Nga Qemal SAKAJEVA
Atë ditë kur u transmetua në media një lajm me titull “Gjermaninë po e mbyt vetmia”, isha në fshatin Dërmenas të Fierit. Lajmi nuk të bënte ndonjë përshtypje për fenomenin, sepse kjo është diçka e njohur qyshkur në vendet perëndimore, ndërsa përmasa ishte rrëqethëse. Sipas Byrosë Federale të Statistikave, 17.3 milionë gjermanë jetojnë fillikat, ose ndër 5 vetë 1 jeton i vetmuar. Arsyet janë disa, por faktorë kryesorë i renditin dy. I pari është një arsye e brendshme e kulturës së jetesës në familje: sapo fëmijët mbushin 18 vjeç, largohen për të jetuar të pavarur. I dyti, është plakja e popullsisë. Lajmet nuk gjykohen, por në realitetin shqiptar me probleme pa fund, këto lajme duket sikur publikohen për ngushëllim, siç kur mediat njoftojnë se një shtet i BE apo deri në Hong Kong kërkojnë punëtorë, dhe botimi i këtyre lloj lajmesh tingëllon si thirrje: “Ikni të kapni një punë, ç’prisni më!”.
Por, atë ditë në Dërmenas, isha duke shkuar te një mik, te Rr.M. Habia qe se, duke i thirrur te porta, ai u përgjigj nga oborri i shtëpisë së fqinjit. Me kostër, kazmë, drapër e sfurk po punonte sa kishte fuqi nëpër çdo cep të oborrit dhe tokës që rrethonte shtëpinë ngjitur me të tijën. Atë nuk e kishte thirrur askush të punonte aty, nuk kërkonte as një lek për punon që kryente dhe nuk ankohej aspak pse po lodhej m’u në pisk të vapës. Shkakun nuk ta merrte mendja. Fqinji ka emigruar me të gjithë pjesëtarët e familjes dhe që prej kohësh nuk ka ardhur. Tokën, nga të gjithë anët, dhe shtëpinë mes saj, e kishin pushtuar barërët, shpendërat dhe ferrat. Ato ishin shtuar e rritur aq sa po kërcënonin drejt shtëpisë së tij, dhe qenë mbushur me insekte e zvarranikë. Rr. M. po pastronte shtëpinë e botës që të mbronte shtëpinë e vet.
Në Shqipëri, siç nuk ka një statistikë të saktë për numrin e njerëzve të emigruar, nuk ka fare statistikë për numrin e shtëpive të kyçura, në heshtje të frikshme ngaqë brenda tyre nuk frymon njeri dhe nuk dëgjohet zë njeriu. Ato nuk janë shtëpi të lëna pas krahëve prej vjetrimit, por përgjithësisht janë fringo të reja. Sepse dihet që, gjithë energjitë jetësore dhe paratë e fituara me shumë mund, shqiptari - sidomos fshatari - i ka shkrirë për ngritjen e një shtëpie. Gjatë sistemit komunist, familjet jetonin në shtëpi shumë të vogla, me hapësira jetese të ngushta dhe, prej kësaj mungese të rëndësishme e vuajtjeje të gjatë në kohë, pas ndryshimit të sistemit, ndërtimi i shtëpive të mëdha dy-trikatëshe ishte një lloj shfrenimi. Madje, nëpër fshatra, kjo mori edhe dukurinë e zilisë, duke i çuar mjaft familje në sakrifica financiare përtej mundësive dhe nevojës për hapësira banimi. Dhe nuk vonoi e u shkua në zhgënjim tejet të madh, për të cilin ka vetëm perceptim, nuk ka statistikë. Numri i gjigant i të emigruarve ka krijuar një problem social të paimagjinueshëm, por edhe ekonomik. Shtëpitë e vetmuara, të mbyllura me dry, që nuk hapen më shpesh se vetëm 15 ditë në vit, - nëse ata kthehen në atdhe, - janë duke ngrënë vetveten si kapital familjar i madh i ngrirë në tulla, beton e hekur, që amortizohen për vit në heshtje dhe pa u përdorur. Nëpër ballkonet e tyre, dhe brenda kur nuk janë të përfunduara krejtësisht, kalojnë netët e ditë kukumjaçkat, lakuriqët e natës e shpendë të tjerë. Plot shtëpi të mëdha, me mjedise të panevojshme, banohen nga dy të moshuar, dendur edhe nga një i vetëm, aty ku njëri ka ndërruar jetë. Kur të vemuarit janë gra, - por edhe burra në moshë, - rrinë gjithë natën pa vënë gjumë në sy nga frika e të qënit fillikat.
Vetmia në Shqipëri është më komplekse dhe më e frikshme se në Gjermani, sepse: ka shumë të vetmuar; plotë individë të moshua jetojnë të vetëm fare; ka pasiguri; shpesh sulmohen , madje edhe vriten, për t’i grabitur; dhe ka shtëpi të panumërta të kyçura, të cilat i dallon me një vështrim sapo kalon pranë tyre: harlisja e bujshme e bimësisë së llojllojshme ngaqë nuk ka kush të vëjë dorë, si dhe heshtja e thellë.
Vetmia gjermane është e keqe dhe në numër të madh. Por vetmia shqiptare është edhe më e keqe, sepse është e disafishtë, tronditëse statistikisht nëse do të përpilohej një e tillë dhe e frikshme prej pasigurisë.