Edmond Bego, njeriu që dikur ka qënë pjesë e ish-bandës së Lushnjës, tashmë rezulton të jetë një biznesmen i sukseshëm në fushën e ndërtimit dhe jo vetëm. Bego ka ngjitur me shpejtësi hapat drejt suksesit, duke pasur kapitale të konsoliduara në tregun e ndërtimit vendas.
Emri i tij del edhe te projekti i “Unazës së madhe”. Juristi i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi tha sot në emisionin “Te Pa ekspozuar” se kompania e Begos Inerte Expres ka bërë projektin e ndërtimit të pallateve në gjurmëne “Unazës” dhe për të shmangur këtë, qeveria ka bërë zhvendosjen e gjurmës që shkakton prishjen e banesave të qytetarëve.
Megjithëse një person me të kaluar kriminale dhe i dënuar nga drejtësia italiane për trafik droge në kuadër të organizatës kriminale, drejtësia shqiptare nuk ka regjistruar një procedim penal për hetimin pasur kundër këtij shtetasi. As prokuroria e Krimeve të Rënda, por as edhe prokuroria e policia e Tiranës, të cilat kanë qënë në dijeni të dënimit nga Italia të Mond Begos, nuk kanë marrë iniciativë për nisjen e një çështjeje për të verifikuar burimin e pasurisë dhe biznesit të këtij personi.
Bizneset në Shqipëri
Si pasojë e suksesit në rritje në qershor të 2018-ës, Edmond Bego, tashmë i arrestuar në Igumenicë të Greqisë, ka themeluar kompaninë e tretë, të quajtur “S.G.B”, objekti i operimit në tregun vendas të kësaj kompanie është: “Transport inerte për vete dhe të tretë, transport të hidrokarbureve, tregti me pakicë bojrave për lyerje dhe shërbime e riparime të apartamenteve e banesave private e shtetërore si dhe rikonstruksioni i tyre.Blerje dhe shitja e automjeteve për vete dhe për të tretë…”.
Sipas verifikimeve që “Shqiptarja.com” ka bërë në ekstraktin e kësaj kompanie, kapitali financiar i saj është 1 milion lekë të vjetra. Por kjo nuk është kompania e vetme që ish-anëtari i bandës së Lushnjës.
Firma e inerteve për beton e gurë
Kompania e tij e parë lidhet me aktivitet ndërtimin, ku ka ngritur një grup të fuqishëm, pasi ka krijuar gurore për nxjerjen e gurëve dhe inerteve. Kompania në fjalë quhet “Inerte Expres” dhe është themeluar nga Bego në 13 shtator 2007, ku objekti i saj është: "…prodhim dhe tregtim të materialeve të ndërtimit, të inerteve dhe betoneve të markave të ndryshme, ndërtime civile dhe industriale, punime gërmimi në tokë, rikonstruksione dhe mirëmbajtje godinash civile e industriale, veshje fasadash, ndërtim rruge, autostrada, mbikalime, hekurudha, tramvai, metro, pista aeroportuale, punime nëntokësore, ura e vepra arti, ujësjellës, gazsjellësa, vajsjellësa, vepra kullimi e vaditje, ndërtime për n/stacionet, kabinat e transformatorëve linja e TN, të mesëm dhe shpërndarjen e energjisë etj…”.
Shoqëria “INERTE EXPRESS” sh.p.k u krijua në shtator të vitit 2007, me seli në Valias Tiranë, ndërsa puna për prodhimin dhe shpërndarjen e inerteve ka nisur në korrik të vitit 2007 dhe ka funksionuar njëkohësisht në tri pika: në Fushë–Mëzez, në Valias dhe në Borizanë të Krujës, ku punohet për nxerrjen e lëndës së parë për prodhimin e inerteve.
Shitja e produkteve të prodhuara në përgjithësi bëhet në bazë të kontratave disavjeçare të lidhura me shoqëri të mëdha të linjave të betonit, si: “Alba-Beton”, “Edil.AL.IT”, “Euro-Beton-2005”, “Romario Sh.p.k”, “AL-GI”, “Alb-Adriatik Sh.p.k”, “Riviera Sh.p.k”, me shoqëri të sipërmarrjeve të punimeve të ndërtimit si “Dhimitër Manxhari sh.p.k”, “Cotoni Center”, “KURTI-07”, “Trebeshina shpk”, “Pavel Construksion”, si dhe klientë të vegjël të pikave të shitjes së inerteve dhe klientë privatë.
Kompania energjetike
“Shqiptarja.com” mëson se, shtatë vite pas themelimit të kësaj kompanie, më 18 qershor 2014, Mondi Bego ka themeluar një kompani tjetër të quajtur “Power Trade Albania”, me objekt prodhim, tregtim, shpërndarje dhe import, eksport të energjisë elektrike. Mirëpo, në rrethana të paqarta, dy vite më pas, kësaj kompanie energjetike, Mondi Bego vendosi që t’i pezullojë aktivitetin e saj dhe një gjë e tillë ka ndodhur në shtator 2016.