Tri pjesët e popullit

Premte, 19 Prill 2019 16:39

Nga Qemal SAKAJEVA

Në Shqipëri populli është i përpjestuar në tri kategori të mëdha social - ekonomike. Pas mbi dy dhjetëvjeçarë të lëvizjes së lirë e të pakontrolluar u përftua kjo ndarje që mund të emërtohet kësisoj: 1. Populli i Emigruar; 2. Populli i Panjohur; 3. Populli i “Zgjedhur”.

Në të folmen e përditshme, Populli i Emigruar thirret me shumësin emigrantë. Kur popullsisë së vendit i janë larguar rreth 1.3 milion banorë (pjesa më jetësore e tij), kjo merr përmasën e një populli. Marrëdhëniet e tyre me vendin janë në dy rrafshe. Me familjet në atdhe, falë tharmit tradicional ende të pashpërbërë krejtësisht, ruhen lidhje të mira ekonomike e të mbështetjes. Pa paratë që ata dërgojnë në dorë (cash), varfëria e njerëzve mund të kishte qenë katastrofike. Me qeveritë e vendeve ku jetojnë e punojnë, lidhjet janë ende të cekëta. Shumica dërrmuese nuk marrin pjesë në votime, për t’u bërë faktor në demokracinë e shteteve ku janë emigrantë. Kurse qeveritë e të gjitha kohërave në atdheun nga kanë ikur, nuk kanë mundur të bëjnë ndonjë gjë të veçantë për ta.

Pjesën tjetër le ta quajmë Populli i Panjohur. Janë mbi 230 mijë troje, thuhet edhe 300 mijë, me nga një shtëpi në mes, ndërtuar përreth qyteteve, sidomos qyteteve kryesore. Ky numër duke u shumëzuar me 4 apo 5 vetë, sa pjesëtarë kanë familjet e ngushta, të zbritura nga vise të vështira, të veriut, të jugut, si dhe nga rrafshulëta, arrin shifrën mbi 1 milion. Për një shtet të vogël, bashkësia mbi 1 milion vetë, lehtësisht mund të quhet popull. Por ky është Popull i Panjohur për nga mënyra e zhvendosjes, rrethanave të vendngulimit në vise të reja, debateve të pakuptimta gjatë viteve pse u lejuan asisoj. Një pjesë, këto ardhje, përzjerje e rrethime të qyteteve, i shohin si nxitje zhvilluese, që shpërthimin e vërtetë do ta ketë më pas. Të tjerë e kanë cilësuar si vërshim të pacivilizimit, që e ka cenuar qytetarinë, apo edhe arsyetime që herë - herë marrin ngjyrime deri raciste. Mirëpo ata janë të shumë në numër. U shfaqën jetësorë në përkushtueshmërinë për mbijetesë. Kryen investime me sakrifica, nga vetvetja e për vetveten, duke besuar se është mbështetëse edhe për gjithë shoqërinë. Qysh prej më shumë se 20 vitesh, janë shndërruar në faktor për t’u vlerësuar fort, por përsëri ka hijen e Popullit të Panjohur.

Pjesa tjetër është Populli i “Zgjedhur”, i vendosur me kohë nëpër qytete. Qeveritë, sa herë kanë folur e marrë vendime, duket sikur i drejtohen kësaj pjese. Por ata janë pak, për të qenë e tëra, për t’u nënkuptuar tërësia, për t’u thirrur populli, se këta janë gjithçka e, dy pjesët e tjera, diçka! Kjo ndodh nga që investimet kryhen me shumicë për ta. Administrata thuajse del vetëm prej tyre. Politikanët e rëndësishëm vijnë nga radhët e tyre. Cilësia e jetës së tyre dallon kryekëput. Çështja nuk shtrohet që, kjo pjesë të çohet kah mosvëmendja e shpërfillja, por, pa dy pjesët e tjera të popullit, nuk ka as demokraci të zhvilluar, as ekonomi të plotë, as mirëqënie në rritje, as qendrueshmëri sociale, as integrim të shpejt të shtresës së ardhur.

Mbajtja pranë, edhe pse në largësi, e 1.3 milion shqiptarëve, ose Popullit të Emigruar, është domosdoshmëri sepse ata përbëjnë numër të madh e të përhershëm vizitorësh, në të gjitha stinët, tashmë të dyzuar, sa vendës aq dhe të huaj, për turizmin shqiptar. Edhe për disa kohë ata mbeten financues për familjet në Shqipëri. Kurse njohja sa më parë e Popullit të Panjohur, ka të bëjë me zhvillimin. Çfarë kanë kryer me sakrifica për pasurim të vetvetes, bëhet pjesë e pasurisë së tërë shoqërisë. Përpjekja e tyre për mbijetesë, mbushja e zbrazëtisë ndërmjet tyre dhe “pjesës së zgjedhur”, i shndërron në konkurrues, më jetësues dhe të njëjtësuar me tërësinë e popullit. Nëse këto dy procese mbështeten fort, ecin në udhën e duhur e me shpejtësinë e kërkuar, atëherë nuk do të kemi një popull të përpjestuar në tri pjesë gati të barabarta dhe të ndryshme, por do të ndodhë përafrimi i të tri pjesëve në një të vetme. Jemi popull i vogël për t’u formalizuar në tri ndarje të mëdha.

Login to post comments