Qeverisja; me tepsi dhe lugë në brez!

Tuesday, 15 Janar 2019 17:32

Nga Nard Ndoka

Pushteti është vullneti i qytetarëve, çdo katër vite vota e tyre; ndan pushtetin midis mazhoranës për të qeverisur dhe opozitës për të kontrolluar qeverisjen dhe sistemin demokratik.
Mazhoranca vjen me një projektprogram të votuar nga qytetarët, dhe me program të detajuar të votuar nga shumica në Kuvendin e Shqipërisë.
Kur një kryeministër dhe qeveri nuk realizon programin dhe pritshmëritë, ka disa mundësi kontrolli e reagimi; nëpërmjet grupeve të interesit, sindikatave, shoqatave, shoqërisë civile dhe opozitës si institucion.
Kryeministri ka pushtet, por që kontrollohet nga “sensorët”; në rastet konkrete, nga grupet e interesit (naftëtarët në Ballsh, minatorët në Bulqizë, qytetarët në Kukës, të Astirit, Shkozës, studentët, artistët etj).
Kur qeveria tregohet arrogante, kur tejkalon kornizat ligjore, kur mungon transparenca; janë këto “sensore”, që reagojnë fuqishëm.
Në një sistem normal, kryeministri dhe qeveria; reflektojnë, dialogojnë me protestuesit, japin zgjidhje duke vendosur standarde të pranuara nga palët.
Kur kryeministri dhe qeveria nuk reagon, futet në lojë opozita; nëpërmjet konferencave të shtypit, komisioneve parlamentare, kuvendit dhe instrumenteve kontrollues (komisione hetimore, sistemi i drejtesise, Presidenti, Avokati i Shtetit, KLSH etj).
Ka një konfuzion në sistemin tonë në raportet; qytetar-qeveri, qytetar-opozitë, pozitë-opozitë, qeveri-president, qeveri-drejtësi, qeveri-kuvend; pra pushteti ka problem me vetë shtetin.
Reagimet e qytetarëve janë dhe duhet të jenë busull orientuese për qeverisjen dhe opozitën; që pushteti i tyre të përdoret në shërbim të vendit.
Çfarë ndodh në realitet?
Kryeministri përpiqet që të “privatizojë” protestën e qytetarëve (rasti i kuksianëve dhe studentëve), mundohet ti komplesoje, përçarje , sulmojë dhe joshë duke përdorur çdo formë dhe çdo mekanizëm shtetëror (bashki, deputet, polici, prokurori, drejtori, universitete, oligarkë etj).
KM sillet si një padrino me pushtet të pakufizuar për katër vite; me arsyetimin: ”se jam votuar të bëj çfarë të dua për katër vite”.
Si sillet opozita në realitet?
Sulmon vend e pavend qeverisjen, zbulon afera korruptive, por hesht në disa raste, përdor instrumentet parlamentare, por bojkoton pa arsye bindëse kuvendin.
Opozita nuk reagon gjithmonë kur duhet, por edhe futet shpesh herë aty ku nuk duhet, në mes apo në ballë të protestuesve (rasti i kuksianëve, artistëve dhe studentëve). Opozita gabon kur përbaltos këdo që i del përpara, duke quajtur njësoj fajtor; policin dhe ministrin, drejtorin dhe kryeministrin. Opozita përqendrohet shpeshherë në një terren të pjerrët, sa përzihet me pushtetin dhe ish-pushtetin. Opozita më shumë paraqitet si akuzuese, sesa alternative, më shumë si shkatërrimtare, sesa shpresë për të ardhmen.
Si sillet qytetari në raport me qeverisjen në realitet?
Në shumicën e herës; indiferent, mosbesues, servil, frikacak, fanatik e tifoz, duke humbur arsyen dhe mundësitë demokratike për kontroll dhe reagim ndaj padrejtësive me qeverisjen problematike dhe të korruptuar. I inkriminuar në pushtetin e votës; e shet, deformon, manipulon, bojkoton, duke prodhuar një pushtet të pisët që në fillim të herës.

