Nga Valbona Mehmeti
Mbishkrimi në pllakën e ndryshkur prej llamarine ngjitur në një shtyllë elektrike është gjurma e vetme përreth liqenit që dëshmon se njëherë e një kohë këtë zonë e kanë menaxhuar autoritetet kosovare, shqiptarë e serbë së bashku.
“Repsisht ndalohet larja dhe peshkimi në afer. pendës 500 m - Strogo zabranjeno kupanje i pecanje blizu brane 500 m”, shkruan aty së pari në shqip e më pas në serbisht. Shkronjat vështirë lexohen, sepse i ka gërryer pesha e kohës. Me gjithë gabimet drejtshkrimore në shqip, mbishkrimi ka mbetur dëshmi e para më shumë se tri dekadave, kur edhe në veri të Kosovës respektohej gjuha shqipe si gjuhë e parë zyrtare.
Nëpër dyqanet e firmat e pakta të fshatrave përreth liqenit, që banohen vetëm nga serbët, tani janë të shkruara vetëm serbisht dhe në alfabetin cirilik. Flamujt serbë valojnë nëpër shtyllat elektrike përgjatë rrugës që çon tek liqeni më i madh artificial i Kosovës, i ndërtuar në fund të viteve ‘70.
I rrethuar nga kodra të gjelbëruara, në luginat e të cilave pushon uji me ngjyrë të gjelbër të errët e pastërti të veçantë, liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, kurse shqiptarët Ujman, është kthyer në çështjen kyç të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.
Në numrin e 5 korrikut 2015, “E diela me Kohën Ditore” e pati trajtuar çështjen e Ujmanit dhe pati sensibilizuar për rrezikun që i kanoset Kosovës nëse pranon ta fusë në agjendën e negociatave me Serbinë.
Derisa atëherë shprehej droja se për shkak se po u hynin negociatave të papërgatitur politikanët kosovarë mund të rrëshqasin në bisedime me Serbinë se si të qeverisin bashkë Ujmanin, tre vjet pas, kryenegociatori i vetemëruar, presidenti Thaçi, ka shkuar “përtej Ujmanit”. Po propagandon ndryshim kufijsh e shkëmbim territoresh, synime të cilat po qe se realizohen rrezikojnë edhe humbjen fizike të resursit jetik për Kosovën.
Kosova e ka ndërtuar hidrosistemin e Ujmanit me forcat e veta dhe me kredinë nga Banka Botërore, të cilën e ka paguar deri në suprimim të autonomisë së saj nga Serbia. Për njëzet vjet të pasluftës institucionet kosovare nuk kanë bërë as më të voglën përpjekje që ta marrin nën menaxhim asetin e vet strategjik. Megjithëse punëtorët serbë që kontrollojnë nga veriu rrjedhjen e ujit të Ujmanit në pjesën jugore të Kosovës paguhen nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc”, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për të investuar ose për ta marrë nën menaxhim direkt pasurinë e vet shtetërore që ndodhet në afërsi të Zubin-Potokut.
Hartuesit dhe zbatuesit e projektit më të madh që Kosova ka realizuar ndonjëherë pohojnë se Serbia nuk ka asnjë të drejtë pronësie mbi Ujmanin.
Por shteti fqinj, që ka në dispozicion vetëm 30 për qind të territorit të liqenit dhe mban nën kontroll veriun e Kosovës, nuk ka hequr dorë asnjëherë nga synimi për ta marrë kontrollin e plotë mbi Ujmanin. Që nga viti 2002 ka filluar investimet duke themeluar ndërmarrjen publike në Zubin-Potok dhe duke bërë investime në monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së ujit të Ujmanit. Po ashtu ka ndarë miliona euro për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit Zveçan-Mitrovicë-Zubin Potok-Ujman, në mënyrë që ta shkëpusin nga sistemi i Kosovës dhe ta shfrytëzojnë vetë Ujmanin. Ndërkohë institucionet qendrore të Kosovës kanë ndenjur duarkryq dhe kanë bërë sehir angazhimet serbe.
Tani, kur Serbisë po i duhet që të bisedojë me Kosovën vetëm sa për të realizuar interesat e veta për integrim në BE, rreziku për humbjen e Ujmanit është shtuar. Liderët serbë kanë intensifikuar deklaratat për “hisen” e Serbisë në Ujman, madje duke propaganduar në media edhe një lloj trashëgimie serbe “të mbytur” nga ndërtimi i Liqenit. Ujmani për Serbinë nuk paraqet aset ekzistencial, ndërsa për Kosovën është damari kryesor i furnizimit me ujë të pijes dhe faktor i pazëvendësueshëm për zhvillim ekonomik.
Marrja e Ujmanit nën kontroll nga Serbia qoftë territorialisht, qoftë vetëm nën menaxhim nëpërmjet Asociacionit të komunave serbe, do ta fuste Kosovën në rrezik të përhershëm të mbetjes pa burimin kryesor të jetesës. Në raport me Kosovën, Serbia deri tani nuk i ka përfillur fort traktatet ndërkombëtare, që të shpresohet se do të përfillë traktatet për ujërat që ndalojnë keqpërdorimin e burimeve ujore ndërmjet shteteve.
Bizneset dhe fermerët, të cilët e shfrytëzojnë hidrosistemin Ibër-Lepenc, që nëpërmjet kanaleve nëntokësore shpërndan ujin e Ujmanit, thonë se pa Ujmanin nuk mund të ketë as bujqësi, as zhvillim ekonomik. Ata vazhdojnë të punojnë me frikën dhe dilemën e përhershme se çfarë do të ndodhë me bizneset e tyre dhe kulturat bujqësore në rast se Kosova ia fal Serbisë si territor ose pranon të bashkëqeverisë Ujmanin me Serbinë. Ata e kanë provuar se si serbët mund të bëjnë lojëra me ujin nëse do të kishin kontrollin e plotë. Rrëfejnë se sa herë ka tensionime politike, menaxhuesit serbë në veri ua ndalin ose ua pakësojnë rrjedhën e ujit duke dhënë arsyetime banale. Nëse realizohen këto që po thonë politikanët tanë për shkëmbim territori, neve nuk na mbetet tjetër pos t’i mbledhim plaçkat dhe të ikim nga Kosova, thonë ata.
Fajin për lënien pas dore të Ujmanit e kanë të gjitha partitë dhe liderët që udhëhoqën Kosovën për dy dekada. Por fajin më të madh e ka bajraktari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili me deklarimet dhe lobimin që po bën për korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh me Serbinë po e mban në tavolinë negociatash edhe çështjen e Ujmanit.
Pasuria më e madhe e shtetit nuk mbrohet me deklaratat “nuk do të bisedojmë kurrë me Serbinë për Ujmanin” dhe “Ujmani i takon Kosovës”. Se Ujmani i takon Kosovës e dinë të gjithë qytetarët e saj. Por si do të mbrohet resursi jetik i tyre, këtë përgjigje duhet t’ua japë kryenegociatori që për mbijetesën e vet politike e ka futur shtetin në qorrsokak që mund t’i kushtojë me gjymtim territori e humbje pasurish kombëtare. Nëse nuk ka përgjigje duhet sa më shpejt ta ndalë lojën me nervat, fatin dhe të ardhmen e rreth dy milionë njerëzve . Dhe të mos e njollos edhe më shumë historinë më të re të Kosovës.