DR. ELMAZ SHERIFI
NDARJA E ESAT TOPTANIT ME MUSA QAZIMIN, NËNTOR 1914, “LIDHJA E KRUJËS”, SHKURT 1915 Musa Qazimi shfaqej kundërshtar i Esat Toptanit, por me ndjenja të forta proturke. Grupi proturk kishte nisur në Stamboll Haxhi Aliun për t’i ofruar kurorën e Princit të Shqipërisë djalit të Sulltan Abdyl Hamitit, princit 29-vjeçar Burhan Edene. Esat Toptani u pozicionua politikisht me Antantën, që e financoi për “misionin” e tij politik. Mbështetja e Antantës e konfliktoi me besimtarët myslimanë, që adhuronin Turqinë. Turqia më 2 nëntor 1914 u rreshtua aleate e Boshtit të Qendrës dhe shpalli dënimin me vdekje të Esatit. Prej këtij momenti u zgjerua konflikti i rebelëve kryengritës, me drejtuesit e Senatit të Durrësit dhe me Esat Toptanin, prandaj, ky i fundit, nisi një tur takimesh në Mat e Shkodër. Ai u takua me Preng Pashën dhe Alush Lohjën, që ishte besnik i tij. Preng Pashës i kërkoi ta mbështeste në Veri dhe t’i mundësonte një marrëveshje me Toskërinë.
Konsujt e Durrësit dhe të Shkodrës i ofronin Preng Pashës subvencione në marka e franga. Në Durrës mbërriti një delegacion i turqve të rinj. Esati nuk e priti delegacionin e kryesuar nga Ejub Sabriu, Fuat Beu dhe Mazar Beu, përkundrazi, ndërhyri te italianët që t’i largonin nga Shqipëria. Musa Qazimi ishte pro tyre.
Musa Qazimi e bindi Esat Toptanin që të shkonte në Tiranë për organizimin e strukturave politike. Më 23 nëntor 1914, së bashku me Qamil Haxhi Fejzën filluan opozitën kundër tij, ashtu si veproi Esat Toptani me Ismail Qemalin. Që në takimin e tyre të parë në Tiranë, ata u shprehën për bashkimin e Shqipërisë me Turqinë. Esat Toptani e vlerësoi rrezikun dhe emëroi menjëherë kajmekam të Tiranës, Sulejman Beun, i cili ishte shef i Policisë në Durrës dhe punonte për ta zëvendësuar Musa Qazimin me një tjetër myfti në Tiranë. Në këtë kohë, francezët arrestuan Ejup Sabriun dhe Fuat Pashën, që punonin në veri për një marrëveshje të myslimanëve kundër Esat Toptanit. Ky për të fituar kohë dhe për ta shkëputur Qamil Haxhi Fejzën nga Musa Qazimi, i bëri disa herë kërkesë që të takoheshin. Por, ai nuk pranoi të bashkëpunonte dhe e arrestoi. Prej këtij momenti drejtimin e ushtrisë së rebelëve kundër Esat Toptanit e mori oficer Haxhi Qamili/Qamil Xhameta, nga fshati Sharrë i Tiranës, ish-shërbëtor i Refik Toptanit, që kishte shërbyer në regjimentin e redifëve të Esat Toptanit në Shkodër dhe që kishte shfaqur çrregullime psikike. Anarkistët po e shfrynin dufin e ushqyer nga fanatizmi fetar, sepse ndiheshin jetimë jashtë “çatisë” së Perandorisë Osmane, që e kishin adhuruar aq shumë. Një pjesë tjetër e shoqërisë, me idealistë e atdhetarë, u zhgënjyen nga fuqitë europiane që e copëtuan Shqipërinë dhe me intrigat e funksionarëve të tyre e larguan edhe princin nga Shqipëria.
