Agron Gjekmarkaj/
Të shtunën, më seriozët ishin qytetarët shqiptarë! Ata dolën të shumtë si kurrë më parë në bulevardin e gjatë “Dëshmorët e Kombit”, pa llogaritur asnjë rrezik real e hipotetik!
Ata iu përgjigjën thirrjes së opozitës, e cila nga dita në ditë u kompleksua nga dëshira e vet, duke folur me gjuhë ambigue në emër të popullit! Gjuha e Ezopit “të vogël” përballë gjuhës së Ramës “së madh”, siç e thirrën në Vlorë, e ka humbur kuptimin. Ligjërimi i njerëzve në shesh ishte vetë qartësia. Ata kishin vetëm një dëshirë, që përmblidhej te togfjalëshi “Rama ik!”.
Ajo ishte protesta e opozitës dhe lajmi kryesor është pjesëmarrja e jashtëzakonshme. Mediat pro qeverisë folën gjithë kohës për dhunë, duke konsideruar si diçka të tillë zukatjet e një grupi të vogël njerëzish që merreshin me kërpudhën, derën dhe strehën e Kryeministrisë. Po kaq të përzhitur e zalisur pikëllimi ishin nga vaji e të qarat prej lehone që të këpusnin shpirtin të ambasadorit të OSBE, Boshard, i cili prej vitesh e ka vrarë me jatagan pavarësinë diplomatike, duke i shërbyer haptas Edi Ramës! Kjo është një nga meritat cilësore të Ramës në listën e larmishme të tyre.
Të gjithë injorojnë faktin që opozita nuk dëshironte të bënte dhunë të vërtetë. Asaj i duhej vëmendje ndërkombëtare, të cilën Lulzim Basha deri të shtunën nuk e kishte fituar me “pacifizmin” e tij. Turma aty ishte aq e madhe sa që mjaftonte një shenjë dhe ajo bëhej një uragan i papërmbajtshëm, që nuk do të kishte forcë policore, as Gardë, që mund ta mbante bashkë me 100 hartimet e ardhshme patetike të ministrit të Brendshëm! Fatmirësisht, ky vullnet mungoi.
Shumëkush iu vërtit Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për këtë dhunë të supozuar e shumë të tjerë për dhunën e munguar! Dje munguan aktet politike. Një si memecëri e pamerituar po i vishej asaj proteste. Të dielën, Lulzim Basha ka dalë me një propozim të pazakontë, pikërisht me atë që dukej më i pamunduri, më i largëti, më i vështiri, më radikali, më i pandodhuri e si i tillë historik, djegien e mandateve të opozitës! Basha e hodhi këtë ide si një propozim për organet e partisë së tij! Më logjike pas konsumimit të historisë tanimë të njohur dhe pas një proteste, që qëllim final ka rrëzimin e Edi Ramës me argumentet se gjashtë vitet e Edi Ramës janë vitet e kapjes totale të shtetit nëpërmjet pushtetit, të korrupsionit kapilar, të kanabisit si projekt politik, të klientelizmit nëpërmjet koncesioneve që pasurojnë një grusht dhe varfërojnë një shoqëri, të ikjeve masive nga vendi, të kohës pa Gjykata themelore, të ekonomisë që prodhon shifra të rreme e varfëri të vërtetë, të tenderëve fantastikë, proceseve zgjedhore ku vota blihet nga të fortët dhe trafikantët, opozita nuk mund të ulet më në atë sallë parlamentare!
Ende kemi të bëjmë me një propozim dhe kërcënim në të njëjtën kohë, por me gjasë çdo kthim prapa do ta relativizonte Bashën në mënyrë të skajshme. Opozita e bashkuar demonstroi dje një forcë të admirueshme. Në këtë kontekst do të duhej që edhe LSI ta ndiqte PD-në në këtë lojë force e muskujsh me qeverinë si e vetmja alternativë e mbetur, megjithëse thuhet nën zë që deputetet e vjetër të kësaj partie e kanë më bezdi të ndahen nga mandatet! Në kthesa dhe përplasje kaq të forta, çdokush bën zgjedhjen e vet në raport me kauzat dhe interesat. Të dyja njerëzore dhe legjitime, po kaq sa nderi dhe turpi.
Sot, Edi Rama formalisht është Kryeministër, sepse de fakto është një sundimtar i rrethuar me lakej, që dinë çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje! Gaztoret janë shpura dhe ministrat e tij. Kabineti është themeluar mbi shakanë dhe groteskun, zgjedhje kjo që fyen dialektikën politike dhe etiken publike. Nga një i zgjedhur me votë është shndërruar në despot që e trafikon votën! Nga sqimatar e hokatar kundër banalitetit, është shndërruar në emblemën e tij! Kur thua banalitet, menjëherë të vjen ndër mend Edi Rama, qeveria e tij, ministrat, zv.ministrat, deputetët, drejtorët, hierarkia, gjuha që përdor, fjalimet prej deliranti provincial, ku përsërit pa fund vetveten, sulmet që bën, sharjet, fyerjet dhe zgërdhirjet pa kurrfarë sharmi. Edi Rama nuk reflekton kurrë për të mirën publike.
Ai reflekton për të mbledhur pushtet e bindje rreth vetes. Pas dy muaj protestë të studentëve dhe profesorëve të universiteteve publike, nuk plotësoi pothuaj asgjë nga kërkesat e tyre, por shfrytëzoi rastin të jepte një tjetër goditje në PS, duke marrë atribute diktatori në parti. Pas protestës kemi një qeveri dhe parti ende me kokulur dhe kudo më pak demokraci. Një nga dëmet që i ka bërë vendit është kulti i dordolecit në politikë që ka ngritur. Modeli i tij si udhë që të çon te suksesi. Aty Rama kopjohet. Ai ka shkuar tepër larg në përdhosjen e këtij vendi me gjithçka ka bërë dhe ka frikë. Tani atë e udhëheq frika, ndërsa njerëzve u ka dalë ajo. Pjesëmarrja në protestë ishte lajmi i madh, ai më i munguari gjatë këtyre viteve të hirta! Protesta është kthyer në mesin tonë si institucion që jep shpresë. Rama e di këtë dhe po përpiqet t’ia zbehë mitin me shpejtësi. Dorëzimi i mandateve dhe braktisja e çdo procesi elektoral të organizuar nga Rama, Xhuxhi e të tjerë dinjitarë të botës së krimit, është një radikalizëm i dhimbshëm, por i detyrueshëm sepse Edi Rama po vret politikën dhe respektin për tjetrin me epshet e veta të hazdisura. Ai do të jetojë i vetëm nën këtë diell, por edhe shqiptarët e tjerë duan hisen e tyre! Lulzim Bashën e kemi akuzuar të gjithë si një lider të dobët, por nëse vërtet ai djeg mandatet dhe braktis Ramën në aventurat e tij elektorale, le t’ia njohim meritën që po ndërmerr aktin me të guximshëm dhe më të dobishëm nga pikëpamja shoqërore në politiken shqiptare në këto 28 vite. Fati ndihmon guximtarët. Blofi do të ishte fatal për të, opozitën dhe rendin demokratik në vend! Marrë nga Panorama