Kjo Rilindja jonë e vonuar do të mbahet mend gjatë, si pushteti që kërkoi ta zhvlerësojë politikën nga roli parësor që ajo duhet të ketë, për t’u dhënë përgjigje e zgjidhje problemeve me të cilat përballet shoqëria e kombi, për ta kthyer në një model që e zhveshi lakuriq demokracinë, duke deformuar raportin e saj me qytetarin.
Opozita e zgjedhur nga vota sot ndodhet jashtë Parlamentit. Një opozitë butaforike, gjithnjë e më pak përfaqësuese, jo vetëm me kredenciale, por edhe vota, po i zë vendin, duke u shfaqur groteske për motivin pse ndodhet aty, në Parlament.
Praktikisht, opozita natyrale po përfundon e zëvendësuar me një produkt politik të modifikuar gjenetikisht, sipas shijes së mazhorancës dhe që fatkeqësisht, është i ambalazhuar edhe nga një sistem zgjedhor që ka treguar se po deformon vullnetin e sovranit.
Epilogu i ngjarjeve që po jetojmë duhet të ishte i pritshëm dhe nuk kishte pse të na zinte kaq gafil.
Edi Rama, sot kryeministër fuqiplotë, e konsolidoi karrierën e tij politike në krye të Partisë Socialiste duke “prokuruar në mënyrë të drejtpërdrejtë e me negociatë” një kandidaturë alternative, që i jepte në fakt atij fitoren në tavolinë, pa nisur gara. Besoj ju kujtohet Maqo Lakrori, i cili bënte fushatë kundër Ramës, duke gjezdisur me Mercedes-in e Ramës e duke përgatitur fjalimin alternativ në krah të tij.
Në distancën kohore që nga gara në PS e deri më sot në vitin 2019, vitet e kaluara dhe ngjarjet politike për të cilat kemi qenë dëshmitarë vetëm sa konfirmuan profilin politik të liderit të Rilindjes, i cili nuk pranon opsione e as konkurrentë politikë. Edhe aty ku është i detyruar t’i pranojë, ai përpiqet t’i zgjedhë sipas vizionit e modelit të tij: të vegjël, sa më pak sfidues e mundësisht të përulur.
Por, nëse atëherë rrezja i interesit të publikut kufizohej vetëm brenda jetës dhe demokracisë së Partisë Socialiste, efekti i Rilindjes në pushtet, tani në mandatin e dytë, është shumë më i gjerë e i fortë, njëkohësisht dhe prek shumë më tepër njerëz. Publiku mbajti një sy mbyllur për atë që po ndodhte brenda partisë së ashtuquajtur të majtë në Shqipëri, pa e shqetësuar se ajo që gatuhej aty, do të ishte nesër pjata kryesore e menusë qeverisëse të Rilindjes.
Dhe ja ku gjendemi sot, përballë një momenti mjaft të vështirë e të rrezikshëm për të ardhmen e demokracisë në vend, por edhe në një moment delikat historik për kombin tonë. Rilindja nuk duket e shqetësuar nga djegia e mandateve të opozitës dhe kërkon me një mendjelehtësi të pafalshme nga pozita qeverisëse të zëvendësojë edhe popullin, pasi duke prodhuar një opozitë artificiale, praktikisht ka eliminuar popullin opozitar, duke i hequr fuqinë që të jep demokracia, mundësinë për t’u përfaqësuar, për t’u dëgjuar, por edhe për të kontrolluar.
Por, a mund të ndodhë kjo në demokraci, ku pushteti është shprehje e vullnetit të publikut dhe këtij pushteti opozitën ia ka caktuar po publiku dhe për të cilin pushteti nuk ka aspak të drejtë? Veprimi në kundërshtim me këtë vullnet është vetëm shkelje e këtij vullneti, përkatësisht i shprehur ligjërisht si shkelje e kushtetuese.
A me gjithë mend ju shkon ndër mend Rilindësve se mund të prokurohet e tenderohet një popull apo opozita që e përfaqëson atë, ashtu si kundërshtarët politikë brenda partisë?! Mirë është të mbajnë parasysh se edhe diktaturat nuk i kanë mundur dot popujt, veçanërisht në kohët që jetojmë. Por ndoshta kështu si kanë precipituar ngjarjet, zgjidhja mbase do të duhet të vijë nga pika ku gjithë kjo frymë përjashtuese e Rilindjes u ngjiz, pra nga vetë brenda Partisë Socialiste, me shpresën se ka mbetur ende aty një shkallë përfaqësimi qytetar më e madhe nga ajo e atyre që përfaqësojnë përfitimet prej pushtetit./ Monitor.al