Në atë situatë kaotike, ligjin e bënte rastësia. Tiranasit shikonin me sytë e zgurdulluar flakët e zjarrit që përpinin një e nga një shtëpitë e bejlerëve Toptanas, të Fuatit, Refikut e Murat Toptanit, të Elez Isufit e Xhafer Stërmasit, të Reshit Petrelës dhe Kullën e Esat Toptanit, që ndodhej në çifligun e Laprakës. Esat Toptani dhe shpura e tij, më 24 dhjetor 1914, u kapën në befasi nga furia e rebelizmit, që e goditi si rrufe, ashtu siç i kishte ndodhur me oficerin holandez Slujs, më 19 maj 1914.
Më 11 shkurt 1915, grupi i Turqve të Rinj filloi një organizim të ri politik, i cili u emërtua “Lidhja e Krujës”. Në këtë nismë u përfshinë mjaft myslimanë, delegatët e të cilëve u mblodhën në Krujë. Programi përmbante 20 nyje/nene, që i quajtën “Nyjet e Lidhjes së Krujës”. Programin para delegatëve e shpalli Mehmet Gjinali. “Lidhja e Krujës”, shprehu pakënaqësinë, që Shqipëria, edhe pas rrëzimit të Vidit, nuk u vu nën suzerenitetin e Turqisë. Prandaj me nyjen 1 kërkohej shkëputja e çdo kazaje nga qeveria e Esat Toptanit dhe e Mustafa Ndroqit. Në nyjen 2 shtrohej si detyrë rrëzimi i qeverisë së Durrësit, shkarkimi i nëpunësve dhe drejtimi i punëve nga një këshillë e zgjedhur prej popullit. Qeveria e re që do të krijohej, do të konsultohej me Stambollin dhe do të zbatonte urdhrat që do vinin prej saj. Nyja 4 përcaktonte se urdhrat e delegatëve të caktuar me “shkresë-besimi” nga Stambolli ishin të detyrueshme dhe duheshin zbatuar. Sipas nenit 7, pasuria e Esat Toptanit dhe ajo e të arratisurve shpalleshin pasuri e shtetit, deri sa të vinte “Mbreti i Lavdishëm”. Neni 10 ndalonte njerëzit e Matit dhe të Dibrës që të komunikonin me kazatë e tjera, pasi ato konsideroheshin mbështetëse të Esat Toptanit. Lejoheshin vetëm vizitat miqësore, por më parë se ato të bëheshin, duhej që të lajmërohej Haxhi Qamili. Neni 14 shpallte se kush vriste me paramendim dënohej me vdekje. Vrasja pa paramendim dënohej me pesëmbëdhjetë vjet burg. Neni 20 ndalonte marrjen e gjakut. Përjashtim nga ky nen bëhej vetëm për Abas Hasan Rustemin nga lagja Varosh i Krujës, i cili kishte vrarë Arsllan Hoxhën dhe për Ramazan Hasanin e Abdyl Dokon nga Katundi Virion, pasi ishte vërtetuar se kishin prekur në nder, Xhemali Sefer Shaban Metën, nga Katundi Mënik.
“Lidhja e Krujës” i ndau myslimanët në dy rryma. Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm në grupimin e ri u zgjodh Musa Qazimi. Në mars 1915, Haxhi Qamili e shpalli veten Komandant të Përgjithshëm. Anarkizmi i rebelizmit po përgatitej të shpërthente kundër Esat Toptanit, ashtu si dikur kundër Vidit. Njerëzit e egërsuar në Tiranë, nën drejtimin e Haxhi Qamilit dhe nën tingujt e daulleve që shoqëronin zjarrvënësit, filluan djegien e shtëpive të bejlerëve që konsideroheshin mbështetës të Vidit dhe të Esat Toptanit. Sipas nenit 2 të “Lidhjes së Krujës”, nuk do të kishte pushtet personal dhe as qeveri qendrore. Kjo ishte deklaratë demagogjike, që vërtetonte prirjen anarkiste, pasi pushteti personal i Haxhi Qamilit ishte absolut dhe nuk kishte autoritet që mund ta kontrollonte. Ai doli jashtë kontrollit dhe ekzekutoi edhe patriotët, si: Hajredin Fratari, Bektash Cakrani, Baki Gjirokastra, Doktor Dhimitër Kaja dhe Ismail Agë Klosi. Haxhi Qamili, si një demon i vërtetë, pasi i vrau, i vari të vdekurit me qëllim që ta terrorizonte psikologjikisht popullsinë e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Kjo turmë pa arsye dhe gjakatare i kryente krimet me qetësinë e njeriut engjëllor. Egërsia e tmerrit anarkist imponoi heshtjen e Azis Pashë Vrionit dhe të kryetarit të Bashkisë së Beratit, Iliaz Vrioni.
