Nga Luan Rama, Zevendeskryetar i LSI/
Gent Cakaj mund të jetë vërtetë një djalë i mirë; mund të jetë edhe i gjithëditur e i shumëlexuar, mund të jetë edhe i shumëdiplomuar dhe i shumëkënduar, i shumëkërkuar dhe i shumëçmuar, i shumëndritur dhe i shumëlëçitur, por më parë se të na dëshmojë që është i tillë, ai duhet mësuar dhe duhet rritur!
Duhet mësuar që të mos pranojë të keqpërdoret, duhet mësuar që të mos pranojë të shpërdorohet!
Duhet rritur e mësuar që të kuptojë e të dijë se si të sillet kur është me më të mëdhenjtë, anipse ata mund të mos jenë aq të ditur sa ai. Por duhet rritur e mësuar se si të sillet edhe me të tjerët, me të gjithë.
Duhet mësuar që kur u drejtohesh qytetarëve në një sallë, në një auditor, në një aulë a takim, është mungesë respekti për veten dhe për ta nëse shkon me duar në xhepa. Ndaj është më mirë t’i shkruash e t’i lexosh ato që ke ndërmend të thuash!
Sepse nuk është mirë, nuk është bukur të hutohesh e ngatërrohesh.
Përpjekja për t’u shtirur ai që nuk je e që medoemos të tregosh që je i shumëlexuar bën të tregohesh qesharak siç për fat të keq i ndodhi të bëhet edhe Gentit të qeverisë në mbrëmje me përfaqësuesit e shqiptarëve nga diaspora.
Ai i shkreti, duke dashur të dukej sikur ka lexuar dhe mban mend Naim Frashërin, e katranosi gjithë performancën e vet. Dhe një çast solemn e ktheu në parodi të vetes, aq sa të gjithë në sallë, edhe kolegët e tij ministra e qeshën dhe përqeshën!
Ndaj po e ndihmoj me vargjet e poemës “Bagëti e Bujqësi” që ai u rrek t’ i citonte, me qëllim që herën tjetër t’i shkruajë e t’i lexojë me korrektësi. Se nuk është turp që kur nuk i mban mend, t’i lexosh vargjet e poetit tonë kombëtar, vargjet e Namit që poeti i këngës labe Lefter Çipa e cilëson “ … bilbili i vëndeve të mija” e që me monumentalitetin e këngës pilurjote i drejtohet “… lule Naim Shqipëria”.
Ja vargjet e Naimi o Genti i Kryeministrit, të cilat nëse nuk i mëson dot përmendësh, shkruaji që t’i lexosh herë tjetër:
“Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë”.