Dje Saimir Tahiri bëri show-n e radhës, duke sfiduar drejtësinë, pas një seance të zgjatur afro një orë e gjysmë, kur ai deklaroi se ”kësaj maratone po i vjen fundi dhe se për të dhe për Prokurorinë ka nisur numërimi mbrapsht”. Madje tabloja u kompeltua edhe me korin e mbështetësve që bënin tifo popullore, duke i dhënë zemër Tahirit, pasi ai shtoi se “ka fatin që të ndjej mbështetjen e gjithë njerëzve që kanë besuar tek ai, ashtu siç dhe ka ndjerë dyshimin e njerëzve që nuk kanë dyshuar tek ai”. Në fund, ish-ministri i Brendshëm, i pyetur nëse do rikthehet në politikë, tha se “Ka kohë për të gjitha!”, duke mos e mbyllur atë shteg, kuptohet pasi të dalë “i larë” nga drejtësia jonë.
Saimir Tahiri është vënë nën hetim, si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë. Ai akuzohet se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal, por që drejtësia shqiptare do edhe pak kohë sa ta lirojë Tahirin nga akuzat. Sipas kësaj logjike i bie që jo vetëm ish-ministri, por edhe vetë Moisi Habilaj duhet ta mendojë rikthimin në politikë, se në fund të fundit, urdhërat ka zbatuar, ka qenë thjesht një çirak i Tahirit.