KE: Do të analizojmë praktikat e prokurimit në Shqipëri

E mërkurë, 10 Prill 2019 22:16

Komisioni Evropian tha se do të analizojë praktikat e prokurimit të qeverisë së Shqipërisë, në veçanti ato në lidhje me ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe krijimit të shoqërisë shqiptare të fluturimeve.

Njoftimi vjen në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga anëtari i Parlamentit Evropian, Paul Ruebig, përfaqësues i Partisë Popullore Evropiane.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn shkruante në përgjigjen e tij se “Komisioni është në dijeni të ankesave për mundësinë e shkeljeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit lidhur me ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe të krijimit të shoqërisë Air Albania.”

Zoti Hahn shkruante se “Megjithëse nuk është evidentuar nga analiza e deritanishme shkelje e hapur e marrëveshjes SAA mes BE dhe Shqipërisë, këto shqetësime do të jenë pjesë e analizës së përgjithshme mbi avancimin e Shqipërisë në procesin hapjes së negociatave.”

Në pyetjen drejtuar në muajin shkurt Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtëme e të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, deputeti Ruebig vinte në dukje se “Bazuar në shumë raportime mediatike, në Shqipëri kanë ndodhur shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës lidhur me krijimin e linjës ajrore ‘Air Albania’ si dhe me ndërtimin e aeroportit të Vlorës.”

Sipas zotit Reubig, “këto tregojnë se në këto dy raste përcaktimet e Marreveshjes së Stabilizim Asociimit janë shkelur”. “A përputhen vlerësimet ligjore të këtyre raportimeve mediatike mbi shkelje ligjore në fushën e prokurimeve dhe konkurrencës nga Qeveria e Shqipërisë me opinionin ligjor të Komisionit Europian?” pyeste deputeti i Parlamentit Evropian.

Në fillim të këtij muaji, Komisioneri Hahn tha në Parlamentin Evropian se “do të bëjmë rekomandimin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që këto vende të nisin fazën parapërgatitore për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe kjo do të bëhet zyrtarisht”.

Pavarësisht rekomandimit, vendimi u mbetet vendeve anëtare. Situata politike në Shqipëri dhe rezultatet e zgjedhjeve evropiane mund të jenë përcaktuese në qëndrimin e vendeve anëtare./VOA/

Modifikuar më E Enjte, 11 Prill 2019 10:21
Login to post comments