Fuqia e anarkisë institucionale bashkoi në këtë marrëzi edhe kryetarin e Këshillit të Beratit, Haxhi Sheih Abdyl Qerimin, dhe zëvendësin e tij, Haxhi Demiraj. Fryma antikombëtare e anarkizmit vrastar u shoqërua edhe me vrasjen e besimtarëve myslimanë. Krimet justifikoheshin me luftën kundër Esat Pashës, të cilin e konsideronin tradhtar të kombit dhe të besimtarëve myslimanë. Rritja e mbështetjes nga popullsia e varfër dhe e besimtarëve fanatikë u shoqërua me krijimin e Komitetit të Shpëtimit Publik, të drejtuar nga Musa Qazimi e Haxhi Qamili.
Në grupin udhëheqës ishin edhe Abdulla Ruzhdiu/Gjinali, kryetar dhe delegat i Tiranës; Omer Lutfiu, delegat i Tiranës; Hamiti, delegat i Shijakut; Mehmet Hulusiu, delegat i Peqinit; Mehmeti, delegat i Kavajës; Ahmet Ajini, delegat i Lushnjës; dhe Haxhi Nikolla, delegat i Elbasanit.
Me krijimin e këtij institucioni filloi edhe konkurrenca institucionale midis Qeverisë së Esat Toptanit dhe Komitetit të Shpëtimit Publik, të drejtuar nga Musa Qazimi e Haxhi Qamili. Komiteti i drejtuar nga Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili bëri një deklaratë për konsujt e Fuqive të Mëdha, që ndodheshin në Shkodër. Qëllimi i deklaratës ishte sqarimi i opinionit publik dhe i përfaqësuesve ndërkombëtarë, për dizinformimin e qëllimshëm që kishin bërë disa gazeta mbi misionin e Komitetit të Shpëtimit Publik. Sipas tyre, Komiteti i Shpëtimit Publik kishte qëllim largimin e Esat Toptanit, si uzurpues i “Senatit të Durrësit” dhe përgënjeshtrimi i tezës që propagandonte Esat Toptani, sikur Komiteti i Shpëtimit Publik kërkonte që të ishte nën kontrollin e Francës dhe të Serbisë. Komiteti nëpërmjet deklaratës i siguronte konsujt se do të hynin në Durrës me luftë për të larguar Esat Toptanin, pa cenuar jetën dhe pasurinë e të huajve dhe të vendësve të ndershëm. Me këtë rast, Komiteti kërkoi që edhe në Shkodër të ngrihej flamuri i Turqisë. Për këtë shkak, në Shkodër nuk munguan as përplasjet. Konsulli Halla njoftonte Ministrinë e Jashtme nga Shkodra, se trazira mbaroi me një marrëveshje midis katolikëve dhe myslimanëve. Konflikti u zgjidh me një “fetva” nga kryemyftiu i Shqipërisë, Vehbi Dibra, dhe flamuri kombëtar u zëvendësua me një flamur me shirita kuqezi.
