Nga Qemal SAKAJEVA
Branda Bashkimit Europian janë për t’u vënë në pah tri shtete mosnjohëse të Kosovës, - Greqi, Rumani dhe Sllovaki. Që të tre këto vende kanë bërë lëvizje milimetrike përpara.
E para pati qënë kjo: më 3 mars 2013, ministri i punëve të jashtme të Rumanisë Titus Korlacean, gjatë një interviste në një televizion rumun, pyetjes nëse Bukureshti do t’u bashkohet vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, i dha një përgjigje të pazakontë, po të kemi parasyshë deklaratat e presidentit rumun Traian Basescu, të cilat ngjajnë të prera sa dhe ato të presidentëve serbë. Titus Korlacean tha që, “Në Kosovë ekziston një realitet politik i cili duhet trajtuar në mënyrë inteligjente dhe të hapur”, siç citoi agjencia Beta, dhe se do të ishte gabim në qoftë se Rumania nuk i merr parasyshë ndryshimet dhe përparimet në Kosovë, por do “të vazhdojë të mbetet e ngulitur në vijën e parë, sikurse ushtari japonez në Oqeanin Paqësor, pas përfundimit të Lufës së Dytë Botërore”. Kjo ishte një metaforë fantastike e ministrit të jashtëm rumun, për politikën e vendit të tij, e rrasur në llogoren e mosnjohjes.
E dyta pati qënë kjo: më 5 mars 2013, një grup prej 12 deputetësh të kuvendit të Kosovës shkuan në Sllovaki, në këtë shtet anëtar të BE-së, i shprehur ashpërsisht për mosnjohjen e Kosovës. Kjo veprimtari politiko-diplomatike qe kryer nga bashkëpunimi i ministrisë së punëve të jashtme të Kosovës me ambasadën e Britanisë së Madhe, me ambasadën e Austrisë, dhe Këshillin Britanik, në kontekstin e projektit KSTalksEU. U dërguan mbi 150 deputetë, gazetarë dhe akademikë në vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosvës. Ky zbarkim në Bratislavë, me mbështetjen Britanisë dhe Austrisë, qe trokitje në dyert e zyrave të larta sllovake, për të thënë se ky shtet është i vonuar në njohjen e shteti të ri, siç shtet i ri është edhe vet Sllovakia, i përftuar nga një ndarje e kadifejtë me Republikën Çeke, përkundër ndarjes së përgjakshme të Kosovës nga Serbia.
E treta pati qënë kjo: më 10 mars 2013, ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj kreu një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga ministri i jashtëm Dimitris Avramopulos . Ai mori pjesë në tryezën e organizuar nga Fondacioni grek për Politikë të Jashtme dhe Çështjet Europiane ELIAMEP, me temë “Sfidat e Kosovës moderne: Perspektiva nga Prishtina”. Duke iu referuar vizitës së parë në Greqi dhe takimit me homologun e grek, ministri i jashtëm i Kosovës shënjoi një dukuri nga historia e Ballkanit, duke thënë se, “shteti më i vjetër i Europës ka mirëpritur në takim bilateral shtetin më të ri në Europë, Republikën e Kosovës”. Veprimtaria e tryezës së organizuar në Athinë, u ndoq edhe nga përfaqësues të ambasadës së Serbisë, në Greqi. Mediat greke, të shkruara dhe elektronike, përfshirë edhe web faqe të ministrisë së punëve të jashtme të Greqisë, e pasqyruan vizitën e ministrit të jashtëm të Kosovës dhe tryezën “Sfidat e Kosovës moderne: Perspektiva nga Prishti
Këto shtete nuk kanë arsye bindëse të mos bëjnë njohjen. Në kohën kur pavarësia e Kosovës është njohur nga 114 vende, Greqia, Rumania dhe Sllovakia duken si të mbetura te mendimi politik i shekullit të shkuar. Nëse perifrazojmë shprehjen metaforike të ish- ministrit të jashtëm të Rumanisë Titus Korlacean, për politikën e vendit të tij, duhet të themi që, këto tri shtete bashkë me Spanjën dhe Qipron, pesë vende anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë si “ushtari jugosllav, pas vdekjes së Titos”, që nuk ka pse jep më jetën për federatën, sepse Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë është varrosur; emri jugosllav është aq i harruar, sikur të mos jetë thirrur kurrë; dhe,Tito iku duke e marrë me vete perandorinë e vogël, nga e cila lindën shtete të ligjshëm, ndër to edhe vetë Serbia, e kthyer me luftë në kufijtë e saj.