FATOS LUBONJA
Ashtu siç pritej, pas vendimit të opozitës shqiptare për të lënë mandatet, pasi nuk mund të bëjë më fasadën e një diktature me fytyrë demokratike, euroburokratët perëndimorë erdhën në Tiranë, dënuan bojkotin e i bënë thirrje opozitës të rikthehet në hapësirat e dialogut parlamentar. Qëndrimi i tyre, shkurt mund të përmblidhet në formulën tashmë bajate: Shqipëria ka bërë hapa përpara, prandaj nuk duhet ta bëjë këtë hap prapa. Kjo formulë ishte njëherësh edhe një mbyllje sysh përballë autoritarizmit, korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin në rritje të Edi Ramës.
A duhet kërkuar shkaku i këtij qëndrimi, thjesht në akuzat se një pjesë euroburokratësh janë korruptuar nga narkoshteti i pagëzuar së fundmi nga “The Independent” si “Kolumbia e Europës”? Edhe pse me shumë gjasa fenomeni i korruptimit të euroburokratëve, që sipas “Transparency International” shndërrohen lehtësisht në lobistë, luan një rol, nuk gjykoj se është ky shkaku më i thellë. Duke parë se i njëjti qëndrim është shfaqur edhe ndaj protestave të opozitave në Serbi dhe Malin e Zi, gjykoj se shkaku i mbështetjes duhet kërkuar më thellë: në kontekstin e zhvillimeve në vendet perëndimore gjatë periudhës së Pasluftës së Ftohtë dhe në raportet e ndërtuara midis tyre dhe vendeve të dala nga regjimet komuniste.
KRIZA E NARRATIVËS SË TRANZICIONIT
Narrativa e tranzicionit të vendeve ish-komuniste drejt shteteve të modelit perëndimit, e ndërtuar në fillimvitet ’90, u mbështet në idetë sempliste të “fundit të historisë” së Fukajamës dhe atë të “torn countries” të Huntingtonit. Sipas kësaj narrative, elitave me mendësi perëndimore të vendeve të Lindjes, e kundërt kjo me mendësinë lindore të popullsive të tyre, (prandaj Huntingtoni i quan “torn countries”, vende të përçara), do t’u duhej një kohë relativisht e gjatë për t’i udhëhequr popujt e tyre për në “tokën e premtuar”, që vendet perëndimore e kishin arritur tashmë (fundi i historisë). Imagjinata e këtij rrugëtimi u quajt “tranzicion”, i cili do të realizonte zgjerimin e Europës sipas një modeli që do të pushtonte më pas krejt botën.
Roli i elitave politike perëndimore ndaj vendeve të Lindjes gjatë këtyre 28 vjetëve u bë ai i udhëzuesit dhe kontrollorit të këtij tranzicionit, që aq shpesh e kemi parë të shprehet nëpërmjet formulës: keni bërë hapa përpara drejt standardeve tona, por duhet të ecni akoma për të arritur te ne. Ndërkaq, elitat e Lindjes morën këtë rol që u siguronte edhe legjitimitetin e sundimit. Ato i mbështetën garat e tyre elektorale mbi atë se kush po bënte më shumë për të arritur standardet e diktuara nga perëndimorët për t’u integruar në BE. Disa prej këtyre vendeve e arritën suksesin e hyrjes në BE; të tjerat, si ato të Ballkanit Perëndimor që kishim mbetur në pjesën e fundit të karvanit, sipas narrativës po vazhdojnë gjithsesi të sigurta ecjen përpara në drejtimin e duhur.
