‘Shpellarët’ fisnike kundër barbarëve?

Tuesday, 13 November 2018 18:35

Nga Oerd Bylykbashi - 18:03, 13/11/2018

Prishja e shtëpive të banorëve të Unazës së Madhe është antikushtetuese, jo thjesht e paligjshme dhe sigurisht e padrejtë!‎

‎Jo thjeshtë sepse neni 41 i Kushtetutës garanton pronën private. Jo thjeshte sepse neni 41 kufizon shpronësimin vetëm kur ka një interes publik. Të identifikosh një interes publik që cënon qindra të drejta themelore të veçanta nuk është gjë e lehtë, nuk mund të jetë thjeshtë një tekë për një projekt zhvillimi qoftë edhe gjoja në interes ‎të publikut.

‎Nuk po shpronësohen thjesht prona private, fjala vjen dyqan apo oborr, truall a diçka tjetër. Po shpronësohen shtëpi banimi.

‎Kushtetuta në nenin 59 i vendos shtetit si objektiv kushtetues "plotësimin e nevojave për strehim" të shtetasve. E vërtetë që nuk është detyrim, por ‎mbetet një objektiv që detyron shtetin që nëse nuk ua plotëson të drejtën për strehim, së paku të mos ua prishë çatinë që shtetasit kanë ndërtuar vetë me paratë e tyre mbi kokë.

‎Neni 41 i Kushtetutës‎ detyron shtetin që kur ta shpronësojë një pronë, t'i japë pronarit shpërblimin e drejtë. Por i vetmi shpërblim i drejtë për një shtëpi të shpronësuar është një shtëpi tjetër. Asgjë më pak. Shteti nuk mund t'u japë thjeshtë ca para dhe të thotë "u lamë bashkë" sepse po u merr dy të drejta kushtetuese, pronën dhe mbi të gjitha banesën e familjes.‎

‎Shtëpia është prona më e rëndësishme private e një familjeje. Është më shumë se pronë, është shtëpia ku mblidhet familja, ku ndjehet familje dhe e sigurt, qoftë edhe nga shteti i cili nuk ia shkel dot pragun e shtëpisë pa urdhër të gjykatës.

‎Një grusht parash që u jep shteti, që nuk mundësojnë pasjen e menjëhershme të një shtëpie, nuk janë shpërblim i drejtë. Ndaj shteti duhet tu gjejë shtëpi përpara se t'u marre shtëpitë. ‎Është antikushtetuese dhe e padrejte qoftë edhe t'i lësh rrugëve derisa t'u gjesh shtëpinë. Ndaj revolta e tyre është legjitime. Po u tërhoqën sot, humbasin të drejtën e tyre përfundimisht.

Nëse shteti nuk ua plotësoi nevojën për strehim siç thotë kushtetuta, sëpaku nuk mund t'ua heqë atë që kanë arritur vetë. Nuk mund t'ua heqë qoftë edhe me premtime për shtëpi në të ardhmen. As qeraja e paguar nga shteti përkohësisht nuk zëvendëson pronën-shtëpi të marrë padrejtësisht.

‎Do të dalin sharlatanë e të thonë që i kanë shtëpi pa leje. Por për këtë ka dalë një ligj, u ka krijuar një të drejtë për legalizim, pra një "pritshmëri të ligjeshme" që është parim kushtetues‎ dhe ka të bëjë me seriozitetin e shtetit që funksionon e bazohet në ligj të drejtë. Edhe nëse ka një plan urbanistik të miratuar, nëse plani është miratuar pas ndërtimit të shtëpive, së pari u lind banorëve e drejta e legalizimit dhe më pas e shpronësimit të drejtë. Me pas vjen e drejta e shtetit të zbatoje planin.

‎Nuk është  çështja se sa e kopsitur është prishja e shtëpisë-pronë, me letra e vendime të ‎mbushura shpejt e shpejt sa për të qenë në rregull me letrat. Është e PADREJTË dhe pikë! Por shteti nuk mund të sillet si i padrejtë në një vend ku sundon shteti i së drejtës! Por sot nuk ka më dilema që shteti i së drejtës, edhe nëse ka qenë i paplotë, ka vdekur nën këmbët e Edi Ramës.

E drejta kushtetuese individuale dhe familjare për strehim është muri ku duhet të thyhet dhe të tërhiqet pas ‎interesi publik. Pa zgjidhur më parë shteti strehimin e drejtë të këtyre banorëve, interesi publik duhet të ndalet. Në të kundërt, rikthehet "interesi publik" i 1945 kur pronarët u flakën nga banesat nga komunistët që zbritën nga mali dhe nuk njihnin ligjet, sepse kështu e kërkonte publiku sipas tyre. Në emër të po atij interesi shumë u vranë edhe pa gjyq nga komunistët që trashëgohen me krenari nga këta që sot janë në qeveri.

‎Edi Rama e ka të huaj konceptin e Kushtetutës dhe ligjit që mbrojnë të drejtën individuale përkundër "popullit", "publikut" apo "shtetit‎". Ai është një barbar i ligjit. Por po aq pa strukturë, si marmalate fiku, e ka konceptin e ligjit edhe Erion Veliaj. Dhe sado t'i stigmatizoje qytetarët e bashkisë së tij që po protestojnë për shtëpitë e tyre si "shpellarë", kjo nuk ia mpiks konceptin e tij për shtetin, por e bën po aq barbar sa Edi Rama. Mbetet një toksinë që helmon interesin publik që përbëhet nga qindra e mijëra të drejta individuale që po shkelen.

‎Po fundja termi "shpellar" është fisnik në këtë diskutim. Shpella ishte shtëpia dhe mbrojtja e njerëzve përballë barbarëve që vrisnin, plaçkisnin dhe shkatërronin çdo gjë.

‎Ndaj këta "shpellarët" pleq, burra gra e fëmijë që sot protestojnë për të drejtën që barbarët e pushtetit qendror dhe lokal, Edi Rama dhe Erion Veliaj, të mos ‎u prishin shtëpitë, kanë po aq të drejtë të reagojnë sa kuksianët, të cilëve ua penguan të hyjnë në shtëpinë e tyre.

Login to post comments