Nga Agustin Palokaj
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, ka pasur fat kur është zgjedhur në këtë post. Pak a shumë ka ardhur aty ngjashëm sikur edhe paraardhësja e saj Catherine Ashton. Rrugëtimi ka qenë pothuajse i njëjtë. Pasi ishin mbushur tri postet kryesore të institucioneve të BE-së (Presidenti i Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit) dhe të tria i kishin zënë tre burra, herën e parë që të tretë nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EPP), herën e dytë 2 nga kjo parti dhe një nga Socialistët, kërkohej që një post i rëndësishëm t’i takonte një gruaje, dhe që ajo të jetë nga radhët e Socialistëve.
Herën e parë, në mandat nga viti 2009 deri në vitin 2014, britanikja Ashton, me mbështetjen e Qeverisë së saj, e mori këtë post. Britanikët edhe ashtu nuk kanë qenë kurrë të interesuar që BE-ja të jetë e fortë në politikën e përbashkët të jashtme, sepse e ka të fortë politikën e jashtme nacionale. Ajo nuk kishte asgjë kundër që në një post për BE-në aq të rëndësishëm të jetë një politikane pak e njohur. Dhe Ashton tashmë është e harruar, ndoshta nganjëherë ia kujtojnë emrin në Kosovë apo Serbi. Edhe Mogherini erdhi në këtë post me insistimin e Italisë. Madje kryeministri i asaj kohe, Mateo Renzi, insistonte që ajo të merrte këtë post, edhe pse kishte disa kundërshtime në disa qarqe të BE-së, të cilat e konsideronin zonjën Mogherini si “tepër të afërt me Rusinë”.
Por tash është pikërisht Mateo Renzi ai, i cili e solli Mogherinin në këtë postë, që e kritikon për dështime të mëdha.
Dështimet e BE-së në politikë të jashtme nuk kanë aq shumë të bëjnë me personalitetet sa me pamundësinë që BE-ja të flasë me një gjuhë për politikën e jashtme. Kosova është vetëm një prej shembujve. E kur nuk mund të flasë me një zë, BE-ja nuk mund të ketë zë të madh që do të dëgjohej nëpër botë. Por edhe personalitetet i japin BE-së një fizibilitet, nëse është fjala për politikanë të profilit të lartë. Për shembull, për BE-në në botë shumë më tepër dëgjohej kur në krye të politikës së jashtme të saj ishte Javier Solana, një politikan që më herët ishte edhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Sa është Mogherini e suksesshme mjafton të kuptojmë nëse Kosovën dhe dialogun me Serbinë e konsiderojnë si suksesin më të madh. E çfarë është arritur në atë dialog. Shumë pak do të thoshim, ndërsa ata që janë më kritikë do të thoshin “pothuajse asgjë”. Nuk është hapur as ura në Mitrovicë, raportet mes Kosovës e Serbisë nuk janë aspak normale, ndërsa tash një kohë të gjatë as që ka pasur takime të palëve të përfshira në këtë dialog.
E ndërkohë Kosovës dialogu i ka bërë shumë dëme. Gjithçka është vënë në shërbim të dialogut, ndërsa dialogu nuk ka shërbyer për asgjë. Nga Kosova tash e tetë vjet po kërkohet që veprimet e saj t’ua përshtatë nevojave të dialogut me Serbinë, që është zhvilluar në Bruksel. E madje edhe në temat që nuk janë në mënyrë direkte të lidhua me dialogun. Por dialogu Kosovës nuk i ka shërbyer asgjë deri më tash, pos që i ka bërë dëm, sepse është përdorur me sukses nga Serbia për të penguar njohjet e Pavarësisë dhe për t’i suspenduar disa prej njohjeve. Pothuajse të gjitha arsyetimet e shteteve nga Afrika apo ndonjë kontinent tjetër që e kanë tërhequr njohjen e Kosovës kanë qenë të lidhura me dialogun. Serbia po e prezanton dialogun si dëshmi se statusi i Kosovës nuk është çështje e mbyllur dhe, po të ishte e mbyllur, Kosova nuk do të merrte pjesë në këtë dialog. Pra, Serbia po e prezanton dialogun sikur negociata për “zgjidhjen e problemit të Kosovës” apo të “çështjes së Kosovës”. Një arsyetim i tillë po pranohet gjithnjë e më shumë nëpër botë, sidomos tash kur nga Kosova kanë ardhur zëra për gatishmërinë e ndryshimit të kufijve. BE-ja po hesht ndaj kësaj dhe asnjëherë nuk ka thënë se dialogu nuk mund të përdoret për këtë destruksion ndaj subjektivizimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Pra, me këtë BE-ja po shkon madje edhe përtej “neutralitetit ndaj statusit”, sepse po lejon që dialogu të përdoret kundër statusit të Kosovës si shtet i pavarur.