Mirëpo, prapa këtij rrugëtimi virtual, propagandistik, në realitet ka ndodhur një rrugëtim tjetër, si në vendet perëndimore edhe në ato lindore, që i ka çuar këto vende në pika shumë të ndryshme në krahasim me konvergjencën e pritshme të fillimviteve ’90. Për sa i përket Perëndimit, mjaft të kemi parasysh ardhjen e Trump-it në SHBA, Brexit-in dhe lëvizjet sovraniste në vendet e BE-së; për sa i përket Lindjes, mjaft të kemi parasysh zhvillimet autoritariste autokratike në vende tashmë anëtare të BE-së si Hungaria apo Polonia, për të mos folur për vende që ende nuk janë bërë pjesë e BE-së, siç janë Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, ku asistojmë në një kapje gjithnjë e më dramatike të shtetit nga oligarkitë kriminale. Nëse kemi parasysh se në fillimvitet ‘90 në narrativën e tranzicionit përfshihej edhe Turqia dhe Rusia, pamja e rrugëtimit real bëhet edhe më komplekse.
Shqipëria ka të përbashkëtat e veta me vendet e tjera ish- komuniste në këtë histori, por edhe veçantitë e veta që e bëjnë një nga shprehëset më ndriçuese të krizës së narracionit të tranzicionit. Ka të dhëna të shumta që provojnë se gjatë këtyre 25 vjetëve, më shumë sesa hapa para përdrejt modelit ideal perëndimor të “shtetit të së drejtës”, vendi ka ecur në drejtim të gabuar. Do të përmendja vetëm tri më kryesoret. Së pari, ekonomia shqiptare, që ka qenë gjithnjë e dobët, informale dhe e lidhur me krimin, gjatë viteve të fundit është mbështetur si kurrë ndonjëherë më parë në paratë e krimit të organizuar. Mjaft të kesh parasysh burimin e parave të investuara për bumin e ndërtimeve në Tiranë gjatë dy-tri viteve të fundit për ta konstatuar këtë. Së dyti, mu për shkak të këtij fenomeni social – ekonomik, edhe politika shqiptare është bërë gjithnjë e më shumë përfaqësuese dhe menaxhere e interesave të krimit, duke degjeneruar në një sistem gjithnjë e më autoritar me ngushtim të hapësirave demokratike. Hyrja e trafikantëve dhe vrasësve deri në Parlament nuk është një rastësi. Së treti, si rrjedhojë e dëshpërimit që ka krijuar ky tranzicion drejt më së keqes, numri i shqiptarëve që ikin nga vendi është rritur dramatikisht vitet e fundit. (Sipas një sondazhi të Galupit të vitit 2017, 56 % e shqiptarëve duan të migrojnë).
Pra, ndryshe nga ç’reklamojnë euroburokratët perëndimorë, sot nuk mund të flitet më për tranzicion drejt shtetit të së drejtës, por për instalimin e një e regjimi autoritarist me prirje për t’u përkeqësuar. Po përse ata ngulmojnë të pohojnë se vendi ka bërë hapa përpara, paçka se kur trajtojnë ecuritë në vendet e tyre gjatë kohëve të fundit nuk ngurrojnë të flasin për hapa të rrezikshme prapa. Gjykoj se, në thelb, kjo ndodh për shkak se sëmundja që e ka shkaktuar krizën, si andej dhe këtej, është e përbashkët.
NEOLIBERIZMI
Në fillim të viteve ’90, modeli ideal që u paraqit si “fundi i historisë” ishte ai i triumfit të neoliberizmit ndaj socializmit real, etatizmit apo kapitalizmit shtetëror që u mbështet në idenë e Thatcher-it: “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë”. Edhe si reaksion ndaj këtyre, u harrua se njeriu është edhe një qe nie sociale, që, përveç jetës individuale në një të tashme pa të kaluar e të ardhme, ka nevojë edhe për një projekt që lidh këtë të tashme me të kaluarën e me të ardhmen. Triumfi i “Hommo economicus”, që krijoi iluzionin e më shumë lirie dhe pasurie për individin, i hapi rrugën një rendje të shfrenuar pas pasurimit me pasoja varfërimin e shumicës dhe pasurimin e një pakice. Ky polarizim në rritje prodhoi postdemokracinë në Perëndim (Colin Crouch), një sistem ku vendimmarrja diktohet gjithnjë e më shumë nga interesat e një pakice të etur për para dhe pushtet, ku politikanët janë kthyer nga shërbëtorë të publikes në menaxherë të interesave ekonomike të kësaj pakice.
