Alarmi i padëgjuar ndonjëherë nga Holanda dhe alarmi i munguar shqiptar

E mërkurë, 24 Prill 2019 19:06

Nga Fatos Lubonja –

Votimi i Parlamentit holan dez për t’i bërë thirrje BEsë që t’u heqë shqiptarëve të drejtën e udhëtimit pa viza, u shoqërua shumë në shtypin tonë me togfjalëshin “alarmi holandez”. “Alarm” është një term me ngarkesë shumë të fortë emocionale, që mendoj se duhet të racionalizohet, t’i kapet përmbajtja, në mënyrë që të mos ndodhë, siç më duket se po ndodh pas burive të para, që ai të shuhet sikur të ishte një flakë kashte apo sikur të ishte një alarm fals. Prandaj, gjykoj se duhet të përpiqemi të ndalemi e të reflektojmë thellë për këtë alarm që na erdhi nga Holanda, përtej interesave të ngushta të pushtetit politik apo të mundësisë së udhëtimeve pa viza.

Në këtë kontekst gjykoj se, së pari, duhet rrokur kuptimi më i rëndësishëm i alarmit të holandezëve. Sipas meje, ky alarm nënkupton se ndër shqiptarët që udhëtojnë për në vendet europiane, ka aq shumë syresh që shkojnë atje për të kryer aktivitete kriminale, sa qarkullimi i tyre i lirë është bërë problem për t’u zgjidhur nga politikat e vendeve të BE-së. Është hera e parë që ngrihet një akuzë e tillë për një popull të tërë në një vend europian. Në vendet e BEsë nuk kanë munguar, madje janë të forta sot, politikat kundër emigrantëve me argumentet e pamundësisë së menaxhimit të tyre, se bashkë me ta mund të hyjnë në Europë terroristët, se emigrantët rrëmbejnë vendet e punës së vendësve, por që pjesëtarët e një populli europian të pengohen për të hyrë në Europë për shkak se atje ndërtojnë rrjete kriminale të rrezikshme (duke qenë ky popull edhe aq i vogël në numër), nuk është dëgjuar ndonjëherë. Sipas meje s’ka gjë më alarmante.

Së dyti, dua të them se këtu duhet të dallojmë dy alarme: atë holandez dhe atë shqiptar. Alarmi i holandezëve buron nga halli i tyre për të ndryshuar këtë gjendje dhe artikulohet në thirrjen e vendeve të BE-së për t’i seleksionuar shqiptarët që udhëtojnë nëpërmjet ambasadave të tyre. Kurse për sa i përket alarmit shqiptar, them se alarmit kryesor nuk po ia dëgjojmë buritë në vend. Këto buri duhet të gjëmonin nga zbulimi se ne jemi kthyer në një inkubator kriminelësh dhe se duhet të marrim masa të menjëhershme për ta frenuar pjellshmërinë e këtij inkubatori? Mirëpo, këto buri munguan ose u mbuluan nga të tjera buri alarmesh dytësore. Po pse munguan? Sepse ajo që na thanë holandezët nuk përbën lajm për ne; sepse ne e dimë se kemi ngritur një sistem ekonomik, politik e kulturor “nga krimi, me krimin, për krimin”. Në këto kushte, preokupimi kryesor i Ramës ishte që ta mbulonte alarmin holandez, duke u fryrë burive se kemi të bëjmë me një alarm fals: instrumentalizim elektoral që bën e djathta holandeze. Ndërkaq, opozita u fryu burive se alarmi holandez ishte një provë më shumë e akuzave të saj për një qeveri të lidhur me krimin, por duke i mëshuar një alarmi dytësor: se për shkak të kësaj qeverie ne po rrezikojë edhe lëvizjen e lirë.

* * *

Për të hedhur poshtë pretendimin e Edi Ramës se ky është një alarm fals, mjafton të kujtojmë se kur ai mori pushtetin më 2013, deklaronte se Shqipëria ishte një vend ku nuk mund të jetoje dot si një njeri ndershëm, pra, se që të mbijetoje në Shqipëri, duhet të bëheshe pjesë e inkubatorit. Po të kesh parasysh lazaratizimin e krejt Shqipërisë, dy ministrat e tij të Brendshëm, të akuzuar për lidhje direkte apo indirekte me trafikantë, se rreth 60% e shqiptarëve shprehen se duan të lenë vendin etj., dhe së fundi, se kryeqyteti, me lejet e Edi Ramës, po njeh një pastrim të paparë parash të krimit nëpërmjet ndërtimit, nuk mund të thuash kurrsesi se Rama ka ndryshuar për mirë situatën që përshkruante vetë më 2013, përkundrazi. Prandaj, përpjekja për ta mbuluar inkubatorin e krimit, duke akuzuar holandezët, nuk është vetëm mjerane, por edhe kriminale.

* * *

Për sa i përket opozitës, gjykoj se ajo ka të drejtë në denoncimin e inkubatorit të krimit, por problemi është se asaj po i mungojnë ato buri të alarmit që duhet ta përqendronin vëmendjen e të gjithë shqiptarëve në analizën e shkaqeve se pse vendi është kthyer në inkubator të krimit dhe ndërtimin e alternativës për ta eliminuar atë. Duket sikur ajo është e preokupuar thjesht të këpusë degën Rama të inkubatorit, pa kuptuar se tashmë Rama dhe inkubatori janë bërë një dhe se ajo është e dënuar që ose të punojë për ta shkulur nga rrënjët këtë inkubator ose të asgjësohet prej tij. Për këtë gjykoj se, krahas protestave, asaj i duhet të hapë një kantier idesh për ndërtimin e alternativës ekonomike, kulturore dhe politike që duhet ngritur për të luftuar inkubatorin e krimit, për të ndërtuar, pra, vizionin e një Shqipërie alternative ndaj Shqipërisë inkubator të krimit që kemi sot.
Panorama.com.al

Modifikuar më E Enjte, 25 Prill 2019 09:52
Login to post comments