Mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Xing me Ermalin” ishte i ftuar kryeministri Edi Rama. Shakatori Edi Rama e urdhëroi shakatorin Ermal Mamaqi që të thoshte se emisioni ishte Live dhe ky i fundit u bind menjëherë.
Që prej daljes së promos së emisionit të Ermal Mamaqit, ku lajmërohej prezenca e Edi Ramës në studio, pati reagime të shumta, që e konsideruan këtë emision, një shpëlarje për kryeministrin dhe një tentativë për ta ndihmuar atë në këto ditë të vështira mes aferave dhe protestave.
Në fakt, ky perceptim u vërtetua mbrëmjen e sotme, kur Rama u shfaq në emision duke prodhuar një alibi se oxhaku 18 mijë euro që u shfaq në ekranet e shqiptarëve, nuk është në fakt i tij por i një miku të kryeministrit.
Por, alibia e oxhakut nuk ishte tentativa e vetme për të shpëlarë Ramën në këtë intervistë. Ajo që sot i duhet më së shumti kryeministrit Edi Rama, është të shpallet i varfër. Që prej ditës kur një student protestues i përmendi atij vilën me katër godina në Surrel, për kryeministrin duket se nuk ka patur paqe.
Për t’i treguar publikut se Rama nuk është një kryeministër që jeton mes luksit të shfrenuar, në emision e Mamaqit, u shfaq një fotografi e një dhome të vogël, të rrëmujshme, dhe të pandriçuar, që të jepte përshtypjen se aty jetonte një njeri me të ardhura mjaft minimale. Sipas Kryeministrit, kjo dhomë modeste, ishte më e madhja në vilën e tij me katër godina në Surrel.
Në emision u shfaq gjithashtu një sipërfaqje ku kishin zënë vend disa vegla pune të kopshtarëve apo punëtorëve që kryejnë punime në shtëpinë e kryeministrit. Për këtë të fundit, Rama deklaroi se pas largimit nga pushteti, do ta përdorë për të bërë art.
Por, a mundet Ermal Mamaqi ta shpëtojë Edi Ramën duke e shpallur atë të varfër në sytë e publikut? Gjasat janë që jo dhe sigurisht ky nuk është faji i Ermal Mamaqit. Ai e ka bërë më së mirë detyrën që i është caktuar. Por, propagandës së Edi Ramës, ka nisur t’i dalë boja me shpejtësi. Ashtu si në rastin e inskenimit të turpshëm të një “dialogu” me studentët në studion e Alban Dudushit, që më pas rezultuan Freshistë, edhe tentative për ta pastruar kryeministrin dhe për ta shaplluar atë të varfër, duket se është një mision i pamundur.
Shakatori Edi Rama, bëri një qasje me diktatorin Enver Hoxha, sa i përket Erion Veliajt, por edhe në këtë aspekt Edi Rama nuk mund të ketë asnjë krahasim me Enver Hoxhës. Diktatori dilte në televizion një herë në tre apo katër vjet, ndërsa shakatori Edi Rama, ka mbirë në çdo studio televizive nga mëngjesi në mbrëmje.
Por ky emision pati një vlerë, përballë Ermal Mamaqit, Edi Rama u përpoq të dukej serioz, duke i dhënë popullit shqiptar 5 këshilla se si duhet jetuar jeta. /TPZ.al.