Vendit i duhet një Kushtetutë e re

E Enjte, 07 February 2019 10:13

Nga Ylli Manjani

Duket si paradoks sepse kjo që kemi është ende e re, por e kemi dëmtuar aq rëndë sa nuk kthehet më në misionin e saj themelor: funksionimi i shtetit të drejtë e të barabartë për të gjithë njësoj.

Te kuptohemi, nuk do ishte zgjidhje zëvendësimi i neneve të Kushtetutës aktuale me ca të tjera që degjenerohen njësoj.

Më shumë sesa një tekst ligjor, na duhet një Kushtetutë që shpreh marrëveshjen kolektive për të bërë shtetin dhe për të disiplinuar pushtetin.

Na duhet një Kushtetutë që vendos Parlamentarizmin në qendër të Republikës dhe jo Qeverinë. Sot kemi Republikë qeveritare jo parlamentare.

Na duhet një Kushtetutë që Policin, punonjësin civil, gjykatësin e prokurorin të mos e urdhërojë e komandojë pushteti, por vetëm interesi publik dhe ligjet e shtetit.

Na duhet një Kushtetutë që vendos në themel indivindin lirinë dhe të drejtat e tij, jo një Kushtetutë ku liria dhe e drejta varen nga qejfi i Kryeministrit apo qeveritarit të radhës.

Kushtetuta aktuale, ashtu siç është katandisur nuk i garanton më këto misione.

Mbi të gjitha nuk garantohet me shteti, por legjitimohet pushteti. Aq e vërtetë është kjo, saqë këdo të pyesësh për Kushtetutën, të flet me shumë zell për emërimin e shkarkimin e ministrave, kryeministrave, gjykatesve, prokuroreve, KLGJ, KLP, KLSH, BSH etj etj.

Nga kjo Kushtetutë njerëzit mbajnë mend pra të drejtat e pushtetit dhe jo të tyret.

Ky është dështimi më i madh i kësaj Kushtetute.

Ndaj na duhet një e re. Një Kushtetutë për Shtetin dhe për Individin.

Mjaft më me Pushtetin.

Kjo është bindja ime!

Login to post comments