Departamenti i Shtetit në SHBA publikoi të mërkurën raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut në botë. Pavarësisht se si mund ta lexojnë palët, në thelb raporti mbetet shumë kritik dhe ofron një panoramë të zymtë për vendin.
“Në qershor të vitit 2017, vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë njoftoi se zgjedhjet respektuan liritë themelore, por u dëmtuan nga akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit,” thuhet që në paragrafin e parë të raportit.
‘Shuplaka’ tjetër vijon në fjalinë e radhës. “Problemet e të drejtave të njeriut përfshijnë korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisjes”, thekson DASH.
“Mosndëshkimi mbetet problem. Hetimet, dhe në veçanti dënimet, e zyrtarëve që kanë bërë abuzime, mbeten sporadike dhe jokonsistente. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi ishin në gjendje që të shmangnin shpesh ndjekjen penale”.
Më poshtë në kapitullin për korrupsionin dhe mungesën e transparencës në qeverisjes, thuhet: “Ligji parashikon ndëshkime penale për korrupsion për zyrtarët publikë, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive dhe zyrtarët shpesh u angazhuan në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.
“Një numër agjencish qeveritare hetuan rastet e korrupsionit, por burimet e kufizuara, rrjedhjet hetimore dhe presionin real dhe i perceptuar politik penguan hetimet”.
Raporti vazhdon më pas me lirinë e medias, duke u shprehur shumë ashpër për situatën në vend.