Loja e Rusisë në Ballkan

Hënë, 11 February 2019 08:18

Nga Paul Stronski dhe Annie Himes

(Carnegie Endowment for International Peace)

Në kuadër të fushatës së re të Presidentit Vladimir Putin për të fituar influencë globale, Rusia po rrit ndjeshëm pozitat e saj në Ballkan, me shpresën për të ndalur integrimin e rajonit në institucionet  euro-atlantike dhe minuar demokracinë perëndimore në Europën Juglindore.

Moska përdor furishëm lidhjet kulturore dhe ato tregtare për të forcuar marrëdhëniet ekonomike në sektorë kyç-si energjia, sistemi bankar dhe pasuritë e paluajtshme-për të injektuar një varësi ekonomike dhe politike tek Ballkani. Operacionet e influencës së Rusisë nxisin lidhjet e njerëzve me njëri-tjetrin, me qëllimin për të krijuar xhepa të miqësisë ruse dhe leva për të ndikuar në atë masë saqë të lejojë Moskën të minojë më tej integrimin e Ballkanit në strukturat ekonomike, politike dhe të sigurisë të Perëndimit. Për t’i thelluar këto përpjekje, Rusia kërkon të nxisë përçarje politike dhe sociale në disa vende të Ballkanit, përfshirë ofrimin e ndihmës financiare dhe propagandës publike për të ndihmuar grupet e së djathtës ekstreme.

Aftësia e Moskës për të përkeqësuar dhe nxitur paqëndrueshme politike në disa vende të Ballkanit duket se fokusohet tek minimi, ose të paktën të vonojë, integrimin e tyre në Bashkimin Europian dhe NATO. E ndërsa ksenofobia dhe populizmi po lëkund sistemet politikë në vende europiane me institucione goxha më të forta, kultivimi që Kremlini u bën grupeve të ekstremit të djathtë dhe politikanëve më prirje autoritare në Ballkan, është tejet shqetësues. Përpjekjet e Rusisë po ushqejnë destabilitet demokratik dhe polarizim politik – të cilat po komplikojnë perspektivat integruese të shteteve të Ballkanit.

Për Rusinë, Ballkani ka një rëndësi historike, kulturore dhe fetare – lidhje për të cilat po propagandohet dhe, me raste ekzagjerohen, nga diplomacia dhe mediat ruse. Vendndodhja strategjike e rajonit mes Detit të Zi dhe Detit Mesdhe, si dhe afërsia që ka me Lindjen e Mesme, është po aq e rëndësishme për Moskën.

Deti i Zi i ofron Rusisë aksese në porte – synim ky që ka qenë një shtysë historike për aktivitetin diplomatik dhe ushtarak të Rusisë në Europën Juglindore. Dhe si një nga rajonet e fundit të Europës që nuk është integruar plotësisht në strukturat euro-atlantike – dikur një hapësirë sovjetike –  Ballkani përfaqëson një objektiv të qartë për Rusinë.

Duke zgjeruar rrënjët e influencës në Ballkan, Rusia shpreson të ndalë rifillimin e bisedimeve të integrimit me Gjeorgjinë, Ukrainën apo ndonjë shtet tjetër ish-sovjetik.

Fushata e influencës së Kremlinit në Ballkan po ashtu ndihmon në shfokusimin e Perëndimit nga aktivitete të tjera ruse nëpër botë, si fuqizimi ushtarak rus në Detin e Azovit dhe agresioni në ngushticën e Kerchit, lufta në Ukrainën Lindore, ndryshimi i kufijve në Osetinë e Jugut dhe operacionet e influencës në Armeni. Për Rusinë, Ballkani është një mjet diversioni për të shkëputur vëmendjen nga aktivitet të tjera dhe influencuar gjerësish institucionet e sigurisë dhe ekonomisë të Europës.

Megjithatë, Moska nuk kërkon me doemos, as do të jetë në gjendje, që ta pozicionojë veten si një fuqi dominuese në Europën Juglindore, aty ku konkurron për influencë jo vetëm me Perëndimin, por edhe me Kinën, Turqinë dhe shtetet e Gjirit Persik – të cilat janë aktive në rajon. Zyrtarët e qeverisë ruse i vizitojnë shpesh vendet e Ballkanit, duke premtuar rritjen e tregtisë dhe investimeve, megjithatë Rusia prodhon pak nga çka kërkon rajoni. Përveç energjisë, Rusia nuk prodhon mallra për të cilat ka nevojë konsumatori ballkanas dhe ka dështuar t’i mbajë premtimet për kredi apo investime.

