Nga Somalia nuk dha lajmin e zakonshëm

E Enjte, 23 May 2019 16:29

Nga Qemal SAKAJEVA

Qyshkur s’mbahet mend, njeriu i vetëm që jep lajme mbi tërheqjet e mundshme të njohjeve ndaj Kosovës, është Ivica Daçiç. Ai nuk është vetëm ministër i jashtëm i Serbisë, por sillet edhe misionar i çështjes, pelegrin deri në vende të largëta të globit, disa herë edhe arrogant në Këshillin e Sigurimit të OKB, parashikues i çfarë do të ndodhë, dhënës lajmesh ende që pa ndodhur dhe këngëtar në disa gjuhë si zbavitës politik në raste vizitash dhe samitesh të rëndësishme.

Asgjë prej këtyre detyrave nuk shfaqi gjatë vizitës më të fundit në Somali. Sipas Kurrir.rs nuk u mor vesh pse shkoi në këtë vend afrikan. Por duhet besuar se ka udhëtuar, si gjithmonë,  për të ndikuar te shtete të ndryshme që të bëjnë tërheqjen e njohjeve ndaj shtetit të Kosovës, apo që të mos e njohin atë edhe në të ardhmen.

Siç dihet, deri në përshkallëzimin e masës së qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës 100 për qind për mallrat serbe, ndër personazhet politike kryesore që çuan deri te ky qëndrim i Prishtinës, ishte dhe Ivica Daçiç. Zelli i tij për të mos u pranuar Kosova në UNESCO dhe Interpol, fjalimet e ashpëra në Këshillin e Sigurimit sa herë që raportohet për Kosovën, dhe sidomos pelegrinazhet entuziastë për të bindur shtete që të tërheqin njohjet, është i pashoq në Beograd.

Por gjatë vizitës së fundit në Somali nuk ndodhi kësisoj. Është e besueshme që, gjatë takimit me presidentin somalez Muhamed Abdullahi Muhamed në Mogadisho, Ivica Daçiç nuk ka pasur çështje tjetër më të rëndësishme për të biseduar, se sa kundër Kosovës. Dhe pikërisht në ato çaste, një makinë e mbushur përplot me eksploziv shpërtheu frikshëm përpara pallatit presidencial. Aty mbetën 9 veta të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur, ndër ta dhe ish-ministri i jashtëm somalez Hussein Elaba Fahia, këshilltar i presidentit.

Ministri i jashtëm Ivica Daçiç nuk pësoi asgjë. Këtë rrezik afrikan Ivica Daçiç kurrë nuk e ka ndjerë në Kosovë as para luftës, as gjatë luftës, as pas luftës. Megjithatë ai dha lajm, por jo për tërheqje të njohjes ndaj Kosovës. Nën një  trazim të fortë njoftoi: “Ne (këtu në Somali) mezi mbijetuam. Një makinë bombë shpërtheu përpara pallatit presidencial ndërsa ishim në takim. Ka të vdekur në sulm”. 

Login to post comments