Nuk mjaftojnë raportimet nga edicioni shqip i Zërit të Amerikës, por tashmë Zëri i Amerikës ka sjellë në Tiranë edhe një të dërguar nga Uashingtoni për edicionin në anglisht.
Gazetarja Sabina Castelfranco ka mbërritur në Tiranë, duke pasur në mendje shqetësimin për mundësinë që zgjedhjet të mbahen pa opozitën.
“Protesta të përjavshme po shënohen në rrugët e Tiranës përpara se BE do të vendosë në qershor nëse do të ecë përpara me bisedimin për pranimin e Shqipërisë si anëtar. PD e opozitës thotë se nuk do marrë pjesë në zgjedhjet lokale në qershor nëse nuk dorëhiqet kryeministri Rama dhe nuk krijohet një qeveri tranzitore,” thuhet në kronikë.
Ajo më pas ka intervistuar kreun e PD, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama.
“Dorëheqje e Ramës dhe një qeveri tranzitore, e përbërë nga socialistë që nuk janë të lidhur me krimin, që do u lirojnë së pari duart prokurorëve për të sjellë përpara drejtësisë politikanët që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet e vitit 2017 dhe do punojnë me opozitën për të përparuar reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi”, thotë Basha.
Kurse Rama thotë se “është vendimi i opozitës nëse duan të marrin pjesë në zgjedhje”.
“Ne jetojmë në një vend të lirë. Natyrisht nuk është akoma një demokraci e konsoliduar. Por jemi mjaftueshëm solidë sa duhet për të kuptuar dhe për t’u sjellë bazuar mbi parimin se zgjedhjet janë për të gjithë”.
Një nga zëdhënëset e KE, Maja Koçijançiç tha për VOA se pavarësisht tensioneve, Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme. Ajo tha se vendimi i opozitës për lënien e mandateve dëmton demokracinë dhe progresin që ka bërë vendi në rrugën drejt BE.
“Njerëzit në rrugë po pyesin se sa legjitime do jenë këto zgjedhje. Basha thotë se nuk është marrë akoma një vendim final për zgjedhjet. Mesa duket, e ardhmja politike dhe rruga e Shqipërisë drejt BE do të jenë sërish të paqarta për momentin,” e mbyll kronikën gazetarja.