Nga Artur ZHEJI
Anija e pushtetit ka dhënë dhe po jep, shenja të qarta që po mbytet, kryesisht sepse, është mbingarkuar përtej çdo caku, me zullume, padrejtësira, mosmirënjohje dhe arrogancë të verbër.
Ndodh herët a vonë gjithmonë kështu, për të gjitha pushtetet, që mbështeten në një njeri të vetëm dhe kur ekonomia dhe disiplina e administratës, merr rrokullimën. Shqipëria, ekonomikisht dhe si potencial njerëzor, nuk ka kapacitete të përballojë një diktaturë, apo një pothuajse diktaturë si në Rusi dhe në Turqi, të cilat janë shtete, ish perandorake dhe që priren të prodhojnë një Car apo një Sulltan.
Në historinë e saj shumë modeste, Shqipëria, ka patur në këto vite, vetëm një Sulltan të kuq, për nga ideologjia dhe për nga gjaku i derdhur, dhe ky ishte Enver Hoxha, por gjithësesi, një histori e shekullit të kaluar, ku shqiptarët u ndëshkuan me një izolim mizor 45 vjeçar.
Sot, tendenca nuk ka ndryshuar, kryeministri mendon se është dhe vetëshpallet i gjithëditur dhe oborri, populluar nga oborrtarë gjithmonë e më të paditur dhe krijesa zvarritëse, pohojnë pa turp, gjithëditurinë absolute të kryeministrit, në thelb, të budallallepsur nga pesha e rëndë e pushtetit dhe nga dyfytyrësia e stafit të vet, që gjithmonë e më tepër e gënjën dhe e mashtron, atë vetë të parin.
Mirëpo nga ana tjetër, në Partinë Socialiste, e cila e besoi si një kryemenaxher që do ta sillte në pushtet dhe do ta pasuronte për një raund të dytë, ka shenja të qarta mosbesimi, se kryemenaxheri-kryeministër, interesohet më së shumti për qypat e vet, mbushur me verdhushka dhe se përtej ca biznesmenëve të afërt, sa janë edhe gishtat e dorës, nuk e ha meraku për askënd tjetër.
Kjo tanimë nuk është thjesht një pëshpëritje e pazëshme, apo një mërmëritje e nënshtruar, sot ish kori i skllevërve të frikësuar nga kryeministri, po e trash zërin dita ditës, sepse pushteti me Ramën kryemenaxher, po i dërgon drejt greminës antipopullore, por sidomos drejt greminës personale…
Duke prishur kështu, kontratën e mirëbesimit, Kryeministër-PS. Ashtu si e ka traditë kjo parti, që në themelimin e saj historik, në vitin e largët 1941, u jep jetë konspiracioneve, të cilat po përpilohen në disa variante: A, B, C.
“A”, pritja e ciklit të natyrshëm të rënies së KM-së, duke qëndruar indiferentë dhe aspak bashkëpunues në përmirësimin e situatës së disfavorshme…
“B”, krijimi i grupeve anti-KM, për të qenë të gatshëm në ndarjen e tortës së pozicioneve kyçe, pas largimit të KM-së, duke i dhënë një të shtyrë dhe duke përhapur mosbesimin e tyre të qartë për aftësitë e tij, në kontrollin e një situate rrëshqitëse.
“C”, përgatitja reale, për një dorëzim të pushtetit te Opozita, sipas parimit, ju japim Ramën, na jepni në këmbim, pandëshkueshmërinë dhe lejen e heshtur, që SHPK-ja, të vijojë të punojë qetësisht dhe pa shqetësime, negociate kjo mjaft delikate, por që realisht ka filluar.
Rama, nuk mbërrin dot të ndalojë këtë proces, ai mundet vetëm ta ngadalsojë, duke bërë qoka të shpejta dhe të shkathëta në individë të caktuar, por edhe kjo, në kushtet e një trysnije popullore në rritje, është sot, shumë më e vështirë se sa dje.
Duket se ai vetë, në shterrim të durimit dhe të vullnetit të duhur për të përballuar këtë situatë, e ka lënë procesin në rrjedhje të lirë, duke besuar edhe raportimet e deformuara që i vijnë nga stafi që është krejt I trembur për ti transmetuar të vërtetat që një shef partie dhe qeverie, ka nevoje realisht të dijë.
Kështu që ay, Rama pra, ka mbetur në errësirë të plotë, rrethuar nga mishëngrënës, që duan më së shumti zhvatjen e llokmës së fundit, të parave dhe tenderave, se sa të kenë kokëçarjen e duhur, për shpëtimin e pushtetit të tij.