“Katërkëmbëshi” i marrjes së jetëve

Diel, 31 Mars 2019 17:04

Nga Qemal SAKAJEVA

I ashtunjohuri trekëmbësh i marrjes së jetëve, si mjet dhe mënyrë ekzekutimi, më së voni i përket diktaturës komuniste, deri edhe viteve të para të demokracisë kur Shqipëria iu bashkua Europës dhe e hoqi dënimin me vdekje. Atëherë, domethënë në të shkuarën, përdoreshin dy thënie për të njëjtin veprim: “e varën në litar”, ose “e çuan te trekëmbëshi”. Herë pas here, sidomos kur ndodhin krime të shëmtuara, individë dhe forca politike kërkojnë rivendosjen e dënimit me vdekje. Edhe pse janë të bindur se nuk ka kthim, zërin e ngrenë për zgjimin e opinionit kundër  krimit.

Në kuptimin metaforik, trekembëshi i marrjes së jetëve është pozicionuar e s’luan vendi mes shoqërisë, le ta quajmë me “krimin katërkëndor”.

  1. Vdekje të shumta nga aksidentet automobilistike.
  2. Vrasje të urryera brenda familjes.
  3. Vrasje për shkak të trafiqeve.
  4. Vetëvrasje të dhimbshme pa shpjegime.

Vdekjet nga aksidentet automoblistike, që kur shqiptarët u futën në tjetër sistem shoqëror dhe u bënë zotërues të një automjeti, për nga numri mund të krahasohen me pasojat e një konflikti luftarak. Kushtet për t’i parandaluar aksidentet automobilistike kanë ndryshuar. Kuadri ligjor është plotësuar dhe bashkëkohor. Automjetet janë më të mira teknikisht. Infrastruktura rrugore është përmirësuar pandërprerë. Shqiptarët janë më të aftësuar si drejtues të mjeteve. Policia rrugore është më e pajisur dhe më kontrolluese. Megjithëkëtë, ende ka shumë aksidente dhe, ndoshta, shkaqet kryesore janë: shkelja e rregullave të qarkullimit, shpejtësia e madhe, pirja e alkoolit, gjendja teknike e automjeteve. Por Lufta e Rrugëve ështe mjaft e rrezikshme, sepse zë kreun e listës së të vrarëve dhe të plagosurve. Familjet humbasin përgjithmonë më të dashurit dhe ekonomia u goditet shkatërrueshëm për disa sekonda. Atyre u duhet të përballojnë edhe shpenzime të mëdha për kurimin e të plagosurve.

Këndi tjetër i krimit i përket vrasjeve brenda familjes. Viktima numër një janë gratë. Rastet e ekzekutimit edhe në mënyra më makabre nuk janë të pakta. Dhuna mbetet e panjohur dhe e pandëshkuar ngaqë nuk denoncohet, sepse gratë bëjnë sakrifica të skajshme për ta mbijetuar familjen për hir të fëmijëve dhe për shkak të opinionit; ato nuk ndërmarrin hapa jetikë për t’i shpëtuar dhunës fizike, psiqike e verbale, e cila nuk fshihet më vetëm pasi kryhet vrasja. Shkaqet e shpeshtimit të këtij krimi të neveritshëm janë tradicionalë e bashkëkohorë; të njohur e të paprovuar më parë; ekonomikë e socialë; të konservatorizmit e të liberalizmit; të pakulturimit e të civilizimit; por caku ku ka mbërritur është tejet kritik. Krimi në familje nuk pranon ndjesë.

Kurse vrasjet për shkak të trafiqeve kryhen me egërsi dhe plot urrejtje, ato  janë të fshehta  si dhe dosjet nën hetim.

Këndi i katërt i krimit është vetëvrasja. Kombi ynë, që e ka parë vetëvrasjen si diçka të padenjë për njeriun, tanimë i është bashkuar popujve që me kohë i ka pllakosur ky kob. Nëse vdekjet nga aksidentet automobilistike shihen dhe zhurmojnë; nëse vrasjet brenda familjes këlthasin e revoltojnë; vetëvrasjet heshtojnë që nga veprimi deri në varrezë. Ato mbeten edhe pa ngushëllim, përderisa të gjallët nuk bëhen shpëtues, të paktën për t’i dhënë përgjigje pyetjes: “pse ndodhi?” dhe  “ a  është kush përgjegjës?”

Shkatërrimi i katërkëmbëshit të marrjes së jetëve i ngritur frikshëm mes shoqërisë është më i rëndësishëm se sa heqja e dënimit me vdekje.

Login to post comments