Edhe DASH hedh bojë të zezë…

Premte, 29 Mars 2019 16:10

Nga Ylli Dylgjeri 
  
 
Dje pas bojës së zezë që Opozita hodhi mbi muret e Ministrisë së Brendshme, është Departamenti Amerikan i Shtetit që hodhi të zezën mbi të bardhë mbi institucionet e sigurisë kombëtare dhe Qeverinë Shqiptare. Bojë kjo që s’mund të lahet kollaj nga zorrët e ujit të Bashkisë së Tiranës.

Raporti demaskon rast pas rasti të tërë propagandën e derisotme të qeverisjes Rama.

Raporti heq pa mëshirë ngjyrat e penelatave të liderit Rilindas, duke u rithënë shqiptarëve ato të vërteta të mohuara, të tjetërsuara, apo të përgënjeshtruara nga propaganda qeverisëse.

 

Ja ç’thotë Raporti i DASH:

‘Korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve’

Çfarë na ka thënë deri më sot propaganda?

‘…droga nuk është fenomen i sotëm, ai është i trashëguar nga qeverisjet. Qeverisja e sotme ka marrë masa për të zvogëluar në maksimum mbjelljen e parcelave me kanabis…!’

Vazhdojmë me DASH:

‘…Korrupsioni zyrtar, thuhet aty është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar’…

Çfarë thotë prapaganda Rama:

Rekrutimet në administratën e lartë janë bërë sipas reformës në administratë dhe Ligjit të Shërbimit Civil…të amenduar!

Vazhdon më tej DASH:

‘…shkalla e lartë e papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar që shkaktojnë problemin e kontrollit të drogës në Shqipëri…’

Çfarë thotë prapaganda Rama:

‘Po punësojmë të rinj ekselentë në administratë (kryesisht vajza)..,

duke lënë kështu pas dore hapjen e vendeve të punës për shtresat e varfëra që janë objekt rekrutimi nga krimi i organizuar dhe potencial emigrimi në europë.

Vijon DASH:

‘…gjatë vitit 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare…duke vënë gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare…’

Çfarë thotë propaganda Rama:

Vijon dhënien me sukses klientelës qeverisëse të koncesioneve, PPP-ve në ekonomi, duke mos njohur efektivitetin financiar, duke rritur borxhin publik dhe kolapsimin e financave publike. Bllokimin ndërkohë edhe i zgjedhjes së Kryetarit të Kontrollit të Shtetit mbetet një vijë sjellje e klientelizmit qeverisës.

Së fundi Raporti thekson se Shqipëria shërben si bazë për operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara , Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut’

Propaganda Rama për këtë pikë e ka më të lehtë, sepse pas çdo operacioni ndërkombëtar kundër krimit nacional e merr edhe ajo autorësinë e suksesit!

Kjo ishte boja e zezë e DASH-it.

Login to post comments