Kundërshtimi i Serbisë që Kosova të anëtarësohet në UNESCO dhe në Interpol, sikur edhe kërkesa që të tërhiqen njohjet, janë direkt të lidhura me dialogun. Së paku Serbia po i lidh. E Kosova nuk e ka konsideruar këtë fakt asnjëherë si arsye për t’u tërhequr nga dialogu, përderisa kjo sjellje të mos ndalet. E as BE-ja nuk e ka parë të arsyeshme që të reagojë. Madje në BE, sidomos në Zyrën e zonjës Mogherini, vetëm e arsyetojnë Serbinë duke pranuar në heshtje se përmes dialogut nuk është marrë asnjë përgjegjësi që të mos pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare e as njohjet e Kosovës.
kur Kosova ka vendosur taksa për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, një masë e tillë është kritikuar ashpër nga BE-ja. Dhe BE-ja e ka pranuar pa asnjë kundërshtim argumentin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog përderisa të mos hiqet taksa. Edhe pse taksa si e tillë nuk ka lidhje direkte me dialogun.
Edhe në vitin e fundit të mandatit të saj në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini po vazhdon ta përmendë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si një prej sukseseve më të mëdha në mandatin e saj. Edhe pse ky dialog është tash në një rrugë qorre, Mogherini paralajmëron se, sapo të hiqet taksa të nesërmen do t’i thërrasë dy presidentët, ndoshta edhe të mbyllen ditë e natë, për të arritur marrëveshjen për normalizimin e raporteve. Por prapë në shërbim të dialogut duhet të jetë Kosova. Në shërbim të dialogut, e jo sipas logjikës ekonomike apo arsyeve të tjera logjike, Kosova duhet të heqë taksat për të hapur rrugë për vazhdimin e dialogut. Prapë kërkohet që Kosova të jetë në shërbim të dialogut e jo dialogu në shërbim të Kosovës.
Sa jokorrektë janë në BE kur mundohen, në bisedë me kosovarë, të krijojnë përshtypjen se edhe anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA dhe në Komitetin Olimpik është rezultat i dialogut në Bruksel. Kjo do të mundë të ishte e vërtetë sikur Serbia të mos i kishte kundërshtuar këto anëtarësime. E Serbia me çdo kusht është munduar t’i pengojë ato, por pa sukses. Sepse sportistët kosovarë dhe miqtë e tyre kanë qenë më të suksesshëm sesa politikanët kosovarë. Serbia e pengon Kosovën kudo që ka mundësi, nga sporti, kultura e deri tek policia e politika. E BE-së një sjellje e tillë e Serbisë nuk i pengon. Mund të kuptohen arsyet e zemërimit me mënyrën sesi Kosova ka vendosur taksën. Por nga ana tjetër nuk është e kuptueshme sesi BE-ja ka pranuar që Serbia të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksave, përderisa Kosovës asnjëherë nuk i është arsyetuar zemërimi për mungesën e përfitimeve nga dialogu, sidomos për dëmet që i janë bërë Kosovës me këtë dialog.