Liria e Medias/ Zëri i Amerikës publikon "specialen" për Shqipërinë: Kërkuam prononcim nga Rama, por refuzoi

Premte, 03 May 2019 18:24

Në Shqipëri media ka pësuar një përkeqësim të vazhdueshëm në 10 vitet e fundit, duke u bazuar në raportet e organizatave prestigjoze që vlerësojnë treguesit e saj. Studiues, analistë dhe pedagogë të gazetarisë veçojnë se raportimi dhe informacioni po kalon ditë të këqija, për shkak të ndikimit të qeverisë dhe shpeshherë dhe vetë pronarëve, të cilët priren që përmes përdorimit të medias t’i shërbejnë bizneseve të tjera. Kërcënimet që vijnë nga bota e krimit ndaj gazetarëve janë shqëtësim serioz mendojnë analistët, ndërsa veçojnë se propaganda e kryeministrit përmes televizionit me emrin e tij fabrikon lajmet dhe menjanon filtrin e gazetarit.

 

Treguesit e lirisë së medias në Shqipëri, duke u bazuar në raportet e Komisionit Europian, Departamentit të shtetit të Freedom House dhe Reporterët pa kufij, kanë pësuar një përkeqësim të vazhdueshëm në dekadën e fundit. Sipas Freedom House media deri në vitin 2009 ishte active,

“Kishim 3.75 pikë në vitin 2008, ku 1 është vlerësimi më i lartë dhe 7 është vlerësimi më i ulët. Ramë në vitin 2010 në 4 pikë dhe në vitin 2017 në 4.25. 5 e lart vlerësohen vende me diktaturë totalitare” – thotë Gjergj Erebara gazetar i BIRN.

Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria humbi 7 vende për lirinë e medias. Ai nënvizoi se pati sulme ndaj medias si nga qeveria edhe nga krimi i organizuar në një shkallë të pashëmbullt. “Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama i cilësuan gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme”- thuhej në raport. Në një reagim të menjëhershëm Kryeministri tha se me këtë qeveri s’ka media të shantazhuar dhe liri të mohuar.

Por shënjestrimi i medias edhe nga krimi i organizuar për analistët është rrjedhojë e një strukture që Fatos Lubonja e përkufizon në këtë mënyrë.

“Është pjesë e ndërtesës metaforikisht të pushtetit, ku katin e parë e ka oligarkia dhe bizneset e pastra dhe të papastra në Shqipëri. Në katin e dytë janë mediat dhe në katin e tretë është politika. Dhe në bodrum krimi i organizuar. Mediat janë pjesë e kësaj strukture” - shprehet analisti Fatos Lubonja.

Një nga problemet e mprehta që ngrenë analistët dhe raportet ndërkombëtare për median lidhet me pronësinë, investimet e dyshimta, përdorimin e televizionit si mjet shantazhi duke vecuar mungesën e filtrit mes pronarit dhe gazetarit sic do të ishin bordet.

“Faktori kryesor në mënyrën se si bëhen lajmet, si prodhohet informacioni, mbeten pronarët e medias. Ata kanë axhendën e tyre. Media është për ata biznesi i dukshëm i cili përdoret si mburojë për bizneset e tjera të dukshme dhe të padukshme” - pohon Jonila Godole pedagoge në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

“Të jenë aq media sa ka fuqi Shqipëria, që të mbahen me konkurencë dhe cilësi dhe jo me shërbime dhe shantazhe për të marrë lejë ndërtimi, për të marë prona, për të hapur tunele” - thotë Fatos Lubonja analist.

“Viktimat në këtë mes janë gazetarët. Në momentin që ai njihet me interesat politike dhe ekonomike të pronarit, ai nuk e raporton fare lajmin dhe kalon menjëherë në autoçensurë”- thotë Elvin Luku, Drejtues i qendrës MediaLook.

Analistët vërejnë se informacioni dhe raportimi në media është zbehur. Tabloja e zymtë e medias duket se ka prekur dhe vetë qeverinë.

“Ka në media shumë gjoba, të cilat janë si ato gjobat mafioze me kode. Publikut i serviret për lajm të rëndësishëm, ndërkohë që i dërgohet mesazhi dikujt, që shiko ti do na japësh këtë ose në do vazhdojmë të të bëjmë këtë” – u shpreh Edi Rama në studion e gazetares Eni Vasili në News24.

