Fallxhoret e kryeministrit akuzojnë opozitën se s’ka parashikuar mirë motin e 16 shkurtit!

Diel, 27 Janar 2019 21:43

Nga Ilir Nikolla

Nëse nuk sheh apo lexon e aq më pak nëse nuk të intereson të shohësh apo dëgjosh, nuk do të thotë se mund të thuash çfarë do. Në fund të fundit humbet besueshmerinë personale e bëhesh me ose pa dashje vegël e propagandës qeveritare.

Këto ditë po asistojmë në një vazhdë përpjekjesh, për ta shpallur opozitën shqiptare si të pazonjën për të ardhur në pushtet (pra, që bën protesta kot), meqenëse s’ka as program e as alternativë. Refreni i këtyre përpjekjeve konsiston në përsëritjen e pretendimit se opozita shqiptare po mundohet të shfrytëzojë rastin, pasi ajo ështëe e paaftë të vijë vetë në pushtet, meqë s’ka as program, as ekip e as alternativë.

E vërteta është se të sulmosh një parti politike se s’është alternativë, është fort e thjeshtë, kur neglizhon daljet e saj publike, propozimet që bën dhe ç’është më e rëndësishmja denoncimet që shqipton për kundërshtarin. Në rastin e PD, mund të numërojmë daljet e saj për arsimin, bujqësinë dhe koncesionet, për të kuptuar se ata që flasin për mungesën e programit të opozitës e paragjykojnë atë dhe protestën e saj të 16 shkurtit (në rastin më të mirë).

Duke u marrë me detajet dhe sipas parimit “scripta manent”, kujtojmë daljet e herëpashershme të opozitës për dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë dhe para së gjithash propozimet për anulimin e Ligjit Klientelist të Arsimit të Lartë. Opozita e ka mbështetur me te gjitha format dhe mënyrat protestën e studentëve, por e ka përsëritur mëse një herë se s’ka qenë kurrë qëllimi i saj ta perdorë atë polikisht. Sa për vetting, asnjë përfaqësues i opozitës nuk është paraqitur në sheshe apo në auditoret e protestës për per ta perdorur politikisht atë. Kush thotë të kundërtën spekulon. Paratë janë aty. Nëse s’shkojnë për studentët, vidhen dhe shkojne per shpenzime luksi.

Fakt është se rezistenca më e madhe ndaj opozitës, vjen atehere kur ajo denoncon oligarkët dhe koncesionet që ata përfitojnë nga qeveria. Dhe nëse duam ta bëjmë luftën ndaj koncesioneve një kalë beteje kundër “opozitës së munguar të Lulzim Bashës”, jemi në një terren mirëfilli dëshpërues. PD është stigmatizuar shpeshherë si një parti që deklarohet dhe nuk zbret në rrugë, me duar e me këmbë kundër oligarkëve, por kritikat se PD s’ka folur për koncesionet, s’i beson as Damian Gjiknuri e as Erion Braçe. Për hir të kronikës, sa u perket koncesioneve, PD ka hartuar e ka shpallur në disa séanca publike konsultimi me partitë, ekspertët dhe grupet e interesit platformen anti-korrupsion&oligarki, pjesë e ligjit antimafia.

Edhe më qesharake janë akuzat se PD s’është bërë gati për pushtet, pasi s’ka asnjë alternativë për bujqësinë apo mbështetjen sociale. Edhe në fushatën e 2017-n, edhe në disa ture që Lulzim Basha ka mbajtur në Tiranë, Fier, Korçë, etj, opozita ka shpallur jo veç një alternativë për taksimin e sektorit, por para së gjithash një platformë për subvencionimin e fermerëve. Këtë e di i madh e i vogël, përveç atyre që janë të interesuar për të thënë në rrenë të kundërtën.

E gjithë fushata mund të përmblidhet tek paniku i kundërshtarëve nga 16 shkurti. Protesta i ka tmerruar të gjithë dhe si një trupë shtetarësh që s’di si të mbrohet, edhe nomenklatura e Edi Ramës ka shpallur se s’mund të bjerë nga pushteti, pasi në të kundërt, shqiptarëve do t’u bjerë epidemia.

Jemi në parapolitikë dhe metodat që po përdor kryeministri janë parapolitike. Ai po sillet si ai kandidati i Partisë Komuniste të Përmetit që i mallkoi votuesit “ju raftë kanceri” në rast se nuk e votonin. Edi Rama po përpiqet ta lidhë tani protestën e 16 shkurtit me humbjen e pushtetit prej tij. Kjo ka lidhje, por s’është një realitet i shkurtit/

Protesta nuk është për marrjen e pushtetit e as duhet të çertifikojë një alternativë për momentin. Përpjekja për të thënë qysh në janar se PD e Lulzim Bashës nuk e meriton të vijë në pushtet në qershor a më vonë gjatë 2019-s është dashakeqe dhe pjesë e një plani të dështuar për të sabotuar pjesëmarrjen masive në protestën e 16 shkurtit.

Modifikuar më Hënë, 28 Janar 2019 11:30
Login to post comments