Nga Qemal SAKAJEVA
Të gjitha vendet e Ballkanit, të emërtuara “Brukselisht” si Perëndimi i Gadishullit - Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova - përgatitjen e turshive gjatë vjeshtës e kanë mjeshtëri kulinarie, shtëpiake dhe industriale: perime të ndryshme i futin për t’u regjur me kripë ose me uthull në vozë, kade, çeberr, shekë ose tinar (sa shumë lloje enësh prej druri për to!), apo qypa të mëdhenj qeramike, ndërsa industrialisht në kavanoza qelqi, për t’u ngrënë gjatë dimrit. Këto gjashtë vende, qysh nga Samiti i 12 korrikut 2017, mbledhur në Trieste të Italisë, përfundimisht janë futur turshi, për t’u përdorur s’dihet se kur?! Bashkimi Europian nuk thotë kohë të caktuar, ndërsa shtetet do të dalin nga qypi një nga një dhe jo në grup, mirëpo duke dëgjuar amerikanët (dihet që amerikanët janë më të saktë edhe politikisht) - siç pati thënë Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee - këtyre vendeve do t’u duhen edhe 30 vjet të tjerë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Për këso rastesh, në Myzeqe thuhet: “Siç tregojnë bathët, pashkët janë larg”.
Shqiptarët, por dhe serbët, maqedonasit, malazezët, boshnjakët, popullit të Kosovës, nëse do t’u ishte thënë që, as 26 vjet pas shembjes së komunizmit - një brez i plotë njerëzor - nuk do të qenë gati të pranoheshin në “Parajsë”, domethënë në Bashkimin Europian (E duam Shqipërinë si gjithë Europa), ndoshta nuk do të kishin patur entuziazmin e jashtëzakonshëm për shndërrimet demokratike, të bënin kaq sa kanë bërë. Por kur edhe pas 26 vitesh nuk u caktohet një kohë (Aleksandër Vuçiç tha në Bruksel se nuk do të mund të presin “si patat në mjegull”), apo u thuhet flurthi “pas 30 vitesh të tjerë” - edhe një brez tjetër njerëzor më vonë - ndër shqiptar kjo bisedohet sipas thënies së tyre që, “deri atëherë nuk i dihet, o gomari, o i zoti”.
Edhe në Bashkimin Europian, edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, të rënë në një emërues të përbashkët fare pa bisedime, e kanë përcaktuar shkakun e stërzgjatjes sipas hallit të vetvetes: Brukseli ka pranuar se është i “lodhur nga zgjerimi” (Jean -Claude Junker ka thënë “nuk e kemi mendjen te zgjerimi”), kryeqytetet e vendeve “turshi” u kundërpërgjigjën secili për vete se janë të “lodhur nga durimi”. Në rrethanat politike të lodhjes së ndërsjellë “të heronjve”, Bashkimi Europian i shkundur nga themelet prej Brexit-it dhe i tronditur financiarisht deri në majë nga borxhet e çmendura greke, shpiku mekanizmin stërvitor të zonës ekonomike rajonale për të gjashtë vendet të cilin, nëpër këtë hapësirë ballkanike por dhe në atë europiane, e cilësojnë si krijim i Jugosllavisë së Re + Shqipëria. Ka të tjerë që, këtë e quajnë hamendësim prej nostalgjisë, madje e cilësojnë idiotësi e marrëzi të atyre që e thonë. Por ky detyrim europian, gjerësisht po lexohet edhe kështu: as futje në oborrin e BE të Ballkanit Perëndimor, as lëshim i Ballkanit Perëndimor në prehër të Rusisë.
Ndërsa shtetarët thoshin e thonë e do të thonë se mendojnë për të gjithë, qytetarët kanë bërë, po bëjnë e do të bëjnë zgjidhje veç e veç. Sipas statistikave 40 për qind e shqiptarëve kanë emigruar në vende të Bashkimit Europian, në SHBA e në Kanada. Po të llogarisim që në Shqipëri ka 650 000 pensionistë dhe 700 000 fëmijë e të rinj që shkojnë në shkolla, i bie që në vend të ketë mbetur një popullsi e pakët, e moshës përtej shkollës dhe para pensionimit.
Arsyeja e këtij vonimi infinit? Ndër qytetarë ballkanas thuhet “për shkak të Rusisë”. Serbët e Malit të Zi dhe të Serbisë, por dhe maqedonasit besojnë te Bashkimi Europian në një përqindje aq të ulët sa të lind dyshimi, a mos vonesat e integrimit vijnë prej sllavëve të jugut? Kurse shqiptarët - të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi - e mbështetin pa kushte ekzistencën e Bashkimit Europian dhe ëndërrimi më i fuqishëm i tyre është qenia pjesë e tij.