“Si nuk do u diskutohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë? Do diskutohet që ç’ke me atë punë”. Kjo ishte një nga deklarata që lëshoi mbrëmë te emisioni i Sokol Ballës dhe që shënjoi njëkohësisht “nxjerrjen e kokës” të Edi Ramës, për rolin e tij në ndarjen e Kosovës.
Tashmë e kemi me zë dhe figurë që kryeministri i Shqipërisë, po punon për një plan që synon copëtimin e shtetit të dytë shqiptarë dhe që çon ujë, në hullinë e Serbisë dhe të presidentit Vuçiç.
Në këtë situatë ditën e nesërme opozita këtu në Shqipëri, ka ftuar shqiptarët e Shqipërisë që të pushtojnë sheshet e kryeqytetit për të rrëzuar Edi Ramën, si kryeministër të korruptuar, i lidhur me krimin e organizuar, si blerës dhe manipulator votash, e mbartës i shumë “të zezave” të tjera që qytetarët i heqin çdo ditë në kurriz.
Po në gjithë këtë listë që ka parashtruar opozita si arsye për largimin e Edi Ramës, mungon një kauzë madhore. Ose të paktën, ende nuk po artikulohet shumë fortë dhe qartë nga lidershipi, që ka thirrur shqiptarët në protestë; Edi Rama duhet larguar, edhe si një rrezik potencial për copëtimin e Kosovës.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, këtë duhet ta artikulojnë qartë dhe fortë. Por jo vetëm kaq; duhet të ftojnë në këtë protestë të madhe të 16 Shkurtit, gjithë faktorin politik kosovar, që është kundër planit Vuçi?-Thaçi-Rama. Dhe nuk është vetëm Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Isa Mustafa dhe forcat politike që ata drejtojnë, por 90% e shqiptarëve të Kosovës!
Nesër ata duhet të jenë në Tiranë, sepse largimi i Edi Ramës nga skena politike është njëkohësisht një fitore, për sovranitetin e Kosovës. /Syri.net/