Sot lëvizja e studentëve është destinacioni i të nesërmes për të gjithë

E mërkurë, 05 December 2018 14:47

Nga Bujar Nishani

Sot studentët në Tiranë ndezën sinjalin e asaj që ishte tulatur, rrudhur e po asgjesohej totalisht çdo ditë në Shqipëri, SHPRESEN !

Në fakt, atë nuk mund ta bëj dot më mirë askush se sa studentët, dmth rinia, ajo që meriton dhe ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për Shpresën.

Shpresa e çdo qytetari në këtë vend u nëpërkëmb, u tall, u fye, u injorua, u përçmua, u tret e po çohej drej zhdukjes me shumë forma e metoda, por mbi të gjitha përmes varfërimit, dhunës psikologjike, shpirtërore e fizike që sjell varfërimi.

Pafytyrësia e tejskajshme e një grushti njerëzish pa moral, pa integritet, të pa civilizuar mirëfilli, defiçentë në formim intelektual e deri në simbioz me gangsterrizmin e krimin zbatoi me gjakftohtësi parimin mesjetar të varfërimit të asaj që e konsideron si “tufën e deleve”.

“Ti varfërojmë që të mos e ngrenë dot kokën”, ishte modusi shpellar i një grupi të pa nginjurisht me vuajtjen e shqiptarëve.

Makineria për të vjedhur ka degraduar deri në politika armiqësore ndaj shqiptarëve.

Ndaj studentëve, me pagesat më të larta se në vende shumë më të pasura se Shqipëria.

Ndaj të sëmurëve, duke ju hequr deri barnat e rimbursueshme si nevojë kapitale e jetës së tyre.

Ndaj çdo shqiptari, me grabitjen e xhepit familjar përmes çmimeve skandaloze të karburantit me të keq se kudo në botë e më të shtrenjtë se në çdo vend të Europës e rajonit tonë.

Pakësimin e parave në çdo familje përmes tre dhe katërfishimit të lloj lloj taksash, të ashtuquajtura, ndërtese, infrastrukture, pastrimi, ndriçimi, uji, gjelbërimi, etj etj, kur në fakt as infrastrukturë nuk ka, as pastërti, as ndriçim, as gjelbërim, as uj e as gjë normale.

Po ka ! Ka vetëm hajdutë që vjedhin ditën e grabisin natën këdo e pa u nginjur.

Ndaj bisnesit të vogël e të mesëm me taksa dhe ngarkesa të tjera fiskale duke i detyruar të mbyllin atë mundësi të vetme të mbijetesës e të largohen nga Shqipëria.

Ndaj fermerëve në çdo fshat, duke zëvendësuar subvencionet dhe mbrojtjen për fermerin me monopolin për bisneset e disa spekullantëve partiak që fusin në tregun agrobujqësor shqiptar çdo pisllëk nga çdo cep i mundëshëm i jashtëm.

Ndaj zvogëlimit faktik të pagave dhe pensioneve përmes rritjes së çmimeve dhe shërbimeve si rezultat i politikave favorizuese për monopolet e një grupi oligarkësh që praktikisht kanë asgjesuar thelbin dhe sekretin e zhvillimit dhe prosperitetit, KONKURENCEN !

Miliarda lek nga buxheti i shtetit shkojnë për financimin e bisneseve private të disa mashtruesve që vetëquhen “bisnesmenë të mëdhenj”, që në fakt nuk investojnë e xhirojnë kapital privat por prodhojnë pasuri personale me zhvatjen e buxhetit publik.

Paratë që ju merren studentëve, rrogëtarëve, pensionistëve, fermerëve, bisnesit të vogël, cdo qytetari të këtij vendi për gjoja shërbimet që ju ofrohen nuk ju kthehen aspak në të mira të rigjeneruara atyre, por i dhurohen atij grupi të vogël që veç bisnesmenë nuk janë, por thjesht dhe troç, mashtrues të nivelit të Sudes.

Praktikisht me paratë që i merren studentëve, prindërve të tyre, gjyshërve të tyre, është ndërtuar një shpellë e errët tipike mafioze ku thasët e pafundë të milionave të vjedhur nuk ja japin dot shkëlqimin shpirtit të zi të makutërisë.

Sot studentët kanë marrë përsipër misionin që koha ju a imponon ta marrin.

Ata sot, kanë në dorë të rivendosin të drejtën e tyre dhe kontributin reciprok e racional për shërbimit që ata marrin në universitete.

Ata sot, kanë në dorë të ndalin taksimet e padrejta të prindërve dhe familjeve të tyre dhe të rivendosin raportin e drejtë dhe racional të kontributit ndaj shërbimit.

Ata sot, kanë në dorë të ndalin dorën e një hajdutërie të pa parë kurrë më parë në xhepat dhe shtëpitë e familjeve të këtyre studentëve.

Ata sot, kanë në dorë të shpërthejnë dhe shkërmoqin shpellën e të vetmëve shpellarë të vërtetë që janë në këtë vend, hajdutët e tarifave të studentëve, hajdutët e ekonomisë së çdo familjeje të atyre studentëve.

Ata sot, kanë në dorë rikthimin e Shpresës, rikthimin e Dinjitetit, rikthimin e Jetës.

Për veten e tyre në rradhë të parë, por edhe për prindërit dhe familjet e tyre.

Ata sot, janë misioni i Shqipërisë së nesërme !

Për këtë as të mos tërhiqen, as të mos kompleksohen e as të mos intimidohen.

Nga pushtetarët e korruptuar jo e jo, por as edhe nga të dërguarit e atyre që këlithin ; “jo politik”, “jo politik” !

Ata të dërguar janë aty pikërisht për të mbrojtur politikën e hajdutërisë dhe korrupsionit.

Sot, studentët duhet tu bëjnë thirrje pedagogëve që ti bashkohen lëvizjes së tyre. Atyre pedagogëve që nuk janë zhytur e përlyhen në tepsinë e çorbës së hajdutërisë e zhvatjes së pushtetit.

Sot, lëvizja e tyre është destinacioni i të nesërmes për të gjithë !

Modifikuar më E Enjte, 06 December 2018 10:16
Login to post comments