ANALIZA/ “Letra e 30 shkrimtarëve europianë, si shuplakë për copëtuesit e Kosovës”

Saturday, 26 Janar 2019 19:40

ANDI BUSHATI/

Letra apel e plot 30 shkrimtarëve europianë (mes të cilëve edhe Ismail Kadare) që bëjnë thirrje për shpëtimin e një Europe që po merr flakë, mund të interpretohet nga një mori këndveshtrimesh të ndryshme.

Ajo mund të përndezë gjakrat e një europiani të djathtë, që nuk e gjen fajin e vetëm për këtë që po ndodh tek rritja e ekstremizmit, tek demagogët dhe populistët që etiketohen si fajtorët ekskluzivë të situatës aktuale, por që i shpjegon ato me kalimin e sovranitetit tek burokratët e pavotuar të Brukselit, me anashkalimin e qytetarëve të thjeshtë të vendit të tij dhe me zhbërjen e identitetit kombëtar, në emër të elitave kozmopolite të shkëputura krejtësisht nga realiteti.

Ajo mund të shihet me përçmim nga një besimtar i së majtës, pasi i bishtnon problemeve reale të krizës së sotme: akumulimin e pushtetit në duart e pakicës, rritjen galopante të pabarazive, qeverisjet e vëna në funksion të bankave dhe korporatave, këmbënguljen në politikat çnjerzore të frymëzuara nga teoritë neoliberale, të cilat sollën rendjen e më të pambrojturve drejt ekstremeve dhe zhgënjimin nga ëndrra fillestare e Europës.

Por, pavarësisht nga polemikat, nëse ky apel është në gjendje të rokë ose jo thelbin e krizës së sotme, ai mbart një mesazh disi të ndryshëm, por tejet të fortë për mbarë botën shqiptare.

Sepse në këtë moment, kur në të dy anët e mëdha të kombit tonë po gëlon debati i dialogut shqiptaro-serb, kur më shumë se kurrë, si zgjidhje e artë po serviret rivizatimi i kufinjve etnikë, kur si opsion final për fundin e të tëra problemeve po shitet bashkimi kombëtar, kur ideja e tij po përdoret si një shantazh nacionalist ndaj kontinentit të vjetër që rrefuzon të na pranojë në gjirin e vet, thirrja e 30 shkrimtarëve europianë jep dy mesazhe të forta.

I pari konsiston në faktin se “atdheu i dytë për të gjithë njerëzit e lirë të globit” është braktisur nga Amerika e Trump-it dhe rrezikohet nga Rusia e Putinit.
Mesazhi i dytë, edhe më i fortë, është se zgjidhja nuk gjendet tek thirrjet e demagogëve populistë për tu kthyer tek shpirti i kombeve, tek përkatësitë etnike, tek ngritja e mureve dhe tek fshehja pas kufijve nacionalë.

Por, kohët e fundit të gjithë ata që po propogandojnë coptimin e Kosovës dhe gjetjen e zgjidhjes së artë përmes shkëmbimit të territoreve, që krijojnë shtete etnikisht të pastra, po i mbështesin pikërisht këtu themelet e projektit të tyre të ardhshëm.

Ajo që thonë nën zë është se plani i tyre ka nga pas miratimin e Trump-it dhe Putinit. Ajo që e shprehin me gojën plot është se krijimi shteteve etnikisht të pastra mbetet shkopi magjik që do të zgjidhë të gjitha problemet.

Në këtë kuptim, letra e 30 shkrimtarëve të shquar europianë, edhe nëse s’bie ideologjikisht dakord me optikën e tyre, është një porosi e madhe për mbarë shqiptarët.

Sepse ajo përbën një apel për të parë drejt vlerave të përbashkëta të së ardhmes dhe jo për tu ngujuar tek zgjidhjet e provuara nacionaliste të së shkuarës, sepse ajo e sheh zgjidhjen tek triumfi i një identiteti të përbashkët europian dhe jo tek kthimi në “shpirtin e kombit” që propagandojnë demagogët populistë.

Pikërisht për këtë, ajo mund të lexohet si një shuplakë e fortë kundër të gjithë atyre që duan t’u imponojnë shqiptarëve (po aq sa edhe serbëve) zgjidhje që bien krye këput ndesh me idealin e një Europe që kërkojmë dëshpërimisht të përqafojmë.

Modifikuar më Diel, 27 Janar 2019 16:17
Login to post comments