Në krye të Policisë së Vlorës është emëruar një emër i njohur i Policisë së Shtetit, Artion Duka, ish-Drejtori i Forcave Operacionale. Duka, që ngjiti sot një shkallë më lart në karrierën e tij, u bë i famshëm për shkakun se u vu në arrest shtëpie për skandalin e pajisjes së përgjimit IMSI Catcher dhe në Gjykatën e Tiranës, bashkë me specialistin e tij Entjol Xhelilaj, luajtën një komedi të zezë duke nxjerrë trëndafila nga valixhja ku supozohej se mbanin pajisjen me të cilën përgjonin opozitën.
Ish-Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka reaguar që në atë kohë për mbajtjen ende në radhët e Policisë të Artion Dukës, qëkurse ai pas skandalit të denonduar fort nga opozita, u emërua Drejtor i Policisë së Beratit. Noka akuzoi ish-ministrin Xhafaj për emërimin e Dukës: “Fatmir, merre ligjin e Vettingut në Polici, zieje dhe pija lëngun. Një gote nga ky çaji jepja dhe Ramës. Artion Duka, ish-shefi i Operacionales që është në hetim pasi mori në dorëzim, administroi dhe përdori paligjshmërisht pajisjen e famshme IMSI Catcher për të përgjuar gazetarë, politikanë, analistë e ambasadorë, sot u emërua drejtor i Policisë, qarkut Berat,” tha Noka.