Nga Qemal SAKAJEVA
Dikur, në një shkrim, kam vënë në spikamë ekranin e Zëri i Amerikës (Voice of America), që, edhe pse është kanal i huaj televiziv, programin në gjuhën shqipe e paraqet më shqip se sa shqipja e morisë së ekraneve televizive shqiptare. Këtu nuk është fjala as për fuqinë e ndikimit, as për teknologjinë në përdorim, as për buxhetin e pakrahasueshëm, as për lehtësinë e thirrjes para kamerave të personaliteteve të rëndësishme dhe as për zhdërvjelltësinë në mbulimin e ngjarjeve. Jo, fjala është për diçka tjetër, dhe për ne në Shqipëri: Zëri i Amerikës, ky kanal televiziv amerikan që u drejtohet shqiptarëve, nuk lajthit por u flet shikuesve me shqipe të papërzjerë, deri edhe emrat e personazheve i shkruan siç shqiptohen në shqip, për të qenë të rrokshëm nga të gjithë shikuesit. Sikur ky kanal të ndërtonte emisione me “gjuhë hibride”, ku anglisht-shqip e ku shqip-anglisht, mbase do të qortohej më pak sesa sëmundja gjuhësore e pakuptimtë në ekranet televizive shqiptare.
Shqipërisë po i krijohet një brez i ri anglishtfolës, dhe ky është pasurim intelektual në përkryerje. Nohja e mirë e anglishtes u bëhet zotëruesve një mjet i mrekullueshëm pune, konkurrence, pasurimi të dijeve, përdorimi më lehtësisht të teknologjive më bashkëkohore e mundësi e jashtëzakonshme për komunikim me botën. Është për t’u duartrokitur vendimi që e ka vënë anglishten në shkallën e një “gjuhe të dytë zyrtare” pas shqipes, dhe hartimin e programeve mësimore për t’iu përgjigjur këtij synimi të arritshëm. Por kjo strategji nuk jep shkas për sjellje gjuhësore të palejueshme, shkujdesje me dashje për gjoja modernizëm të ekranit apo kozmopolitizëm të shtirur, duke harruar se kujt u drejtohen ekranet tona. Është i pakuptimtë dhe i paarsyetuar, as për nga paraqitja, as për nga përmbajtja, titullimi në anglisht i shumë programeve, ndërsa përmbajtja e tyre shtjellohet në shqip, por shpesh i spërkatur me fjalë në gjuhë të huaj.
Disa vite më herët nuk qe kjo dukuri, por u shfaq titulli i parë, ndërsa tani merr telekomandën në dorë, ulu një ditë, dy apo shtatë duke lodruar nëpër ekrane, dhe do të shohësh që titujt në anglisht të programeve nuk kanë të sosur. Shumë prej tyre nuk janë ide të lindura në ato televizione, por të huazuara nga kanale të mëdha të huaja. Ndoshta, i pari fare ka qënë emisioni i titulluar Insight. Ai nuk vazhdoi më me ikjen e drejtuesit të tij. Por, pas disa vitesh, u rishfaq në një kanal tjetër. U krijua një kanal televiziv me emërtim në anglisht dhe, më pas një tjetër kanal, dhe një tjetër, ndërsa mjaft shikues ua shqiptojnë emrin keq. Ka kanale që gjymtyrë të emrit të tyre të kompozuar kanë fjalë News. Dhe titujt në anglisht u shtuan, duke u shpeshtuar gjithandej, me këmbënguljen e gazetarëve që i mbajnë ato programe dhe drejtuesve që u duket se ashtu ngjajnë më modernë. Pas emisionit Fahrenheit, vërshuan njëri pas tjetrit titujt e programeve në anglisht: By Pass Show, Fan Club, Fun Page, Education, Dancing with the stars, Dance with me, Big Brother, Voice of Albania, studio Voice Room, Tonight, Flash, Show Bizz, Elite Business, Target, Info Point, A Show, Select, Non Stop, Alert, Me Too, Live, deri dhe për një lajm të sapombërritur nxirret mbititulli Breaking News, apo paraqitja e një dokumentari me titull të papërkthyer, Divorce Albanian Style etj.; diku-diku, edhe orën si kohë, nuk e shkruajnë, përshembull 5 00 dhe 17 00 , por 5 am dhe 5 pm; madje kanë krijuar foljen kanselloje (nga fjala anglisht cancel=fshij, shuaj).
Gjërat duhen ndarë, siç bën kanali televiziv Voice of America. Gazetarët e tij nuk vuajnë nga papërsosmëria e anglishtes, por ata përkujdesen të paraqiten sa më shqip, deri duke e shkruar në gjuhën shqipe edhe emrin e kanalin televiziv - Zëri i Amerikës - përderisa u drejtohen shikuesve shqiptarë. Ndër ne, dyshja - editorialistë dhe krijues - përgjithësisht vuajnë nga mospërkryerja e anglishtes së tyre, dhe palejueshëm rrëshqasin në mospërkryerje të shqipes, disa herë edhe për shkak të magësive në formimin gjuhësor, por edhe të shtirjes kulturore krejt të panevojshme e të pakërkuar nga kurrkush. Shikuesit shqiptarë përgjërohen në heshtje: titulloni dhe flisni shqip, sa më bukur shqip! Kjo nuk është dëshirë, por thirrje që nuk mund të shpërfillet, sepse bie ndesh edhe me kushtetutën - shqipja është gjuha kombëtare e popullit shqiptar. Ja, pra, ky është problemi: nëpër ekranet e televizioneve tona ka pllakosur “gripi anglisht”. Askush nuk shqetësohet për diagnostikim dhe përcaktim të mjeteve për kurim.