Politika nuk ndihmon, por pengon liberalizimin e vizave

E Enjte, 27 September 2018 09:54

Nga Agustin Palokaj

Pasi formalisht Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim vizash, Komisioni Evropian e ka verifikuar këtë, Parlamenti Evropian i ka dhënë mbështetje, çështja është bartur tek shtetet anëtare, ku vendoset në bazë të qëndrimeve politike. Debati i parë, që është zhvilluar në nivel të grupit punues, ka dëshmuar se nuk ka vullnet politik që kosovarëve t’u hiqen vizat së shpejti. Politika ka qenë arsyeja pse vizat nuk janë hequr edhe më parë, ndërsa tash politika në vend që të ndihmojë, mund ta pengojë arritjen e fundit të suksesshëm të këtij procesi.
Sikur të mos ishte përzier politika, kosovarët qëmoti do të kishin liberalizimin e vizave. Në fakt ky proces nuk është dashur asnjëherë të ishte proces politik. Por duke pasur parasysh ndikimin e madh që ka liberalizimi në perceptimet e qytetarëve, atëherë politikanët as në BE, e as në Kosovë nuk kanë mundur t’i rezistojnë sfidës që ta politizojnë këtë proces.
Së pari procesi është politizuar kur është përmendur lidhja e tij me dialogun, që kishte nisur në Bruksel para tashmë shtatë vjetësh. Thuhej se Kosovës nuk duhet hequr vizat shpejt, sepse këtë duhet BE-ja ta ruajë si një shpërblim për kompromiset në dialog me Serbinë. Liberalizimin e vizave, si pjesë të “paketës së shpërblimeve” e përmendte edhe Edita Tahiri, si shefja e parë e ekipit negociator të Kosovës në dialog. Në BE, në qarqet politike, e kishin të qartë se përderisa Serbisë për dialog do t’i hapet rruga e negociatave të anëtarësimit, Kosovës nuk do të kishin çfarë t’i jepnin dhe prandaj duhej mbajtur hapur mundësinë e liberalizimit të vizave. Kjo u konvenonte edhe politikanëve të Kosovës, sepse gjithmonë mund ta përdornin si argument kundër atyre që ishin kritikë ndaj kompromiseve të dhimbshme në dialog që vënin në pikëpyetje edhe shtetësinë e Kosovës. Nëse ata kritikonin dialogun, u përgjigjeshin me sulme se “me këtë duan t’i mbajnë të bllokuar qytetarët e Kosovës”. Me këtë argument u shit edhe ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Pastaj, politizimi ndodhi nga politikanët e Kosovës që donin të përfitonin nga rasti dhe të merrnin meritat për heqjen e vizave, duke u “garantuar” qytetarëve se kjo do të ndodhë “së shpejti”. Fjala “së shpejti” vazhdon të përdoret përsëri në këtë proces nga politikanët ani pse Kosova ka mbetur e vetme pa liberalizim vizash, ndërsa shtetet e tjera të rajonit tashmë kanë harruar se kur janë hequr vizat.
Liberalizimi i vizave për Kosovën është politizuar edhe me politizimin e gjyqësorit dhe organeve të drejtësisë në Kosovë. Lidhjet e prokurorisë dhe gjykatave me strukturat politike kanë mbajtur këtë proces pengë dhe në këtë mënyrë u kanë dhënë argumente atyre në BE që kanë dashur të vonojnë procesin që edhe ta bëjnë një gjë të tillë.
Politizim po i bëhet tash këtij procesi edhe kur vërtet ka hyrë në fazën përfundimtare nga politikanët e vendeve të Bashkimit Evropian. Ndonëse fjala është për një shtet relativisht të vogël, i cili ka dëshmuar sukses në riatdhesimin e azilkërkuesve të rrejshëm që u është refuzuar strehimi politik në BE, ka politikanë të lartë evropianë që përdorin atmosferën negative në opinionin e tyre publik që të ngadalësojnë apo edhe kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo lidhet ose me zgjedhjet e ardhshme evropiane, që zhvillohen prej 23 deri 26 maj të vitit që vjen ose, si në rastin e Francës, shqetësimin me numrin e madh të azilkërkuesve nga vendet që tashmë kanë liberalizim vizash, më së shumti nga Shqipëria. Dhe politikisht për Francën është më lehtë të mos pranojë heqjen e vizave për Kosovën sesa kthimin e vizave për Shqipërinë.
Pasi formalisht Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim vizash, Komisioni Evropian e ka verifikuar këtë, Parlamenti Evropian i ka dhënë mbështetje, çështja është bartur tek shtetet anëtare, ku vendoset në bazë të qëndrimeve politike. Debati i parë, që është zhvilluar në nivel të grupit punues, ka dëshmuar se nuk ka vullnet politik që kosovarëve t’u hiqen vizat së shpejti. Politika ka qenë arsyeja pse vizat nuk janë hequr edhe më parë, ndërsa tash politika në vend që të ndihmojë, mund ta pengojë arritjen e fundit të suksesshëm të këtij procesi.
Sipas disa burimeve diplomatike në Bruksel, nëse gjykohet nga diskutimi i parë mes shteteve anëtare që u zhvillua në grupin përkatës punues në Këshill, është shumë i vogël numri i atyre shteteve që në këtë moment janë të gatshme të votojnë heqjen e vizave për Kosovën. Dhe ato shtete nuk kanë ndonjë ndikim të madh. Në anën tjetër thuhet se janë shtetet e fuqishme si Franca dhe Holanda që janë kundër. Ndërsa edhe Gjermania, ndonëse formalisht, nuk ka shprehur ndonjë qëndrim, thuhet se mendon se raporti i Komisionit ka qenë i nxituar.
Pra atë që ne e konsiderojmë si shumë të vonuar, dhe vërtet ka qenë i tille, konfirmimi i përmbushjes së kushteve nga ana e Kosovës nga vendet kryesore të BE-së po quhet “nxitim”. Ky mund të jetë një paralajmërim i ri se deri tek heqja e vizave qytetarët e Kosovës do të mundë të presin më gjatë sesa që mendojnë në këtë moment.
Euforia me raportin pozitiv në Komisionin Evropian dhe me votimin në Parlament, ndonëse janë hapa të rëndësishëm, nuk është e bazuar nëse nuk krijohet mbështetja e madhe nga shtetet anëtare. Dhe këtu duket se nuk janë problem vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por më shumë ato vende që janë mbështetëse të Kosovës.
Kur një proces politizohet, atëherë mund të ndodhë që me vendime politike të ketë kthesa të papritura. Një kthesë e tillë do të ishte sikur deri në fund të këtij viti do të hiqeshin vizat, ashtu siç vazhdojnë të “premtojnë” dhe “garantojnë” politikanët e Kosovës. Por mund të ndodhë që, për shkaqe politike, procesi të vonohet së paku deri në verën e vitit që vjen. Sepse kur për interesa politike kërkohen arsyetime për të penguar apo vonuar një proces, siç është ai i liberalizimit të vizave për Kosovën, atëherë edhe gjinden ato arsyetime. Kjo është arsyeja pse kosovarët, qytetarët dhe institucionet politike duhet ta kenë të qartë se procesi i liberalizimit të vizave nuk ka përfunduar, por ka hyrë në një fazë të re, e cila edhe pse është fazë finale ende mund të zgjasë për një kohë të pacaktuar.

Login to post comments