Problemi këtu është kompleks; pra qytetarët që nuk e ushtrojnë drejt votën e tyre, që nuk e kontrollojnë pushtetin e tyre gjatë katër viteve, që nuk organizojnë protesta kudo dhe për çdo fenomen, që nuk thërrasin referendum, që nuk akuzojnë rastet e përditshme korruptive, që politizohen në ekstrem duke u kthyer në tifozë të pushtetit.
Qeveria dhe kryeministri që qeverisin; të sigurtë se për katër vite ato duhet të bëjnë çdo gjë sipas orekseve te tyre të shfrenuara në këtë vend, që e ka emrin Shqipëri, por që kryeministri e ka pagëzuar, si tepsi.
Qeveri pa kontroll; pa gjykatë kushtetuese, pa gjykatë të lartë, me prokuror të përkohshëm, sot pa KLSH, pa opozitë në Kuvend, pa shoqëri civile, pa sidikata, pa ndërkombëtarë, pa demokraci funksionale, pra vetëm me tepsi dhe lugë në brez.
Opozita e pa organizuar; pa shpresë, pa besim, pa alternativë bindëse, bojkotuese, jashtë sistemit.
Qindra e mijëra shqiptarë; humbën shpresën, besimin, ekonominë, të ardhmen, punën, biznesin, kursimet e tyre dhe u larguan nga Shqipëria e tyre; të bindur se rilindja do vazhdojë ti shkatërrojë dhe varfëroje deri në palcë. Për fat të keq edhe opozita kishte humbur besimin për to, dukej e largët dita e ndryshimit. Në këto kushte alternative e vetme ,ishte braktisja e vendit dhe sistemit duke sakrifikuar diku tjetër, duke rrezikuar jetën e fëmijëve të tyre. Çfarë tmerri, çfarë plage, çfarë papërgjegjshmërie, çfarë turpi!
A ka shpresë, se mund të bëhet ky vend?
Studentët i dhanë shpresë të gjithëve; rikthyen shpresën, besimin, motivin për të qëndruar dhe jetuar në këtë vend.
Studentët; turpëruan, gjunjëzuan, kryqëzuan dhe rrëzuan kryeministrin dhe qeverisjen feudale të tij.
Studentët; bënë të “skuqej” opozita, i dhanë leksion, motivim dhe detyra për më tej.
Studentët; “turpëruan” prindërit e tyre që kishin shitur votën, që nuk kishin reaguar për të mbrojtur fëmijët e tyre nga arroganca e KM nga sistemi i tij taksidar dhe i korruptuar.
Studentët; turpëruan studentët e politizuar (fëmijët e politikanëve), pedagogët hajdutë, politikanët në tërësi, sistemin jo funksional).
Studentët; nderuan veten dhe kombin shqiptar, lëvizën sistemin, zgjuan popullin, frikësuan keqbërësit e sistemit.
Ata e fituan betejën e madhe të tyre, tashmë Shqipëria është dhe do të jetë ndryshe; një vend ku kryeministri goditet me grusht ballas në fytyrë kur keq- qeveris, ku opozita goditet me shpullë dhe ujë kokës, që të zgjohet.
Ky vend ka shpresë falë studentëve dhe çiltërsisë së tyre!
Kryeministri duhet të largohet dhe ti hapë rrugë zgjedhjeve.
Opozita duhet të ndërgjegjësohet, se studentët janë përsëri këtu me grushtin lart për këdo që gabon.
Votuesi duhet të kuptojë deri në mish, kockë, palcë e tru, se nuk duhet të shesë, kurrë më votën e tij.
Pra, Shqipëria ka shpresë dhe duhet të bëhet, megjithëse unë nuk mund të marr akoma kurajën, ti bëj thirrje atyre që na braktisën : “ kthejuni përsëri “ !

Modifikuar më Tuesday, 15 Janar 2019 17:33
Login to post comments