Ato duar që ngritën sot kartonin për të shembur Teatrin Kombëtar e për t’i kaluar qindra milionë euro në llogarinë e kompanisë Fusha nuk kanë prekur libër, madje, madje libri i fundit që mund të kenë lexuar do ketë qenë abetarja. Ato duar që kartonat i kthyen në kazma s’kanë shkelur kurrë në Teatër. Por, ky është një debat kulturor që kërkon një tjetër finesë e rreshta më të arnuar. Megjithatë, na shërben si pikënisje për t’i dhënë një llogjikë dhe një shënjestër debatit politik në vend.
Ligji i parë i Njutonit thotë se çdo veprim shoqërohet me kundërveprim, çdo forcë me kundërforcë. Tani, Edi Rama e bëri veprimin e tij dhe shkriu në votimin parlamentar tërë qenien e tij destruktive. Nëse do të lexohet veprimtaria e fundit e Kuvendit, do të shikohet se po i ngjason Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit (KKRT) duke miratuar thjesht koncesione për shembje. Deputetët e Ramës nuk kanë asnjë dallim nga punëtorët e Fushës, por i mungon thjesht ajo diviza fosforeshten e punëtorit.
Shembja e teatrit nuk na tregon rruspat që do të vijnë, por zgjatimin e qeverisjes Rama përtej konturit kushtetues, ligjor dhe demokracisë. Vija është kaluar, nga vetë kryeministri. Tanimë ringu është zhvendosur. Parlamenti është godinë e Fusha shpk, qeveria një karabinë koncesionare dhe lufta ndaj qeverisë duhet çuar atje ku ka shkuar Rama; tek shembja. Kjo nënkupton se ringu mes qeverisë dhe opozitës është zhvendosur jashtë sistemit dhe cka shohim si institucione apo reforma, përfshirë vettingu, janë iluzione për të mbajtur nën sedativë ndërkombëtarët, se shqiptarët e kanë kuptuar. Duhet shkuar përtej dhe Rama po na i sugjeron vet antidotin e helmit të tij: shembjen.