Cfarë tha populli?

Premte, 05 Prill 2019 17:02

Nga Berat Buzhala

Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, Clement Attlee, ia kishte mohuar liderit historik të Britanisë së Madhe organizimin e një referendumi për t’i shtyrë zgjedhjet në këtë shtet si pasojë e luftës. “Referendumet janë mjete që përdorën nga diktatorët dhe demagogët për t’i përligjur veprimet e tyre”, kishte thënë Attlee. E gjitha bota ka mësuar nga kjo këshillë, përveç britanikëve që ranë në këtë kurth.

(Vazhdimi i tretë)

Mediat më të mëdha botërore tash sa herë raportojnë për Brexit’in në anën e djathtë të ekranit e mbajnë një orë që numëron prapa, për ta ilustruar edhe sa ditë kanë mbetur deri te përplasja – dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje. Edhe tetë ditë. Pas dështimesh të njëpasnjëshme Kryeministrja Theresa May është dorëzuar. Për herë të parë në këto dite vite ajo e ka ngritur flamurin e bardhë për të kërkuar ndihmën e laburistëve. Dorën e zgjatur të saj e ka mirëpritur Jeremy Corbin. Të dytë janë zotuar që tash do të provojnë që ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët, që shumëkush e paramendon një dalje të butë të Britanisë, të tipit të Norvegjisë, ku ruhet tregu i përbashkët dhe unioni doganor i përbashkët.

Por ky zotim i këtyre dy liderëve për të punuar bashkërisht në këtë drejtim nuk u ka dhënë shumë garanci deputetëve të Parlamentit të Britanisë së Madhe. Befasisht mbrëmë vonë ka kaluar një projekt ligj i sponsorizuar nga deputetja Yvette Cooper, nga Partia Laburiste, i cili ligj e ndalon daljen e Britanisë së Madhe pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian. Ky ligj, besoni ose jo, ka kaluar për një votë më tepër. Në anën tjetër eksponentët radikal vazhdojnë ta rrisin presionin ndaj deputetëve, disa prej tyre duke i quajtur ‘tradhtar’ pasi që nuk po e implementojnë ‘vullnetin e popullit’ për të dalë nga BE. “Brexit nënkupton Brexit”, thonë ata. Në llogari të deputetëve të moderuar kanë filluar të shkojnë edhe kërcënime

Sido që të jetë, se çfarë ka thënë populli në referendum është më shumë çështje interpretimesh. Populli kishte thënë në referendum se dëshironte që shteti i tyre të largohej nga bashkimi Evropian, mirëpo ai nuk kishte treguar se në çfarë forme dëshironte të dilte prej këtij bashkimi shtetesh. Pyetja kishte qenë banalisht e thjeshtë: a dëshironi që Britania e Madhe të del nga BE? Me një shumicë minimale ata kishin thënë PO, por nuk kishin treguar, e as nuk ishin pyetur, se si dëshironin të dilnin.

A do të dëshironin të dilnin pa kurrfarë marrëveshje, thjesht t’i vendosnin kufijtë, të mos kishin as tregti të lirë e as lëvizje të lirë me BE’në dhe të ktheheshin siç kishin qenë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore?

Apo, ndoshta, do të dëshironin që të dilnin nga Bashkimi Evropian duke e arritur një marrëveshje me ta, dhe nëse është kështu atëherë për cfarë marrëveshje bëhet fjalë?

Në meny ka shumë të tilla.

Bashkimi Evropian e ka një marrëveshje me Norvegjinë, e ka edhe një tjetër me Kanadanë.

Ka zëra që thonë se ndoshta Britania e Madhe duhet t’i marrë këto marrëveshje copy paste dhe t’i ndërtojë raportet me BE’në mbi këto premisa.

Një marrëveshje të tillë dikush po e quan Norvegjia 2.0. Mirëpo çështja që shtrohet këtu është kjo: atëherë çfarë fitoi Britania e Madhe prej gjithë kësaj katrahure? Cili ishte qëllimi i gjithë kësaj? Nëse ata po kërkojnë dalje të butë, ata thjesht do të duhet t’i respektojnë të gjithë rregullat e Bashkimit Evropian, por duke e humbur të drejtën e votës që e kishin duke qenë pjesë e këtij bashkimi. Në anën tjetër, të gjitha janë të pajtimit që varianti më i keq prej të gjitha varianteve do të ishte që Britania të pres mesnatën e 12 prillit pa arritur asnjë marrëveshje.

