Rea Xhillari, mediat online dhe Ligji i Kryeministrit

Premte, 26 Prill 2019 19:56

Nga Nikoll Lesi

Dikur, jo shumë larg në kohë, nëse botoje në gazetë një lajm të pavertetë që prekte intimitetin apo privatësinë e dikujt, kushdo qoftë, shkoje në gjykatë. Avokati i të dëmtuarit apo dëmtuares nxirrte para gjykatës fletën e gazetës ku ishte botuar e paverteta dhe gjykatësi firmoste vendimin për gjobën. Ndaj, edhe nga frika e gjykatave, por kryesisht nga profesionalizmi i mediave kishte shumë pak padi, në mos deri në aspak.

Prej disa viteve ndodhemi para një mori mediash online, natyrisht se jetojmë në një epokë interneti dhe rrjetesh sociale pambarim, ku sejcili pothuaj ka një “gazetë” në shtëpi. Nga ky turravrap teknologjik, pasi edhe me një celular mund të bësh një portal (gazetë), ka filluar shproporcionimi i etikës mediatike. Sot mund të ndodhesh nën sulmet e sejcilit që të ka inat apo që për dreq nga e njëjti sallon kafeje ku ti pi kafenë dhe tjetri përballë të ka nxjerrë në portalin e tij, kur akoma filxhanin nuk e ke çuar përgjysëm. Por deri këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe, sepse përsonat publikë derisa pranojnë të jenë në politikë, media,etj duhet të llogarisin edhe shkeljen pranueshme të privatësisë.

Por jo të sajohet!

Portalet dhe rrjetet sociale vdesin për këto lloj lajmesh për këtë kategori publiku. Një koleg i imi më thoshte një ditë se kishte qenë për një kronikë televizive në një fshat në Korçë ku fshati kishte tre ditë pa drita dhe ku pak veta ishin të punësuar, por të gjithë në katund kishin celular e rrinin duke shkruar apo sharë në facebook!

Jetojmë në një botë tjetër, realisht, ndryshe nga ajo e lajmit që duhej verifikuar me durim para botimit. Edhe tani duhet, por mania e portaleve për të futur “lajme” të paverifikuara dhe nxitimi i çmendurisë së sejcilit portal për ta kopjuar dhe shpëndarë se kush e kush më parë për marrë likes, e gjitha kjo ka krijuar problem të madh me të vertetën. Natyrisht dhe me prekjen e privatësisë së tjetrit.

Mbajë mend që në kohën e “Koha Jone” njëherë gazetari Arian Çani ka qëndruar në shi për të verifikuar një lajm mbi 7 orë në shiun e Tiranës, atje ku PS-ja po rrinte në grevë urie kundrejt pushtetit të PD-së. Apo që Andi Bushati shkoi në fushat e përbaltura të Mamurrasit dhe pas një dite lodhje e bëri lajmin. Lajm i shkurtër, por duhej verifikuar.

Ndërsa sot nuk ka nevojë në shumicën e portaleve online, asnjë verifikim. Gënjen apo sajon njeri portal dhe të gjithë portalet si tullat që rrëzohen në seri, edhe ata e shumëfishojnë “masakrën”. Natyrisht që portalet janë një burim informacioni shumë i shpejtë për publikun. Por ka pak portale serioze, si dhe një shumicë e cila të “masakron” dhe ku masakra vazhdon me “copy paste”.

Rasti fundit masakrues, i freskët, është Rea Xhillari vajza e Linda Ramës, gruas së kryeministrit Rama. U fol për lidhje mes saj dhe ministrit në detyrë Gent Cakaj. “Lajmi” u përhap gjithandej me vrap. Dhe rezultoi se nuk kishte gjë të vertetë. E tha fillimisht ministri Cakaj dhe më pas Rea Xhillari se ky është fake news.

Personalisht nuk kam respekt për Gent Cakajn, natyrisht për detyrën që kryen, sepse besoj se është një gabim ngjitja e tij në atë detyrë të rëndësishme për shtetin tonë. E kam shkruar dhe e ripërsëris se ishte një veprim fatal i kryeministrit Rama, largimi i Ditmir Bushatit. Por kjo nuk më pengon të them të vertetën e “lajmit” që u servir publikut për Gent Cakaj. Apo më keq për vajzën e re Rea Xhillari, e cila jeton jetën e saj, larg “lajmit” shqiptar të portaleve.

Është gabim dhe veprim jo profesionist nga mediat online. Edhe për “Koha Jone”, ku lajmi ndonëse u fut me një shënim të gazetarit se “nuk kishte fakte dhe se priste reagimin e zyrës së shtypit të ministrit Cakaj”, edhe ndonëse u hoq pas një ore ku lodroi online, prapë mbetet një veprim jo profesional.

“Koha Jone” ka bërë duele të mëdha me Berishën e I-rë, me Nanon e II-të si dhe sot me Edi Ramën si kryeministër. Dhe nuk tërhiqet nga parimi për t’i shërbyer publikut , pavarësisht se e ka pësuar keq nga lufta me pushtetet e këtyre 28 viteve pluralizëm.

Por që ka ardhur koha për një Ligj për Portalet, ka mbërritur, bile po ikën ora shpejt, ndaj duhet Ligji. Natyrisht jo krejt ashtu siç e ka sjellë Qeveria. Jo AMA, si ndëshkues, por vetëm gjykata. Ose nëse duhet nga vetë komuniteti i medias një BORD KONTROLLUES për portalet.

Ligji duhet për portalet!

Login to post comments