Pse mbërritëm deri këtu?

E Enjte, 21 February 2019 20:10

Nga Jamarbër Malltezi/

Situata aktuale është krejtësisht anormale, por nuk është aksidentale. Kjo situatë është pasojë e një procesi të rëndë antidemokratik , që gradualisht ka çuar në asgjësimin e shtetit ligjor apo në kapjen e çdo institucioni të këtij shteti nga një njeri i vetëm, jashtë çdo parimi demokracie, pa asnjë votim apo mendim ndryshe.

Deri këtu mbërritëm pasi Rama kërkoi me çdo çmim të sigurojë çdo pushtet dhe çdo zyrë në këtë vend. Edhe kur këtë uzurpim pushtetesh ia ndalon Kushtetuta, atëherë, ai nga njëra anë asgjësoi fare Gjykatën Kushtetuese dhe askush nuk çon dot asnjë paudhësi të Ramës të gjykohet për kushtetutshmëri, ndërsa nga ana tjetër, bleu me shumë para ndërkombëtarët që të thonë një fjalë të mirë si biçim “nuk u bë kiameti se u shkel Kushtetuta edhe kësaj here”. Këtë e pamë shumë herë kur njerëzit e Soros të darovitur me pushtet diplomatik deklaruan haptas shprehje anormale dhe antidemokratike si, “le ta marrë drejtësinë në dorë Rama, meqë fitoi zgjedhjet”, ose “nuk ka nevojë për votat e opozitës për Reformën në Drejtësi”, ose “qeveria ka të drejtë të ndryshojë Kushtetutën pa pyetur Parlamentin, në raste të veçanta”, më tej në gatitjen e disa drafteve të Reformës në Drejtësi, që u konsideruan “Kapje e Drejtësisë” nga Komisioni i Venecias, apo në dërgimin e përkthimit të falsifikuar në Komision të Venecias.
Jemi në pikën kur një njeri (jo një forcë politike, por një njeri i vetëm me disa shokë të vetë – sipas socialistes A. Dade) ka zaptuar çdo institucion, qoftë edhe kushtetues, të pavarur të vendit dhe nuk pyet për rregulla loje. Të njëjtën gjë bëri edhe Hitleri, edhe Enveri dhe të njëjtën gjë po bëjnë edhe sot shumë diktatorë në botë.

Opozita thjesht tani ka vendosur t’i heqë edhe fasadën dhe të tregojë hapur mungesën e shtetit ligjor.
Në thelb, sot po shihen pasojat e blerjes së zgjedhjeve të 2017-ës. Atëmot, çdokush pohonte që Rama bleu zgjedhjet, POR nuk kishim fakte të pakundërshtueshme. Sot i kemi falë përgjimeve të qeverive të huaja, që kishin hallin e tyre me drogën nga Shqipëria (të cilën ambasadorët e Soros nuk e shihnin dot), që po përmbyste Gjermaninë. Edi Rama vijon të mohojë se e ka grabitur pushtetin me paratë dhe influencat e krimit dhe të drogës. Mohoi ekzistencën e dosjes “339”, ku vetëm nga përgjimi i një bande kriminale, rezulton se Edi Rama ka blerë vota dhe mandate deputetësh në 4 qarqe të vendit.

OSCE raportoi se 20% e votave u blenë. Kush ambasador u shokua për këtë fakt? Asnjë. PSE? A mund të kesh zgjedhje të lira në ndonjë vend të botës demokratike, ku qeveria përmes bandave të drogës blen 20% të votave? Po ata që vijnë në pushtet përmes bandave të krimit të organizuar, për kë do punojnë?

Po në çfarë drejtimi të paditur ka ikur Prokuroria? Pse nuk vepron? Nuk do ishte kjo situatë nëse Prokuroria do kish kryer punën e vetë dhe të kish hapur çështje penale për Gjushin, Gjiknurin, Ahmetajn dhe cilindo që dilte në përgjime me krimin e organizuar. Se del Gjushi dhe bën budallain me pyetje “Pse, çfarë ka të hash drekë me kriminelët?”

Në këtë vend – më të korruptuarin dhe më të mbushurin me drogë dhe trafiqe në Europë – nuk ka asnjë zyrtar të pandehur apo dënuar për korrupsion! Ngjashëm me qershitë e Nastradinit që asnjëra nuk ishin lagur, edhe këtu as Saja nuk ka lehtësuar trafikun e drogës, as Gjushi nuk ka blerë vota me trafikantët, as Gjiknuri dhe Ahmetaj nuk kanë blerë vota, as Elisa nuk ka vjedhur gjë në dogana e nuk ka konflikt interesi fare, kur burri i jep vëllait të saj 350 milionë lekë të taksapaguesve dhe të gjithë dalin me duar akullore. Këtu Rama cakton kush duhet të paditet, kush duhet të arrestohet, sa duhet të dënohet dhe si duhet ta japin titullin mediat.

Nuk do ishte kjo situatë nëse Prokuroria do kish vepruar për dosjen “339”, siç PD-ja po kërkon qysh prej 6 muajsh, por në vend që të hetohej Gjushi dhe banditët e tjerë me pushtet, Prokuroria hapi çështje penale ndaj gazetares, që nuk po e linte të flinte këtë dosje.
Nuk do ish kjo situatë nëse Prokuroria nuk do ikte në drejtim të paditur, por do hetonte përlarjen e 600 milionëve me CEZ, do hetonte aferën 178 milionë euro për 3 djegës të pakërkuar dhe pacertifikuar, aferën 120 miliona euro me Vilmën, aferën 90 milionë euro të sterilizimeve, aferën 80 milionë euro të laboratorëve etj.. Nuk do ishte kjo situatë nëse Elisa do ish përballë me drejtësinë për gropën miliona euroshe në dogana, për konfliktin e interesit ku burri i jep vëllait 350 milionë lekë nga taksat tona dhe askush nuk mban përgjegjësi. Me gjithë këto miliona do kishin mundur të rriteshin pagat dhe pensionet, të hapeshin vende pune të mirëpaguara që të rinjtë mos ikin në kurbet, sikur këtu të ketë rënë kolera.

Nuk do ishte kjo situatë nëse zgjedhjet do ishin të lira, nëse sovrani do vendoste dhe përfaqësuesit do duhej të përfaqësonin interesat e sovranit dhe jo interesat e bandave të krimit të organizuar. Nuk do ishte kjo situatë nëse prokuroria do ishte e pavarur të vepronte në respekt të shtetit ligjor dhe jo të dëshirave të banditit, që vjedh zgjedhjet në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe mban peng vendin.
Shkurt, mbërritëm këtu thjesht nga mungesa e shtetit ligjor dhe kapja e institucioneve. Opozita me vendimin e saj po i heq fasadën e rreme, duke mundësuar të duket qartë qelbi që mban peng këtë vend.

Login to post comments