Kjo mendohet që do të ishte apokaliptike për ekonominë e këtij shteti. Të nesërmen do të rivendoseshin kufijtë në çdo cep të shtetit. Asgjë nuk do të mund të hynte dhe të dilte pa kaluar nëpër dogana. Kërkesat do të ishin shumëherë më të mëdha se sa mundësitë e administratës shtetërore për t’i procesuar. Mirëpo, besoni ose jo, në Britani ka politikan aq të çmendur që avokojnë për një dalje të tillë. Pra, budallakia nuk është ekskluzivitet vetëm i vendeve të Ballkanit. Kurse sa më shumë që kalojnë orët dhe ditët aq më i mundur është ky opcion.

Gjërat kanë ardhur duke u komplikuar tej mase edhe për shkak të faktit që në muajin maj ka zgjedhje për Parlamentin Evropian. Kjo është edhe arsyeja përse BE i ka kërkuar Britanisë së Madhe që të vendosë për fatin e vet deri me datën 12 prill. Deri me 12 prill britanikët ose duhet të dalin nga BE, ose duhet të kërkojnë të qëndrojnë, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje. Zyrtarët e BE’së, por edhe shtetet si Gjermania dhe Franca, kanë treguar që janë të gatshëm që të bisedojnë me britanikët, nëse këta janë të gatshëm, për të negociuar shtyrjen e daljes nga BE, por në një afat më të gjatë – së paku dy ose tri vjet. Një gjë e tillë do të mund t’i relaksonte të gjithë dhe vendimet do të mund të merreshin me koka më të ftohta.

Të gjithë pajtohen që Bashkimi Evropian, nën orkestrimin e Gjermanisë dhe Francës, ka luajtur shumë ashpër në këtë proces me Britaninë e Madhe.

Janë dy arsye për këtë: e para, që të bindeshin të gjithë ideatorët e Brexitit që Bashkimi Evropian nuk do të vraponte pas tyre, siç kishin proklamuar ata; dhe e dyta, kjo ishte një mundësi e mirë për BE’në për t’iu dhënë një mësim të mirë edhe shoqërive të tjera që do të mund të organizonin referendume të kësaj natyre në të ardhmen, që ato ta shohin se për daljen nga BE paguhet një cmim i lartë. Prandaj, BE nuk po i lëshon asnjë fije pe Britanisë së Madhe. Përndryshe nëse britanikëve do t’u ofrohej një marrëveshje më e favorshme se sa atë që e kanë shtetet anëtare, atëherë cili është kuptimi i Bashkimit Evropian? Pas Britanisë do të dilte Franca, të cilës, madje, euroskeptikët, i kishin farkëtuar edhe emrin – Frexit.


Pas kësaj çfarë po ndodh me Britaninë e Madhe, të gjithë do të mendohen dy herë përpara se të organizojnë referendume. Humbja e një tregu prej 700 milionë banorësh, tregu më i pasur në botë, për krenari historike kushton. Se cili është ai çmim, këtë po e sheh e gjithë bota live në Parlamentin e Britanisë së Madhe. Britania e Madhe për dekada, ndoshta për shekuj, ka shërbyer si model se si duhet të bëhet një shtet, se si duhet të funksionojë burokracia dhe diplomacia. E gjithë bota ka marrë nasihat aty. Nuk mund të themi që edhe tash nuk po shërben si një shkollë e mirë për të mësuar prej saj. Mirëpo saktësisht për të tjera arsye. Është mënyra më ilustrative se si mund të kidnapohet, përmes manipulimit, e gjithë shoqëria. Një shoqëri me një histori të lavdishme qindra vjeçare tash po i numëron orët dhe minutat.

Si duket David Cameron, kur e kishte thirrur referendumin, e kishte harruar një këshillë të një paraardhësi të tij, Clement Attlee, i cili në kulmin e Luftës së Dytë Botërore ia kishte ndaluar një kryeministri tjetër, mjaft të lavdishëm, Ëinston Churchill, që të organizonte një referendum për t’i shtyrë zgjedhjet për shkak të luftës. Attlee, i panjohur për publikun e gjerë, kërkonte zgjedhje e jo referendum. Sipas tij referendumet janë mjete efikase që përdorën nga diktatorët dhe demagogët, si puna e Hitlerit, për t’i përligjur bëmat e tyre.

Prandaj sot, si rrjedhojë e lojërave të rrezikshme politike, një shtet dhe një shoqëri e lavdishme, siç është Britania e Madhe, duke dashur që t’i heq vetullat, si duket, i nxjerri sytë. E gjithë bota po e sheh me mosbesim këtë parodi britanike.

Fund

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...