Komisioni i administrimit të Shkodrës pranoi që në institucione të mos ngrihej as flamuri turk dhe as flamuri kombëtar i Shqipërisë, por një flamur kuqezi pa shkabë. Vendimi më i rëndësishëm i komisionit ishte “Lidhja e Besës” për paqe, që duhet të vazhdonte të paktën dy muaj. Katolikët në Shkodër kishin mbështetur Vidin, ndërsa myslimanët ishin të përçarë për alternativat e përfaqësimit politik. Myftiu i Shkodrës, Adem Efendiu, i kishte thënë Beqir Grebenesë se nuk mund të pranohej kërkesa e Turqve të Rinj për një princ mysliman. Ndërsa Kadiu i Shkodrës, Xhemal Naipi, e kishte takuar Vidin në mars 1914 dhe i kishte premtuar mbështetje qeverisjes së tij.
Më 2 dhjetor 1914, Komiteti i Shpëtimit Publik i drejtuar nga Musa Qazimi, në emër të popullit të Shijakut bëri një telegram për legatat që ndodheshin në Durrës e Shkodër, në të cilin Gjermania vlerësohej si mike e Turqisë dhe kërkohej që të mos lejohej qeverisja e Esat Toptanit, por duhej të rikthehej Vidi. Në ato rrethana historike, Esat Toptani në marrëveshje me Aliottin dhe Kastoldin organizuan hyrjen e italianëve në Vlorë. Skenari i hyrjes së trupave italiane në Vlorë ngjason me një histori ku ngërthehen profesioni i policit dhe vrasësit, diplomatit dhe politikanit e intrigantit dhe injorantit. Më 24 nëntor 1914, agjentët e Italisë hapën fjalë nëpër qytet, se të nesërmen në Vlorë do të kishte ngjarje dhe ajo ndodhi ditën e premte, në orën 7 të mëngjesit. Ishin qëlluar Elmas Aliko Golëmbi, Lame Golëmbi dhe Zeman Delvina. Në atë moment, Ali Efendi Velça sajoi “vrasjen” e Jorgji Çakos, i njohur për historitë e tij që në qeverinë e Ismail Qemalit, kur zëvendësoi ministrin e dorëhequr të Financës, Azis Vrioni. Jorgji Çako, edhe në komisionin e hetimit për çështjen “Grebenea” nga gjenerali De Veer, kishte folur shumë keq për Ismail Qemalin. Plagosja e tij ishte bërë nën regjinë e Kastoldit, që ishte komisar politik në Vlorë dhe të baronit Aliotti, të dy mjeshtra të intrigës dhe organizatorët e “kurthit” të Vidit në Durrës. Ngjarja u sajua për të marrë masa represive ndaj patriotëve, që ishin mbledhur në Vlorë kundër italianëve. Jorgji Çako, para se të nisej për në Vlorë kishte takuar në Napoli Esat Toptanin. Sipas Syrja Bej Vlorës, Jorgji Çako i kishte kërkuar Esat Toptanit një rekomandim, i cili i shërbeu atij për të punuar si përkthyes në Konsullatën e Italisë në Vlorë. “Atentati” ndaj av. Jorgji Çako u realizua nga njëzetvjeçari Zeman Mashkullora dhe u përdor si pretekst, që militarët italianë të futeshin në Vlorë për të vendosur rendin në qytet. Të nesërmen e “atentatit”, më 26 dhjetor 1914, ditën e shtunë, në orën 8 paradite, militarët italianë hynë në qytet me 1000 trupa, me pretekstin e misionit humanitar, pasi misioni i Anglisë i drejtuar nga Duncan ishte larguar dhe me justifikimin se ditën e Krishtlindjeve kishte pasur të shtëna me armë dhe artileri në Skelë. Për këtë, qeveria e Esat Toptanit kishte kërkuar ndërhyrjen e tyre, me qëllim që Shqipëria të ruante “statusin e neutralitetit”, që i kishin dhënë Fuqitë e Mëdha. Pushtimi i Vlorës u bë pa zhurmë dhe Italia kontrollonte të gjitha anijet, që mbanin flamurin grek dhe turk në bregdetin e Shqipërisë.
