Nga Qemal SAKAJEVA
Ideologët politikë serbë qenë përpjekur të krijonin dy lloje shqiptarësh: popullsinë në Shqipëri e thërrasin Allbanci, në Kosovë i quajnë shiptari, ndërsa në mënyrë fyese u thonë shiftari.
Ideologët e Kosovës kurrë nuk u përpoqën të krijonin dy lloje serbësh. Ata i kanë cilësuar pushtues e kolonizatorë - siç ishin - por u thërrasin në mënyrë korrekte: serbë, ose serbianë.
Së voni po mëtohet të krijohen dy lloje serbësh të Kosovës. Nuk është habi që, politika në Beograd e mbështet fuqishëm zyrtarizimin e këtij dallimi. Shkak është bërë strategjia kundër territorit të Kosovës, përmes “korrigjimit të kufirit”, sipas përcaktimit që përdor Presidenti Hashim Thaçi, dhe eufemizmit të Presidentit Aleksandër Vuçiç, se nuk mund të pranohet që Kosova t’i marrë të gjitha dhe Serbia asgjë.
Të dy presidentët, në të njëjtën kohë dhe me një gojë, mundën ta trazonin botën shqiptare, shoqërinë serbe, mbarë kontinentin e përtej, me idenë se e kanë gjetur zgjidhjen. Mirëpo pas stuhisë, retë janë përçarë disi, po shfaqen shenja ndryshe e thuhen edhe deklarata të tjera.
Presidenti Aleksandër Vuçiç deklaroi edhe në Moskë, për televizionin rus Russia Today: ideja ime dështoi, sepse nuk e duan as serbët, as shqiptarët, as ndërkombëtarët.
Presidenti Hashim Thaçi, në mbrojtje të korrigjimit, që e ka shpallur ide të tij, hyri në polemikë të ashpër me kryeministrin e Kosovës, për të përcjellë se nuk e pranon dështimin: “korrigjimi i kufirit” është diçka reale për zgjidhjen, po të kundërshtohet, do të korrigjohet edhe kryeministri.
Kryeministri Ramush Haradinaj është përgjigjur duke paralajmëruar siguri, se “korrigjimi i kufijve” ka vdekur, dhe se “Një herë ka ndodhur, është ngjallur Krishti, po çështja e korrigjimit të kufijve, e shkëmbimit të territoreve, ka vdekur”.
Mirëpo secili e shqipton të vërtetën sipas tij:
E para, në bazë të rasteve të panumërta gjatë historisë, Haradinaj thotë se korrigjimi i kufirit bëhet me luftë; Hashim Thaçi frikëson duke thënë se, po nuk u nënshkrua marrëveshja Serbi-Kosovë, do të ketë luftë; Aleksandër Vuçiç kërcënon se serbët e Kosovës do të mbrohen me luftë.
E dyta, kjo ide ende nuk ka dështuar.
E treta, kjo ide ende nuk ka vdekur.
E katërta, askush nuk sheh kortezh duke e përcjellë këtë “korrigjimin” për në varrezë.
E pesta, e vërteta e fshehur është se, “ korrigjimi i kufirit” po synohet të vihet në letargji (gjumë), për t’u zgjuar në minutin e duhur. Në ndërkohë, korrigjimi ka marrë trajtat e temës me variacion: gjatë retorikës përplasëse, kuptimi fillestar është zgjeruar edhe për korrigjim të dialogut, për korrigjim të presidentit, për korrigjim të kryeministrit, dhe për korrigjim të pushtetit.
Serbët në Kosovë janë numerikisht një pakicë tipike për t’u emërtuar pakicë mjaft e vogël. Sipas Zyrës së Kryeministrit - Zyra për Çështje të Komuniteteve - pakica serbe në Kosovë numëron afërsisht 114 000 banorë, rreth 30 000 e tyre jetojnë në veri. Po të vështrosh listën e objekteve të kultit të përfshira në zonën e mbrojtur, pakica serbe gjendet e shpërndarë gjithandej përreth kishave dhe manastireve, dhe kjo e bën të pamundur idenë e ndarjes apo korrigjimit të kufirit.
Serbët e kishave janë të vlefshëm vetëm duke qëndruar atje ku janë, duke mos e braktisur Kosovën, madje Beogradi u bën thirrje që t’i shtojnë lindjet, se po pakësohen, dhe sipas Patriarkut Irinej, të presin si hebrenjtë, deri kur Serbia të kthehet përsëri aty, qoftë edhe pas 2000 vjetëve.
Serbët e korrigjimit janë të vlefshëm vetëm duke iu bashkuar hartës së Serbisë, proces i interpretuar si çelës për t’i hapur dyert e BE me marrëveshjen Serbi - Kosovë, dhe 30 000 banorë marrin me vete pasuri gjigante: të paktën rreth 1003 kilometra katrorë sipërfaqe të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, zhvasin minierën e Trepçës dhe bëhen zotërues të gjithë ujit të liqenit jetik të Ujmanit.
Po t’i dëgjosh të dy presidentët kur shtjellojnë idenë e përbashkët, vëren se atyre “u është ngjitur gripi i zyrtarëve të Bashkimit Europian” - i përdorimit të gjuhës së kriptuar - enkas për të mos u kuptuar nga bashkëvendasit, dhe për t’u lexuar në mënyra të ndryshme nga palët. Vuçiç asnjëherë nuk ka thënë se do të jepet Lugina, por thekson që, pa i marrë Kosovës, nuk mund të ketë marrëveshje. Hashim Thaçi asnjëherë nuk thotë se jepet veriu, por përsërit që Lugina i kthehet Kosovës.
Beogradi bën politikë kolonialiste e pushtuese me pakicën serbe, duke i përdorur sipas vendndodhjes: pjesa më e madhe rri te kishat dhe manastiret, pjesa më e vogël merr pasuritë e mëdha për t’ia dhuruar Serbisë! Prishtina nuk mund të përfshihet në këtë kategorizim serbësh, por e ka për detyrë të ndalojë copëtimin e vendit. Askund nuk mund të ndeshet një rast si i Serbisë, e cila është gati të zvogëloj pakicën në mënyrë drastike për hir të qëllimit. Shqiptarët - mbase përveç Thaçit - e dinë se Serbia shkon deri në gjymtimin e pakicës së saj, vetëm për t’a sakatuar Kosovën në pasuri që nuk duhet të jepen kurrë.