Nga Qemal SAKAJEVA
Shqiptarët qenë futur në ankth dhe shqetësimi u krijua kësisoj: më 31 maj, përfaqësuesi i Holandës në BE, Robert de Groot, i dorëzoi Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetin, Dimitris Avramopoulos, kërkesën zyrtare për rikthimin e vizave për shqiptarët. Në Shqipëri, dhe kudo në vendet e Bashkimit Europian ku jetojnë e punojnë shqiptarë, kjo kërkesë tronditi thuajse çdo familje dhe individ, edhe sepse u përforcua më pas me kërcënimin e BE, nëpërmjet komisionerit Avramopoulos, se shqiptarëve mund t’u riktheheshin vizat nëse nuk ndërpriten kërkesat për azil. Pas dy muajsh, më 1 korrik 2019, ministri i Punëve të Jashtme i Holandës, Stef Blok, ka marë përgjigje nga Komisioni Europian se, “Shqipëria nuk ndodhet në rrethanat kur mund të vihet në lëvizje mekanizmi për pezullimin e vizave”. Ai e pranoi qëndrimin e Brukselit duke thënë se “Komisioni Europian na ka treguar se nuk ka parë mjaftueshëm” arsye për të hequr vizat.
Ky ishte lajm i shumëpritur në Shqipëri. Mirëpo reagimet e ndryshme në vend qenë thuajse foshnjore, u përdor fjala e ashpër refuzim - BE refuzon Holandën -, nëpër tekste pati edhe ngjyrime të kota triumfaliste, duke mos e fshehur pakënaqësinë ndaj kërkesës së saj. Ambasada holandeze komentoi në mënyrë të matur duke theksuar: “Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar”.
Pikërisht, kjo është çështja: lajmi i mirë mbërriti, rreziku i lartë mbeti.
Kur në aeroportin e Rinasit ulet në të rrallë ndonjë aeroplan i posaçëm që kthen emigrantë shqiptarë, pranë shkallëve të avionit gjendet ndonjë zyrtar i nivelit të mesëm, enkas për të përsëritur të njëjtat fjalë të shqiptuara një herë tjetër, se emigrantët e paligjshëm shqiptarë nuk kanë asnjë mundësi për përfitimin e të drejtës së azilit, sepse Shqipëria është tashmë në listën e vendeve të sigurta. Kjo më shumë u thuhet për frikësim, dhe frikësimi pjesërisht është element propagande i frikës, enkas për t’i stepur ata që e kanë ndërmend të emigrojnë. Këtë e vërtetojnë statistikat tona të herëpashershme: këta dhjetëra të përfshirë nga dëshpërimi, që i kthejnë me aeroplanë të posaçëm, nuk po i tutin dot ata mijëra që po largohen me lloj-lloj mjetesh.
Shkaqet që nxitin emigrimin masiv të të rinjve janë të shumtë, të përditshëm, veprues gjatë një kohë pa fund, dhe të vrazhdë, që nga politika e konfliktit më të skajshëm, papunësia cfilitëse, pagat e ulëta dhe pamundësia e brezave të rinj për të duruar e pritur gjatë-gjatë deri sa Shqipëria të bëhet mirë,- ndërsa jeta u shkon! Nëse ka diçka shumë-shumë urgjente, - mbi çdo urgjencë tjetër, - është ndërprerja e vetëspastrimit të popullsisë nga ky vend nëpërmjet politikash zhvillimi të shpejta, të sigurta, për të gjithë, sidomos për të rinjtë, të cilët motivin e fuqishëm për t’u larguar nga vendi nuk e ndryshojnë lehtë në motiv për të qëndruar në Shqipëri.
Megjithatë, Holanda që nuk mori përgjigje mbështetesë për kërkesën e saj, është aty, në përballje të përditshme me shfaqjet e emigracionit shqiptar, dhe një ditë, po kjo Holandë, mund të kërkojë përsëri rikthimin e vizave dhe nuk duhet çuditur që mund të jenë përmbushur rrethanat për të vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të tyre.
E drejta e lëvizjes së lirë, e fituar me shumë sakrifica, mund të mbrohet vetëm në Shqipëri. Holanda,- dhe “Holandat e tjera të mundshme”, - nuk na mbrojnë e as mund të na mbrojnë nga kjo e keqe, që pas përgjigjes së Komisionit Europian ndër ne po trajtohet si e shkuar, ndërsa rreziku na sillet nëpër këmbë përditë dhe mizorisht.