Ditën e pushtimit, prefekti Osman Haxhiu ndodhej “rastësisht” në një takim me Esat Toptanin në Durrës, për t’u rikonfirmuar prefekt i Vlorës. Zëvendësprefekti Ali Bej Asllani i kërkoi Konsullatës italiane arsyet e hyrjes ushtarakisht në qytet, kur asnjë nga autoritetet e qytetit nuk kishte kërkuar ndërhyrje. Përgjigjja ishte e thatë: “Këtë e di Roma dhe Durrësi”, që duhej kuptuar se marrëveshja e bërë midis Esat Toptanit me Aliottin dhe Kastoldin po funksiononte.
Më 29 dhjetor 1914, në orën 8 të mëngjesit, italianët organizuan në prefekturën e Vlorës ceremoninë e heqjes së flamurit të Turqisë, të cilin, tre muaj e 26 ditë më parë e kishte ngritur Mustafa Ndroqi. Admiral Patrisi e zëvendësoi flamurin e Turqisë me flamurin e Shqipërisë dhe të Italisë. Prej këtij momenti, drejtimin e institucioneve të Vlorës e mori koloneli Mosko dhe zotër të Vlorës u bënë italianët, Aliotti dhe Kastoldi. Plagosja e Jorgji Çakos u përdor si instrument që të shuhej ndjenja kombëtare, e cila po rritej ato ditë kundër italianëve dhe për të organizuar gjyqin ushtarak për 50 patriotë vlonjatë, që u akuzuan për përgatitjen e komplotit kundër përfaqësuesve të Italisë. Por, avokati italian Cero dhe përfaqësuesi ushtarak Cervastosti, duke respektuar bindjen e brendshme juridike, vërtetuan se akuzat nuk kishin bazë ligjore.
Lëvizja e Esatit inkurajoi Malin e Zi për të hyrë në Shkodër në korrik 1915, ndërsa Greqia ngriti administratën e vetë në Korçë e Gjirokastër. Haxhi Qamili i priti serbët me luftë në Qukës e Peqin. Me sjelljen e vetë ai po tregonte kontradiksionin e personalitetit. Me luftën kundër serbëve tregonte se e donte Shqipërinë, ndërsa vrasjet e patriotëve shqiptarë dhe djegien e pronave e portretizuan si “Haxhi Zjarrmi”. Trupat serbe e pushtuan Tiranën më 11 qershor 1915. Më 12 qershor, Esat Toptani nxori urdhrin për arrestimin e Haxhi Qamilit, të Musa Qazimit dhe të drejtuesve të tjerë kryengritës. Me shpejtësi u arrestuan rreth 52 krerë të rebelëve anarkistë. Haxhi Qamilin e kapi Osman Bali në një pyll afër Tiranës. Esat Toptani, për të treguar se regjimi i tij ishte ligjor, dha porosi që asnjë nga personat e arrestuar të mos vritej pa u gjykuar. Gjykata Speciale, e kryesuar nga Xhelal Zogu, dënoi me vdekje: Qamil Haxhi Fejzën, Haxhi Qirën, Alush Qirën, Abdulla Gjinalin, Mehmet Gjinalin dhe Ahmet Kavajën. Ekzekutimi u bë më 26 qershor 1915. Ndërsa myftiu Musa Qazimi dhe Hajdar Hoxha u vranë më 7 korrik. Më 16 gusht 1915, pas muajit të Ramazanit u varën edhe Haxhi Qamili e Haxhi Marko.
Esat Toptani e konsideronte vrasjen një shërbim për shqiptarët, me qëllim që Shqipëria, sipas tij, të qëndronte e qetë për dyzet vjet. Haxhi Qamili e priti varjen me po atë qetësi, me të cilën ai varte dhe vriste patriotët shqiptarë. Në gjyq deklaroi, se edhe unë “kështu do të veproja me Esat Toptanin nëse do ta kisha kapur”.
