Denoncimi nga Partia Demokratike, me emra, me shifra dhe me kompani të përfituesve të koncesioneve përbën demaskimi e gjithë korrupsionit që fshihet pas kravatës larushe të Ramës. Por, debati i koncesioneve nxori në pah edhe një koncesion tjetër, të një grushti gazetarësh e analistësh. Kështu, fill pas denoncimit pati reagime që akuzonin Partinë Demokratike se kinse po sulmon sipërmarrësit e vendit.
Është për të qeshur e për të qarë kur sheh sesi këtë çifçinj kalemi e muhabeti kafenesh, edhe pse atyre dhe gjithë ne shqiptarëve po na vidhet jo vetëm e tashmja, por dhe 99 vite në të ardhmen, kërkojnë ta veshin me pafajësinë e sipërmarrësit të lirë personat që Ministrinë e Financave e kanë si zyrë noterie. Po kush janë këta sipërmarrës të lirë? Në atë listë të zezë dilte emri i Endri Meksin alias Olsi Ramës. Pra, sipërmarrësi që ka fituar është Olsi Rama dhe paratë ja ka dhënë Edi Rama, i vëllai. Praktikisht, shteti këtu ka rënë. Koncesioni i është bërë kryeministrit si para xhepi, i hedh paratë e shqiptarëve si n’dasëm.
Por, Olsi Rama, ashtu siç merr emrin Endri Meksi, merr edhe emrin p.sh Klodian Zoto. 178 milionë euro janë dhënë kompanisë së këtij të fundit, i shquar si ortaku i Arben Ahmetajt,. Një kompani pa asnjë eksperiencë në fushën e incenerimit. Në Tiranë 128, në Elbasan dhe në Fier në total prej 178 milionë eurosh. Pa asnjë eksperiencë, kompani of-shore, kompani e krijuar enkas për këtë shërbim, kompani e cila nuk ka zhvilluar asnjëherë asnjë biznes tjetër. Klodian Zotka pasur vetëm një punë në jetën e tij, në kompaninë Hermes i lidhur me ministrin Arben Ahmetaj. Pasi merret koncesioni kompania shet kuotat për 200 mijë lekë tek një kompani tjetër. Në cilin vend të botës një koncesion prej 178 milionë eurosh shet kuotat e aksionit prej 200 mijë lekësh?
Po, prit se ka akoma “sipërmarrës”, që këta çifçinj mund t’i krahasojnë edhe me Steve Jobs apo Bill Gates. Kompania e Ilir Beqjës, i certifikuar edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese si hajdut duke i revokuar kështu mandatin,bën pjesën tek këta sipërmarrës.
Pra, 2.2 miliardë dollarë të vjedhura në dy vjet. 88 milionë dollarë tendera u ka dhënë Edi Rama 11 miqve, ndërtuesve të vilave dhe bashkëpunëtorëve të tij ndërkohë që 91.6 milionë dollarë janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks.
Por, lajmi kryesor në tërë këtë është pikërisht e kundërta e asaj çka propagandohet. Lista dëshmoi rënien e sipërmarrjes së sinqertë të vendit dhe në themel përbën zëvendësimin e sistemit kapitalist, ku konkurrohet dhe pastaj fitohet, me rendin oligarkik, fotokopjen e sistemit rus.