Edhe në konferencën rajonale për median në nëntor të vitit 2017 kryeministri Edi Rama e shigjetoi median në këtë mënyrë.

“Sot në media gjëndet një pasuri e tejskajshme. Nëse flasim për rritje disproporcionale të të ardhurave të personave, kjo thuhet në media, se s’ka ku thuhet tjetër, por nuk e përjashton median”- tha Kryeministri Edi Rama.

“Përgjegjesia kryesore që kanë lejuar pastrimin e parave përmes edhe medias në Shqipëri e kanë këta politikanë” - pohon Fatos Lubonja, analist.

Analistët vërejnë me shqetësim gjuhën fyese të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve si dhe e cilësojnë gjithnjë e më shumë autoritar dhe arrogant. Zëri i Amerikës i kërkoi një intervistë shefit te qeverisë, lidhur me problematikën e medias në Shqipëri, por nuk mori përgjigje pozitive.

“Ky kryeministër nuk dialogon fare me idetë që hedhin gazetarët, apo me faktet, por thjesht shantazhon dhe etiketon. Është simptoma e një regjimi që po bëhet gjithnjë e më autoritar” – pohon analisti Fatos Lubonja.

Edi Rama gjatë një fjalimi në forumet e partisë socialiste i përgjigjet me pyetje kritikave se po qeveris me arrogancë.

“Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogance? Cila pjesë e qeverisjes sonë konsiderohet arrogante? Sepse është e drejtë? Dhe sepse ne bëjmë reforma që janë të dhimbshme? - shprehet kryeministri Edi Rama.

Një prej kritikave të analistëve lidhet me propagandën e qeverisë përmes kanalit televiziv të kryministrit ERTV dhe ndikimin e fortë të zyrave të shtypit në media.

“Produksioni i lajmeve është një bashkëpunim mes zyrave të shtypit të partive, mes politikës editoriale që vjen nga pronari i medias dhe shumë pak ndërhyrje ka aty gazetari” - pohon Jonila Godole pedagoge në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit e Tiranës.

“Kjo është e paparë. Unë nuk di ndonjë vend tjetër të botës që kryeministri të ketë televizion me emrin e tij”- shprehet analisti Fatos Lubonja.

“Nëse di të bëjë mirë kjo qeveri në gjykimin tim është pikërisht çështja e propagandës. E përqendron të gjithë aktivitetin e tij politik në këtë television që quhet ERTV dhe televizionet e tjera marrin dhe transmetojnë drejtpërdrejt këtë përmbajtje e cila është e parapërgatitur e krijuar me regji duke eliminuar filtrin e gazetarit”- shprehet Elvin Luku Drejtues i Qendrës MediaLook.

Sipas një studimi të Departamentit të gazetarisë në Faklutetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës, për tregun e punës në media vihet re një dekurajim i studentëve të kësaj dege.

“Sepse studenti, gazetari i ri thotë unë nuk realizoj në treg as ato kompetenca që marr deri në vitin e tretë, ç’më duhet mua që të vazhdoj dhe dy vjet të tjera, në momentin kur këto njohuri nuk i aplikoj dot”- tha Artan Fuga, Pedagog në Departamentin e gazetarisë në Faklutetin e Histori -Filologjisë të Universitetit të Tiranës, përballë studentëve.

Edhe vetë studentët e shohin të pamundur, që nesër si gazetarë të bëjnë atë që kanë mësuar në shkollë, jashtë ndikimit të politikës dhe interesave të pronarëve.

A ka gjasa që situata në media të ndryshojë, që informacioni dhe raportimi i vërtëtë të zënë vendin që i takon përballë sulmeve të krimit të organizuar dhe të qeverisë si dhe interesave të pronarëve që në mjaft raste shkojnë në drejtim të kundërt me parimet e gazetarisë.

Jonila Godole e quan situatën të pashpresë. Fatos Lubonja e cilëson dramatike, ndërsa Gjergj Erebara mendon se ka mjaft gazetarë që janë duke rezistuar dhe luftuar çdo ditë për të bërë më të mirën në kushtet që janë. Z. Erebara thotë: “Ne gazetarët nuk i kemi humbur”.

 

Modifikuar më Premte, 03 May 2019 22:01

Video

Login to post comments