Në gusht 1915, Venizelos deklaroi në Parlament se Greqinë mund ta ndanin nga “Epiri i Veriut” vetëm gabimet e tyre. Për t’i dhënë qeverisjes së “Epirit të Veriut” pamje “demokratike”, ai organizoi zgjedhje parlamentare me pakicat greke në Shqipëri, të cilat morën pjesë në votim. Më 11 janar 1916, “deputetët” morën pjesë në Dhomën e Deputetëve në Greqi. Me rastin e përfaqësimit të minoritarëve grekë, në mënyrë “legjitime” në Parlament, u justifikua zëvendësimi i funksionarëve ushtarakë me ata civilë në jug të Shqipërisë. Në prill 1916 doli dekreti mbretëror për aneksimin e “Vorio Epirit”. Kryeministri Venizelos deklaroi në Dhomën e Deputetëve, se me vullnetin e popullit dhe me dekretin e mbretit, “Epiri i Veriut” ishte pjesë e Mbretërisë së Greqisë. Esat Toptani ishte vënë në Durrës nën trysninë e forcave të rebelëve kryengritës. Përfaqësuesi diplomatik i Serbisë në Durrës njoftonte pozitat e vështira të tij, ndërsa Ahmet Zogu ishte nisur për në Nish, për një marrëveshje me Pashiçin.
Austro-Hungaria e mposhti Malin e Zi me lehtësi. Kapitullimi u nënshkrua në janar 1916. Koalicioni austro-hungarez, gjerman dhe bullgar e shpartalloi edhe ushtrinë serbe. Suksesi i arritur stimuloi politikanët në Shqipëri për të krijuar një asamble në Mat, për të marrë vendimin e sulmit mbi Serbinë, me qëllim që Shqipëria të shtrihej deri në Shkup, por projekti nuk u mbështet, madje Ahmet Zogu e kundërshtoi, pasi i kishte kërkuar Pashiçit një marrëveshje.
Esat Toptani e shikonte hyrjen e ushtrisë së Austro-Hungarisë në Durrës, si vdekjen e tij politike. Kur e kuptoi se nuk kishte asnjë shans mbijetese, i propozoi Pashiçit që ta merrnin edhe atë së bashku me xhandarmërinë e tij në Korfuz, ku do të takohej me francezët. Në fund të shkurtit 1916, Esat Toptani i shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe u nis për në Brindisi, nën shoqërimin e të ngarkuarit me punë të Serbisë.
Qarqet diplomatike dhe ushtarake të Francës e pranuan Esat Toptanin si Kryeministër legjitim. Ai u prit nga ministri i Jashtëm A.Briand dhe Kryekomandanti J.Jooffre/Zhofër. Esat Toptani u premtoi se, së bashku me forcat e tij që ndodheshin në Napoli, do të merrte pjesë në “Armée d’Orient” kundër Bullgarisë dhe Turqisë.
Esat Toptani vlerësohej nga Kryekomandanti J.Jooffre/ Zhofër si faktor shumë i rëndësishëm. Sipas tij, trupat e Esat Toptanit do të ishin “boshti kryesor” i trupave franceze, që do të hynin në Shqipëri nën drejtimin e gjeneralit Sarrail. Në fund të gushtit 1916, qeveria e Esat Toptanit dhe xhandarmëria e tij me rreth 800 ushtarë dhe oficerë shqiptarë u transportuan për në Selanik, me kryqëzorin francez “D’Estrées”. Ai mori statusin e “qeverisë aleate në mërgim”. Qeveria franceze e vlerësoi aq shumë shërbimin që mund të përftonin nga Esat Toptani, saqë atashoi pranë tij anëtarin e Komisionit të Caktimit të Kufijve të Shqipërisë, kapitenin De Fontenay, dhe ish-përfaqësuesin e Francës në KNK, L.Krajevskin. Trupat e Esat Toptanit do të vepronin në përbërje të ushtrisë franceze dhe së bashku me trupat serbe do të përdoreshin kundër Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut. Prej këtij momenti merr fund edhe qeverisja e Esat Toptanit në Shqipëri.