Reagimi i ambasadës amerikane përmes Zërit të Amerikës(pra dyfish amerikane si për të treguar se ka ardhur shigjetë nga DASH) për situatën e krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për Çështjen Shullazi i jep një shpresë sistemit të drejtësisë. “Populli shqiptar meriton një sistem drejtësie ku policia dhe prokurorët qëndrojnë së bashku kundër kriminelëve”, thuhet në deklaratë duke shtuar “mbështesim prokurorët e guximshëm që kërkojnë drejtësi, edhe kur ka rreziqe”.
Kushdo që ka një fije intuitë e kupton se çka bluhet tek çështja Shullazi është i njëjti skenar dhe e njëjta dorë që nxori të lirë Ermal Hoxhën e Fabrikës së Kokainës të Xibrakës. Pra, nga Fabrika e Xibrakës, tek hashashi, Tahiri dhe Shullazët nuk ka dallim, apo histori ndryshe, por këta janë thjesht nyjet e rrjetës së tjerrur nga Edi Rama. Lirimi i Ermali Hoxhës çoi tek shokët e burgosur të Edi Ramës sinjalin se kryeministri s’i ka braktisur e as tradhtuar. Për të mos thënë se ky qe qëllimi i lirimit të nipit të diktatorit të kapur kallup në fuçinë e kokainës.
Pas një sërë disfatash të Edi Ramës në demaskimin dhe burgosjen me porosi të ndërkombëtarëve që ju bë aradhes kriminale të tij, tanimë prej tij ka filluar kundërsulmi. Kllapia e Edi Ramës në lirimin e “çunave” të tij ka emrin Arta Marku, e cila që me kontrabandimin e saj në Kryeprokurori, asaj nuk i dëgjohet asnjë fjalë për Shullazin. Shkartisja që iu bëri prokurorëve për gjoja shkelje të ligjit dhe shpërdorim detyrë janë thjesht zhurmat e para të shkëputjes së prangave që po u bëhet kriminelëve të Ramës. Ndonëse çështja Shullazi e Tahirit dhe e të tjerëve duhet të ishte prioriteti numër 1 i një kryeprokurore të mbarsur nga reforma në drejtësi, Arta Marku tregon qëllimisht shpërfillje, madje distancim duke “shkishëruar” disa prokurorë.
Por, në Shqipëri ka dhe një drejtësi, që për shqiptarët është e përafërt me atë hyjnoren, dhe kjo është SHBA-ja. Reagimi i ambasadës amerikane është reagimi i munguar i Arta Markut dhe po i tregon kësaj qeverie se kriminelët e Shqipërisë janë kthyer në çështje amerikane. Është pikërisht ky juridiksioni që fal Zotit s’mund ta shkelë Rama duke veshur takat e Arta Markut.