Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka zgjedhur që në raundin e parë me 2/3 të votave kryetarin e ri që do të drejtojë myslimanët për 5 vitet e ardhshme.
Kryetari i ri është teologu Bujar Spahiu, i cili fitoi me 59 vota kundrejt 26 votave të Ylli Gurrës dhe 2 votave të Gramoz Bllikut.
Spahiu do të ketë një mandat pesë vjeçar në krye të institucionit më të rendësishëm të myslimanëve shqiptarë.
Kush është Bujar Spahiu?
Bujar Spahiu është i martuar dhe babai i dy fëmijëve.
Eshtë teolog me formim të konsoliduar në këtë drejtim. Spahiu ka qenë anëtar në shumë asamble dhe borde në lidhje me çështjeve të Islamit brenda dhe jashtë vendit.
Kryetari i ri i KMSH-së ka përfunduar studimet për teologji në universitetin e "Ez'herit" në Egjipt duke u specializuar në "tefsir" (komentim-interpretim Kurani).
Ky universitet është më i miri në botën Islame dhe përputhet plotësisht me Shkollën Juridike "Hanefi", që praktikohet në Republikën e Shqipërisë.
Spahiu është një ndër figurat e spikatura të Islamit tradicional, të aplikuar ndër shekuj në trevat shqiptare, i cili vlerëson e nxit harmoninë e bashkëjetesën fetare e kulturore.
Më herët, Spahiu ka qenë i angazhuar në mësimdhënie në universitet dhe medresetë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në fushën e specializimit të tij.
Gjatë angazhimit të tij në KMSH, Spahiu ka shërbyer si drejtori i Drejtorisë së Arsimit nga viti 2005 dhe prej vitit 2009 mban detyrën e nënkryetarit.