ndodhë me Kukësin. Shteti i ka marrë gjithçka, sepse i quen pasuni të shtetit, dhe shteti ia ka dhanë privatit. Nëse ky rajon jep shpirt, nëse ky rajon vdes, atëherë edhe rajone të tjerë të vendit do të vdesin me siguri dhe çdo kurrajë ka me qenë e vonueme. Imagjinojeni çka do të ndodhte me Vlonën apo me Durrësin t’ua hiqnim detin, apo Lushnjes t’ia mohonim fushën, do të shndërroheshin në shkretina. Duke ia përmbytë pellgun pjellor me tre lumenj të bukur e jetdhanës, Kukësit ia kanë heqë hisen e atdheut.

Në të vërtetë edhe deti asht pasuni shtetnore, por kush e ka shtëpinë në breg, ka ngritë hotelin, kurse në Lumë nuk lejohet me përfitue prej burimeve natyrore, nuk lejohet me kalue traun e doganës, nuk lejohet me përdorë aeroportin, nuk lejohet me përdorë autostradën, nuk lejohet me jetue… Dhe shteti, i ftohtë e shpesh edhe i pa edukuem, mbasi ia ka marrë Kukësit resurset e mundëshme, i thotë: ti nuk jep ma shumë se 2% të prodhimit të përgjithshëm bruto, prandaj nga buxheti nuk do të marrësh ma shumë se proporcioni i llogaritun.

Neni 11 i kushtetutës asht rrenë kur thotë se sistemi ekonomik bazohet edhe në pronën publike. Aktualisht 50% e popullsisë së Kukësit jeton me më pak se 5 dollarë në ditë për familje. Por nëse Kukësi do të përfitonte rentën minerare, e cila fshihet prej kompanive shfrytëzuese, nëse Kukësi do të përfitonte rentën energjetike, gja që duhet rregullue me ligj, do të jetonte në mirëqenie normale si çdo rajon evropian.

Kukësi i jep vendit 600 MW energji elektrike/orë (nga këto rreth 80 MW hidrocentralet lokale private apo koncesionare mbi lumenjtë e Kukesit që shteti i konsideron të shtetit); – e barabartë me 432 milionë euro në vit.

Rezervat e kromit (të zbuluar), vetëm në Kalimash, Surroj dhe Arrën shkojnë mbi 3 milionë tonë me pastërti deri në 38%, nikel silikat 100 milionë tonë, rezervat e bakrit nga 500 mijë deri në 1 milionë tonë, alumin 1 milionë tonë, rezerva pa fund kuarci, hekur silikat, oliviniti, gurë dekorativë e deri te mineralet kersantit, ortofir apo uranium etj.

Pra, Kukësi i jep shtetit kaq shumë të ardhuna, ia jep vendit këtë sakrificë. Kush pasunohet? Shpërngulja nga vendbanimet për ti lanë vend liqenit të Fierzës kurrë nuk mund të kompensohet me pagesë si fatura e një malli të zakonshëm, por vetëm me rentën e ligjshme sipas legjislacionit evropian. Asht thanë shpesh se familjeve të përmbytuna u asht pague shpia, toka në pronësi e prralla të tilla. Por, jo, toka tashma e përmbytun ka qenë nji burim i gjithmonshëm fitimi e jetese bashkë me lumenjtë që e kanë ushqye zonën – pellgun e Kukësit, bashkë me krejt fushat dhe luginat e freskëta. Mijëra vite njerëzit kanë jetue këtu pikërisht duke u mbështetë në këto burime jetdhanëse të cilat shteti i ktheu në burime drite, por duke vra të ardhmen e komunitetit përgjithnji.

Login to post comments