Për vende si Shqipëria mund të thuhet se, nëse gjysma e së keqes i vjen nga trashëgimia e së kaluarës, gjysma tjetër i vjen ngase zhvillimet postkomuniste në Shqipëri janë edhe reflektimi më i keq, më dramatik, i postdemokracisë së prodhuar nga neoliberizmi në Perëndim.
PSE THEM “MË I KEQ”, “MË DRAMATIK’”?
Së pari, sepse nëse vendet perëndimore, duke pas njohur demokracinë, kanë krijuar reagimin e tyre imunitar ndaj vendimmarrjeve postdemokratike të pakicave sunduese, së fundi edhe nëpërmjet lëvizjeve të ashtuquajtura populiste të majta dhe të djathta (që në thelbin e tyre i bashkon qëndrimi kundër kastës neoliberale, si dhe nevoja për një rikthim te socialja, komunitarja), në vendet si Shqipëria, po të përdorim termin e Crouch mund të themi se pakicat sunduese i kanë çuar këto vende nga diktatura direkt në postdemokraci, pa pasur sistem imunitar mbrojtës, me sjellje dhe vendimmarrje shumë të ngjashme me ato të ish-nomenklaturave të komunizmit dhe liderëve të tyre arrogantë dhe autokratë. Së dyti, sepse nëse oligarkitë perëndimore gjithsesi kanë vepruar në një kuadër ligjor, me ndarje pushteti dhe kanë zhvilluar gjithsesi një ekonomi që prodhon të mira materiale, një model zhvillimi që synon tek ekonomia e qëndrueshme, në Shqipëri oligarkia dhe krimi i organizuar, kanë vepruar dhe veprojnë pa asnjë kontroll nga institucionet shtetërore, ligji, drejtësia dhe mediat, të cilat i kanë si ana tjetër e medaljes së pushtetit të tyre ekonomik.
SI PËRFUNDIM
Ngulmimi i euroburokratëve për të folur për përparim të vendeve si Shqipëria në drejtim të integrimit në BE, në thelb buron nga refuzimi i tyre për të njohur dështimet që ka krijuar neoliberizmi si në vendet e tyre edhe ndaj projektit europian. Ata përpiqen të ruajnë narrativën e tranzicionit, sipas së cilës vende si Shqipëria janë ndryshe thjesht për shkak të së kaluarës komuniste, për të mos parë se këto vende janë edhe manifestimi më i rëndë i sëmundjes që ka kapluar vendet e tyre, i dështimit të tyre. Në këtë përpjekje, ata kanë të përbashkët me autokratët properëndimore të Ballkanit edhe nevojën e ruajtjes së narrativës së tranzicionit si ideologji pushteti, mbështetjen e njëritjetrit duke ngritur alarmin e rrezikimit të kësaj narrative, që ua faturojnë lëvizjeve që i etiketojnë si populistë të majtë edhe të djathtë, apo efekteve të gjeopolitikave të vendeve armike si Rusia, por kurrsesi gabimeve të rënda që kanë bërë gjatë këtyre tri dekadave. Edhe qëndrimi i fundit ndaj opozitës shqiptare, si gjoja penguese e përparimit të Shqipërisë drejt Europës, duhet parë si produkt i këtyre nevojave.
Ndërkaq, duke vazhduar të sillen kështu, euroburokratët perëndimorë po i shëmbëllejnë gjithnjë e më shumë atij gomarit të anekdotës që, ndërkohë që po e hante ujku, thoshte: “Do Zoti jam në ëndërr”.