Ervis Iljazaj
Prokuroria shqiptare ka urdhëruar shoqërimin me forcë të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, nëse nuk paraqitet me vullnetin e tij për çështjen e financimit të Partisë Demokratike. Basha, nëse prokuroria shqiptare do të ishte një prokurori normale dhe e besueshme, me siguri nuk do ta shmangte atë dhe nuk duhet ta shmangte. E vërteta është se, prokuroria shqiptare në të gjithë momentin e “përkohshëm” të saj nuk ka treguar asnjëherë pavarësinë dhe autonominë ndaj mazhorancës për të gjitha çështjet e nxehta që kanë shoqëruar politikën shqiptare në vitin e fundit.
E megjithatë, nëse ka arsye që hetimet të vazhdojnë për çështjen e financimit të Partisë Demokratike, prokuroria shumë mirë bën që heton. Por duket qartë se ky është një hetim selektiv. Jo vetëm për çështjen e financimit, e cila është një problem i të gjitha partive politike dhe në këtë kuptim duhet zhvilluar për të gjithë politikën shqiptare, por në tërësinë e punës së saj, është qartësisht jo e besueshme.
Për shembull, për një nga çështjet më të ndjeshme të shqiptarëve, e cila është arsyeja kryesore e krizës politike, siç është ajo e shitblerjes së votës, prokuroria nuk ka as edhe një hetim të vetëm, pavarësisht përgjimeve telefonike, që më së paku përmbajnë indicie të forta për ta bërë atë.
Madje, prokuroria dhe indiferenca që ajo tregon ndaj çështjes së votës, është një nga shkaktarët kryesorë që po e thellon krizën politike shqiptare. Nëse ajo do ta bënte punën e saj në këtë aspekt, sigurisht që mund t’ia kursente Shqipërisë dhe shqiptarëve këtë krizë.
Paradoksi shkon deri në ekstrem. Denoncuesi kryesor i shitblerjes së votave, Lulzim Basha, thirret me forcë në prokurori, ndërsa blerësit potencialë të votave gjenden ende në shtëpi, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, dhe duke vazhduar përsëri fushatat e tyre elektorale, dhe me shumë mundësi kryerjen e të njëjtit krim, atë të blerjes së votave.
Nga përgjimet telefonike duket qartë se blerja e votës në Shqipëri nuk bëhet më si në vitet ‘90 me komisioner apo duke shkelur ligjin elektoral, por para se njerëzit të shkojnë te kutia e votimeve, nëpërmjet shumave të parave të kalkuluara për çdo votë, si të ishte një ndërmarrje me bilanc kontabël. Në këtë kuptim, për të evituar këtë fenomen nuk mjafton asnjë reformë zgjedhore, sado mekanizma të përmbajë ajo, apo sado sanksione të parashikojë ajo për blerjen e votës. As qeveria teknike e 2017-s nuk mjaftoi për ta evituar këtë fenomen, pasi me të gjitha gjasat është rrënjosur si një fenomen kulturor që është vështirë të shkulet tanimë. Prandaj, për të zhvilluar zgjedhje në kushte të barabarta dhe neutrale për të gjitha forcat politike, e vetmja zgjidhje është qeveria tranzitore. Një qeveri të cilën kryeministri aktual nuk po denjon që t’ia japë, jo opozitës apo Lulzim Bashës, por shqiptarëve, të cilët pas 30 viteve meritojnë të votojnë të lirë.
Nuk ka asnjë çështje tjetër të politikës shqiptare që mund të avancojë pa zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e votës së lirë. Çdo gjë tjetër nuk ka asnjë kuptim dhe nuk ka asnjë vlerë për shqiptarët dhe të ardhmen e tyre, nëse nuk sigurohen liritë politike të shoqërisë shqiptare dhe aksesit të saj në procesin demokratik në mënyrë të barabartë.
Kjo çështje zgjidhet vetëm me dy mënyra: ose nëpërmjet drejtësisë, e cila me sa duket nuk e bën dot këtë punë, për faktin se ka treguar se është qartësisht e njëanshme, ose nëpërmjet një zgjidhjeje politike. Opozita shqiptare nuk po kërkon as më pak dhe as më shumë sesa zgjedhje në kushte të barabarta. Kjo është në interes të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Një qeveri politike nuk e garanton këtë standard, dhe s’ka për ta garantuar asnjëherë edhe në të ardhmen./ Gazeta Liberale