Nga Gentian Gaba/
“Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën.”
Kjo është një pjesë e shkëputur nga filipika e së shtunës e Elez Biberaj, shefi i Divizionit të Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, në të cilën skanoi zhvillimet e rrëmujshme të këtushme. Ndër akuzave të shumta në adresë të Ramës, rreshtat e mësipërm përkojnë me një vizion tejet realist mbi atë që mazhoranca konsideron xhevahirin e gjashtëvjeçarit të saj, Reformën në Drejtësi. Sipas ambicieve të brendshme dhe të jashtme, ‘Reforma’ duhet të përfaqësonte zgjidhjen e nyjës gordiane që kishte mbërthyer gjyqësorin.
Mirëpo, dy vite e gjysmë pas ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2016, shpresa për ngritjen e ‘pallatit të ri të drejtësisë’ ia la vendin mosbesimit dhe bindjes se, i gjithë procesi, u cenua nga vullneti i mazhorancës për të kapur politikisht ‘drejtësinë e re’. Z. Biberaj nuk është shqiptari i vetëm që ka humbur besimin tek ‘Refomra në Drejtësi’.
Sipas një anketimi të botuar sot nëpër media të ndryshme, 63% e shqiptarëve nuk besojnë te vettingu. Që do të thotë se pjesa dërrmuese e qytetarëve nuk besojnë se ky instrument i përdorur në kuadër të ‘Reformës’ (por edhe në rrafshin propagandistik, nëpërmjet të cilit mazhoranca qortonte kundërshtaret sipas oreksit të saj për frikë ndaj vettingut) do të pastronte sistemin e drejtësisë.
Nëse nga njëra anë ky sondazh konfirmon perceptimin e krijuar nga ‘standardet e dyfishta’ me të cilat janë trajtuar subjektet e rivlerësimit (gjyqtarë dhe prokurorë), nistorët e anketimit krijojnë premisa për disa hamendësime mjaft interesante, jo vetëm për fatin e ‘Reformës’ por edhe të dinamikës politike që mund nxisë. Bëhet fjalë për Komitetin Shqiptar të Helsinkit dhe Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros), pra dy nga dorëzanët kryesor të kësaj ‘Reforme’. Të cilët, përballë këtyre shifrave dhe akuzave të shumanshme mbi rrezikun që mbarte njëanshmëria me të cilën po implementohej procesi, po kuptojnë se me ‘maskën e reformës’ është mbuluar kapja politike e gjyqësorit nga ana e mazhorancës.
Shifrat e larta që konfirmojnë humbjen e besimit tek ‘Reforma’, sidomos nga momenti që janë publikuar nga Fondacioni Soros, përbëjnë një goditje fatale për mënyrën sesi mazhoranca ka vepruar në zbatimin e saj. Ndoshta ky nuk është ende një ‘mea culpa’ nga ana e filantropit amerikan; megjithatë përbën një kambane të fortë alarmi për ata që nuk kanë dëgjuar zërat që, me të drejtë, kritikonin makutërinë e mazhorancës për të shtrirë nën influencën e saj edhe drejtësinë. Pse jo, edhe një tentativë e njërit prej kumbarëve të ‘Reformës’ për t’i faturuar mazhorancës dështimin, ose, e thënë në gjuhë më popullore, për t’i lënë Ramës ‘kopilin’ tek dera.
Qartësisht ky anketim nuk tregon vetëm deficitin e besimit tek një ‘Reformë’ tashmë të vdekur, por përbën edhe një shpagim moral për ata që e konsideronin të vdekur qysh në lindje. Duke nënkuptuar prishjen e konsensusit me të cilin kaloi në Parlament, dhe përjashtimin e opozitës nga hartimi i 7 ligjeve organike. Që në këtë rast përbëjnë detajet në të cilat është fshehur djalli. Nëse për mazhorancën anketimi dëshmon dështimin spektakolar të investimit më të madh politik të këtyre 6 viteve, për opozitën shënon një oportunitet për të kërkuar një ‘Reformë’ përnjëmend konsensuale.
Pra nuk është vetëm një tjetër armë kundër kundërshtarit politik, që tashmë është beribat përballë shqiptarëve, por një mundësi për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga një ‘Reformë’ e nevojshme për ardhmërinë. Për të cilën, qeveria tranzitore e propozuar nga opozita, përbën shtratin e vetëm nga i cili mund të ngrihet në dobi të interesit publik.