Bukëpjekësit, Biserko, Bugajski dhe Batoni

Hënë, 06 May 2019 09:40

Nga Ermal Mulosmani

Dy ishin lajmet kryesore të ditës së sotme.

I pari dhe më i bukuri na bënte me dije që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pranon dështimin e planit të tij për Kosovën. Vuçiq deklaroi: “Plani im për të marrë sa më shumë Kosovë e Metohi përfundimisht ka dështuar pasi është hequr nga tryeza e bisedimeve”.

Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët. Pra, ideja e ndryshimit të kufinjve të shtetit të Kosovës ka vdekur njëherë e përgjithmonë! “Kosova do ta fitojë pavarësinë e saj në të gjithë territorin” –iu hakërrye Vuçiç të gjithë ultranacionalistëve dhe opozitarëve të vet në Serbi. Nuk deshët ju të merrnim veriun e Kosovës? Atëherë, pajtohuni t’i humbni të gjitha!

Për hir të së vërtetës është hera e parë që Vuçi, personalisht, e pranon që ideja e ndryshimit të kufijve është ide e tij. Shtypi ka supozuar disa herë që plani i Kryeministrit Thaçi për “korrigjim kufijsh”, de facto, është ide e hershme serbe por e hedhur së fundmi nga Presidenti Vuçiç. Para vetëm pak ditësh, ishte Kryetarja e Komitetit Serb të Helsinikit, Sonja Biserko që deklaroi:

“Beogradi ka kërkuar gjithmonë partner në Tiranë dhe kohët e fundit e ka gjetur atë tek Kryeministri Rama. Bisedimet për ndarjen e Kosovës kanë nisur para dy vitesh në Nish mes Kryeministrave Vuçiç dhe Rama.”

Aktivistja serbe deklaroi edhe që kjo ide është përkrahur nga figura të caktuara që lobojnë për Serbinë si Wolfgang Petriç, pastaj Tony Blair që dihet për raportet e afërta me Kryeministrin Rama, Aleks Soros etj etj.

Batonin nuk e përmendi në këtë listë.

Kur lexova analizën e zonjës Biserko mu kujtua një shkrim mjaft i mirë i analistit të mirënjohur Januzs Bugajski para më pak se një muaji. Ishte pikërisht komenti i Biserkos: “Beogradi ka kërkuar gjithmonë një partner te Tirana zyrtare”  ai që më kujtoi shkrimin e Bugajskit për këtë çështje.

Bugajski e titullonte shkrimin e tij “Kurthi serb për Tiranën”. Thelbi i shkrimit ishte pikërisht ajo që deklaronte Biserko. Pra, eliminimi i klasës politike të Prishtinës në bisedime dhe rritja e peshës së Tiranës. Për këtë qëllim –thotë Bugajski në analizën e tij- do ushqehet ideja e Shqipërisë së madhe.

Të gjithë udhëheqësit serbë nuk kanë dashur të negociojnë me Prishtinën. E kanë bërë këtë vetëm në presionin e SHBA ose BE.

Shkrimi i zotit Bugajski ia vlen të sillet në vëmendje edhe njëherë prandaj linkun e keni më poshtë.

Kurthi serb për Tiranën

Pra, si konkluzion, ushqyerja e idesë së Shqipërisë së Madhe do të bënte që Shqipëria dhe Kosova të pranonin të humbnin një copë veriu Kosove edhe ashtu të humbur. “Ndërkohë, Serbia, do të krijonte precedentin për tu bashkuar me serbët e Bosnjës dhe për të rikrijuar Serbinë e Madhe”- thotë Bugajski në analizën e tij.

Me thënë të drejtën këtë idenë e sakrificës së vogël për një gjë të madhe (që po e shpjegonte Bugajski në shkrimin e tij) e kam dëgjuar për herë të parë në një studio televizive nga Baton Haxhiu. Aty, ai po i sulmonte bashkëbiseduesit si injorantë dhe i pyeste “Ani çka do bëhet si do zgjidhet ky konflikt, a mendoni se do të tërhiqet Serbia se kështu duam ne a? Moni se nuk është poezi kjo punë”-  lëshohej Batoni ato kohë.

Dhe pastaj lëshoi perlën “Kur të mbarojë kjo punë do të kuptoni që ky njeri(e kishte fjalën për veten e tij) ka kontribute të jashtëzakonshme”

 Atë ditë më erdhi pak keq për Baton. Mu duk vërtet si një idealist atdhetar që po përpiqet të shpëtojë sa është e mundur nga Atdheu. Pati edhe një si dridhje zëri kur i tha këto fjalë dhe unë e hëngra… Bato- thashë me vete- kështu e mendon. Ndoshta është gabim por është i sinqertë në gabimin e tij.

Tash që e lexova fillimisht Bugajskin dhe pastaj Biserkon fillova me dyshu pak. Mu kujtua edhe Berisha me teoritë e tij të konspiracionit…

Por vulën ia vuri Vuçiç!

Pra, teoria e Vuçiç e përkrahur nga Edi Rama, Hashim Thaçi dhe e mbrojtur në opinion nga zoti Baton Haxhiu vdiq. Ky është një lajm I shkëlqyer për të ardhmen e Kosovës.

Lajmi i dytë ishte I keq dhe kishte të bënte me bukëpjekësit shqiptarë në Serbi.

Vetëm pse një shqiptar (që nuk është pronari I dyqanit të bukëve por vëllai i tij) ka bërë një foto në FB me simbolin e shqiponjës, qindra serb të përçudnuar e kishin rrethuar dyqanin dhe kërcënonin.

Ato janë përpëlitjet e një bishe në ngordhje e sipër. Mu duk si akt dorëzimi…

Nuk e di nëse ka pasur një reagim zyrtar nga shteti shqiptar, prishtina ose Tirana për këtë çështje por, duhet patjetër të mbrohen.

Në qoftë se Kryeministri Vuçiç nuk bëri blof me deklaratat e tij të sotme, atëherë, të gjithë kundërshtarët e  Presidentit Thaçi, Kryeministrit Rama dhe mbështetësit e ndarjes territorial kanë marrë një fitore të jashtëzakonshme. Dhe këtu shkëlqen më së shumti Kryeministri Haradinaj.

Modifikuar më Hënë, 06 May 2019 11:02
Login to post comments