Për më tepër, sjellja prej cubi i minon përpjekjet e buta diplomatike të Rusisë. Aneksimi i Krimesë dhe lufta në Ukrainën lindore e ka rifokusuar NATO drejt kërcënimeve ruse në Europë dhe i trembi disa vende të Ballkanit, të cilat u mbërthyen më tej tek perspektivat e integrimit euro-atlantik. Dredhitë e Rusisë në Ballkan – nga grushti i shtetit në Mal të Zi deri tek orvatjet për të xhindosur nacionalistët për marrëveshjen e emrit Greqi-Maqedoni –  i ka trembur elitat politike në vende ku Rusia tradicionalisht ka patur raporte të ngrohta.

Zv/presidenti amerikan Mike Pence ka paralajmëruar ndaj përpjekjeve influencuese dhe të fshehta të Rusisë në Ballkan, duke konfirmuar vendosmërinë e SHBA-së për të mbështetur Ballkanin gjatë punimeve të Samitit të Kartës së Adriatikut të zhvilluar në Mal të Zi: “Rusia kërkon të ndryshojë kufijtë ndërkombëtar me forcë. Dhe këtu, në Ballkanin Perëndimit, Rusia po punon për të destabilizuar rajonin, minuar demokracitë tuaja dhe t’ju përcajë nga njeri-tjetri dhe pjesa tjetër e Europës. Synimet e Rusisë u demaskuan gjatë vitit të kaluar kur agjentët e mbështetur nga Moska u orvatën të ndikonin në zgjedhjet e Malit të Zi, të sulmonin parlamentin dhe madje të vrisnin Kryeministrin tuaj për të penguar anëtarësimin e popullit të Malit të Zi në aleancën e NATO-s. Presidenti Trump ja ka bërë të qartë Rusisë që të ndalë aktivitetet destabilizuese. Dhe une ju garantoj ju se SHBA refuzon cfarëdo përpjekjeje për përdorimin e forcës, kërcënimeve apo shantazheve në këtë rajon apo gjetkë. Ballkani Perëndimor ka të drejtën për të vendosur vet të ardhmen e tij dhe kjo e drejtë ju përket vetëm ju”.

Vendet e Ballkanit-anëtare dhe aspirante në NATO – e mirëpritën vizitën e tij dhe deklaratën e fortë për mbështetjen amerikane. Një vit më vonë, megjithatë, Presidenti Donald Trump u duk sikur e vuri në pikëpyetje nëse trupat amerikane duhej të mbronin Malin e Zi, asokohe anëtari me ri i NATO-s. Deklarata e Presidentit nxori në pah rezervat e tij personale ndaj NATO-s si dhe fliste për një mbështetje të lëkundur amerikane ndaj Ballkanit, ku përfshirja amerikane ka qenë kyçe për stabilizimin e rajonit pas viteve 1990. Kjo mospërputhje me presidentit dhe ekipit të tij të sigurisë –përpos mungesës së interesit publik amerikan në Ballkan dhe shqetësimeve mes bazës politike të Trumpit rreth angazhimeve amerikane në vende të largëta të botës – theksojnë paqëndrueshmërinë e politikës së SHBA-së dhe nxjerrin në pah mungesën e një lidershipi të qartë në një rajon ku aktivitetet e fundit të Rusisë rrezikojnë të nxisin destabilitet politik dhe social.

Në ndryshim, Bashkimi Europian ka demonstruar një vëmendje me të madhe karshi Ballkanit me strategjinë e tij të 2018. Megjithëse ky plan i përditësuar përmban objektiva ambiciozë për anëtarësimin e dy vendeve të Ballkanit në 2025, vite të tëra të angazhimit pasiv dhe të ngadaltë të projektit europianë kanë ngjallur frustrim në shtetet e Ballkanit. Shumë europian mbeten të shqetësuar për zgjerimin në Ballkan, kjo edhe për shkak të problemeve të brendshme të BE-së dhe faktit se disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore kanë shënuar regrese demokratike dhe vuajnë nga korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit.

Pavarësisht strategjisë së re, mbetet e paqartë nëse Europa është e gatshme apo e aftë të përkushtojë burimeve njerëzore dhe financiare për të ndihmuar vendet aspirante të BE në reformat që kërkohen për integrim.

Ky dështim, si nga SHBA dhe nga BE, për të artikuluar një qasje koherente dhe vazhdueshme për rajonin ka krijuar një shteg për ndërhyrjet e Rusisë në Ballkan,.

(...vazhdon)

Modifikuar më E Enjte, 14 February 2019 21:53
Login to post comments